Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, Rev. nr. 318/2021 të 1 nëntorit 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI72/22

Parashtruesit: Branislav Stojanović

Shkarko:

KI72/22, me parashtrues:  Branislav Stojanović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, Rev. nr. 318/2021 të 1 nëntorit 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI72/22, Aktvendim i 22 janarit 2023, i publikuar më 7 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor, mes parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Prizrenit, përkitazi me ngastrat kadastrale të lokalizuara në zonën kadastrale Atmaxhë, dhe të evidentuara më pas me numër të ri kadastral 66/3, në sipërfaqe të përgjithshme prej 71996 metër katror (m2). Në lidhje me këto ngastra parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prizren, nëpërmjet së cilës kërkoi vërtetimin dhe njohjen e të drejtës së pronësisë. Kjo e fundit me Aktgjykimin e 29 gushtit 2017, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se ngastra kadastrale, ku paditësi kërkon vërtetimin e pronësisë me anë të kësaj padie (nr.66/3 ZK Atmaxhë), nuk përputhet me gjendjen në terren dhe me vendin ku paditësi pretendon se është pronë e tij. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar më pas si i drejtë dhe i ligjshëm nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj). Referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së tij ndërlidhej me faktin se gjykatat e rregullta nuk morën parasysh vendimin e komisionit agrar të vitit 1946 në lidhje me vërtetimin e pronësisë mbi ngastrat kontestuese dhe se ato e bazuan vendimmarrjen e tyre në arsyetimin se ngastrat kontestuese nuk ishin regjistruar në librat kadastrale, duke pretenduar kështu në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Gjykata Kushtetuese fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor parej katër muajve. Më pas, Gjykata adresoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ngrenë në të vërtetë çështje të faktit dhe të ligjit, gjegjësisht të “shkallës së katërt”, duke ia rikujtuar parashtruesit të kërkesës se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese, të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj. Në parim, sipas Gjykatës, një përjashtim i tillë ndërlidhet me raste ku vendimmarrja e gjykatave të rregullta rezulton të jenë dukshëm arbitrare, ku një gjykatë në një rast specifik ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar. Në këtë kuptim, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë, megjithatë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale janë jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata kolaudoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave kushtetuese, ngrenë “çështje të faktit dhe të ligjit” dhe si të tilla i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” të cilat reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jokushtetutshmërie, andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara.  Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Branislav Stojanović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile