Prishtinë, më 6 shkurt 2023
Nr. ref.:RK 2120/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI72/22
Parashtrues
Branislav Stojanović
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit, Rev. nr. 318/2021 të 1 nëntorit 2021,
të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar dhe
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Branislav Stojanović, nga fshati Zhivinjanjë, komuna e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Ymer Koro, avokat nga Prizreni.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 318/2021] e 1 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 15 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 22 maj 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), arriti dhe u regjistrua më 26 maj 2022.
Më 30 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GjR. KI72/22, caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI72/22 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 8 qershor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 30 nëntor 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren dorëzimin e fletëkthesës si dëshmi e datës së pranimit të Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme nga parashtruesi i kërkesës.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prizren njofton Gjykatën se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 15 shkurt 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 janar 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta deklarojë kërkesën qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Kërkesa ka të bëjë me një kontest civil-pronësor, mes parashtruesit të kërkesës dhe komunës së Prizrenit (e paditura), përkitazi me ngastrat kadastrale me numër 46, 47 dhe 49, të ndodhura në zonën kadastrale ZK-Atmaxhë, të evidentuara më pas me numër të ri kadastral nr. 66/3, ZK-Atmaxhë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 71996 m2 (metër katror).
Më 12 dhjetor 2014, parashtruesi i kërkesës, në cilësi të trashëgimtarit, parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prizren, nëpërmjet së cilës kërkoi vërtetimin dhe njohjen e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat e lartcekura dhe kthimin në posedim të tyre nga e paditura, komuna e Prizrenit.
Më 29 gusht 2017, Gjykata Themelore në Prizren, me Aktgjykimin C. nr. 1081/2014, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin vijues: “Pas analizimit dhe vlerësimit të fakteve të cilat i kemi cekur më lart, gjykata erdhi në përfundim se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar në ligj dhe fakte. Gjykatës i rezultoi se paditësi ka kërkuar t’i njihet e drejta e pronësisë në bazë të trashëgimisë pas vdekjes së të atit të tij në ngastrën kadastrale 61 / 1 ZK Atmaxhë, e cila sipas tij, të atit të tij i është dorëzuar nga Komisioni Agrar, në vitin 1946. Nga provat e administruara e sidomos nga dalja në vendin e ngjarjes nga gjykata dhe ekspertizës së ekspertit të gjeodezisë K.G., të datës 06.07.2017, gjykata ka konstatuar se ngastra kadastrale ku paditësi kërkon vërtetimin e pronësisë me anë të kësaj padie (nr.66/3 ZK Atmaxhë), nuk përputhet me gjendjen në terren dhe me vendin ku paditësi pretendon se është pronë e tij. Nga ekspertiza mund të vërtetohet se në vend ku paditësi pretendon se gjendet paluajtshmëria e tij gjenden ngastrat kadastrale 45/1,45/2,53/31, 53/1,39/1,39/2,40,41,42/1,42/2 dhe 43 të gjitha në ZK Atmaxhë, prej të cilave disa evidentohen në emër të Komunës së Prizrenit, ndërsa disa të tjerë arriti që me provat e dorëzuara gjykatës të provojë se i takon e drejta e pronësisë mbi ngastrën kadastrale kontestuese”.
Parashtruesi i kërkesës, brenda afatit ligjor, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të 29 gushtit 2017 të Gjykatës Themelore, me pretendimin për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së dispozitave të procedurës dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 27 tetor 2020, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin Ac. nr. 4176/2018, refuzoi si të pabazuar, ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin e 29 gushtit 2017 të Gjykatës Themelore, me arsyetimin: “Gjykata e Apelit e aprovon në tërësi vlerësimin juridik të gjykatës të shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm sa i përket vendosjes si në diapozitiv të aktgjykimit të atakuar, për arsye se i njëjti nuk është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, të pretenduara dhe as në shkeljet nga neni 182, par.2, pika b), g), j), k) dhe m), të LPK-së, dhe rrjedhimisht nuk ka aplikim të gabuar të drejtës materiale për të cilat gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të LPK-së, e as nuk ekzistojnë shkeljet për të cilat është goditur aktgjykimi”.
Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me Aktgjykimin e 27 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit, parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të dispozitave të procedurës dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 1 nëntor 2021, Gjykata Supreme me Aktgjykimin Rev.nr.318/2021, refuzoi revizionin e ushtruar nga parashtruesi i kërkesës, duke lënë në fuqi kështu aktgjykimet e instancave më të ulëta, me arsyetimin se: “... aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët nuk janë përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare e as me shkelje të tjera të LPK-së, të pretenduara nga revizioni. Diapozitivi i aktgjykimit është i qartë, në përputhje të plotë me arsyetimin, kurse, në arsyetim janë dhënë arsye të plota dhe të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante të vlefshme për gjykimin e drejtë të kësaj çështje juridike, andaj, konsideron se pretendimet e revizionit përkitazi me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljet thelbësore të dispozitave procedurale, nuk mund t'i vejnë në pyetje aktgjykimet e instancave më të ulëta”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 22 dhe 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6.1 të KEDNj-së, sepse në: “… aktgjykimin e Gjykatës Supreme thuhet se nuk ka bazë për pretendimin e pasurisë, por dëshmitë e bashkëngjitura të paraqitura nga paditësi e vërtetojnë të kundërtën, për faktin se pronën e kontestuar babai i paditësit P. S., e ka fituar me vendim të Komisionit Agrar të datës 30.06.1946, në Komunën Kadastrale Atmaxhë. Ky vendim paraqet bazën ligjore për përcaktimin e të drejtave pronësore. Aty thuhet vetëm se babai i paditësit këtë vendim për pronë nuk e ka regjistruar në librat kadastrale në Prizren. Arsyetimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës se nuk ka bazë juridike është i paqëndrueshëm, sepse dihet se sipas ligjit e drejta e pronësisë fitohet me vendim të organit shtetëror. Gjithashtu duhet theksuar se i ati i paditësit dhe vetë paditësi e kanë shfrytëzuar paluajtshmëritë në fjalë pa pengesa. Po ashtu, duhet theksuar se eksperti gjeodezisë me rastin e vizitës në vendngjarje ka konstatuar se paditësi nuk është i regjistruar si pronar i pronës së paluajtshme kontestuese në librat kadastrale në Prizren, por nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi për këtë lëshim. Gjithashtu duhet theksuar se nuk është i saktë konstatimi i ekspertit të gjeodezisë se nuk ka mundur ta identifikojë parcelën e kontestuar, por qëndron e kundërta, sepse eksperti i njëjtë e ka identifikuar parcelën e kontestuar në prani të gjykatës dhe palëve. Sipas Konventës evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, prona është e shenjtë dhe në asnjë rrethanë kërkesa nuk mund të vjetrohet dhe asnjë nga ligjet ekzistuese për pronën nuk mund të jenë në kundërshtim me Konventën Evropiane. Në fund, duhet theksuar se paditësi ka dorëzuar në gjykatë si provë një procesverbal për bartjen e pronës kontestuese në pronësi të paditësit, përmes aktvendimit të vitit 1946 për bartjen e pronësisë në emër të babait të paditësit P. S., dhe një ekstrakt nga kadastri i vitit 2012, nga të cilët rrjedh se paditësi është pronari real dhe i ligjshëm i pronës së paluajtshme të kontestuar”.
Dispozitat relevante kushtetuese
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Nenin 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2.Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Nenin 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës legjitimohet se është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 318/2021] e 1 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu në kërkesën e tij ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit prej 4 (katër) muajve në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kritereve të lartcekura, Gjykata më tej shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në nënrregullin (2) të rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me i) vërtetimin e fakteve dhe me mënyrën e aplikimit të ligjit material dhe procedural. Në këtë kontekst, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Kushtetuese është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
i. Përkitazi me pretendimet që ngrenë “çështje të faktit dhe të ligjit”
Referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se i njëjti ankohet për faktin se gjykatat e rregullta nuk morën parasysh vendimin e komisionit agrar të vitit 1946 në lidhje me vërtetimin e pronësisë mbi ngastrat kontestuese dhe se ato e bazuan vendimmarrjen në faktin se ngastrat kontestuese nuk ishin regjistruar në librat kadastrale, duke pretenduar kështu në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në këtë kontekst, Gjykata u referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të kontestuar, të Gjykatës Supreme, e cila arsyetoi: “Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, nga provat e administruara nuk mund të kolaudohet se paditësi është pronar i ngastrës kontestuese, ngase me kurrfarë baze juridike nuk kanë provuar pronësinë për të cilat kërkon që të vërtetohet që është pronar, e as që ka zhvilluar procedurë për kthimin e pronës apo trashëgimin e saj. Gjykata e revizionit e aprovon vlerësimin e gjykatave të instancës më të ulët, duke marrë për bazë faktin se prona ka qenë e regjistruar si shoqërore dhe nuk është gjetur në emër të paditësit apo të paraardhësit të tij, e as që është vërtetuar se e kanë fituar pronësinë e pretenduar. Drejtë është zbatuar neni 20 i Ligjit mbi Marrëdhëniet pronësore juridike (Gaz. Zyrtare e RSFJ-së nr. 6/80, 36/90 i cili parasheh se "E drejta e pronësisë fitohet sipas vet ligjit, në bazë të veprimit juridik dhe me trashëgim. E drejta e pronësisë fitohet edhe në bazë të vendimit të organit shtetëror në kushtet dhe në mënyrën e caktuar me ligj, që nënkupton formën me shkrim, vërtetimin e autoritetit dhe regjistrimin e pronës në regjistra publik. Neni 33 i Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore (GZ. RSFJ, Nr. 6/80), përcakton e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet me një punë të vlefshme juridike dhe me regjistrimin në "librin publik (Libri kadastral), ose në mënyrën tjetër përkatëse të caktuar me ligj.
Tutje, Gjykata vëren se Gjykata Supreme, shtoi: “Për më tepër, në kontestet civilo-juridike kur kërkohet mbrojtje gjyqësore e pronës dhe lidhur me vërtetimin e së drejtës së pronësisë si dhe dorëzimin e paluajtshmërisë në posedim, paditësit, sipas nenit 37 të Ligjit të sipërpërmendur, duhet të provojnë që janë pronarë të sendit, me të cilin nënkuptohet edhe vërtetimi i fakteve, mbi të cilat bazohen të drejtat e tyre dhe atë jo vetëm ndaj paditësve, por edhe ndaj paraardhësve të tyre. Paditësit janë të detyruar të provojnë ekzistimin e fakteve juridike në bazë të së cilave fitohet, apo në bazë të së cilave mund të fitohet e drejta e kërkuar e pronës. Në rastin konkret juridiko-civil, paditësit nuk e kanë provuar as bazën juridike e as mënyrën e fitimit (iustus titullus modus aquirendi) të paluajtshmërisë kontestuese, e cila sikundër u theksua, që nga viti 1953, përkatësisht 1958, evidentohet si Pronësi Shoqërore në emër të Komunës së Prizrenit, e tani së voni disa ngastra në emër të personave fizik”.
Si përfundim, Gjykata Supreme, konstatoi: “Gjykata Supreme e Kosovës, i ka vlerësuar si të pabazuara dhe irelevante thëniet e paditësit në revizion se mbi bazën e procesverbalit të konstatimit të gjendjes së datës 30.06.1946 ku thuhet se i merren 4.94 hektarë dhe i mbesin 7.21 hektar pa specifikuar se ku dhe cila pjesë, fakte të cilat nuk u provuan në shkresat e lëndës, dhe në këtë periudhë kohore prona evidentohet si shoqërore në pronësi të paditurës, për arsye se paditësi ka qenë i detyruar t'i provoj këto fakte në kuptim të dispozitës së nenit 322.3 të LPK-së, e cila parasheh se pala e cila konteston ekzistimin e ndonjë të drejtë e bartë barrën e të provuarit të fakteve që e kanë penguar krijimin apo realizimin e saj, ose në bazë të të cilit ka pushuar së ekzistuari. Nga ana tjetër është vërtetuar se nuk është fare kontestuese se prej krijimit të kadastrit në Komunën e Prizrenit dhe për Komunën Kadastrale Atmaxhe, prona e kërkuar evidentohej në emër të Komunës së Prizrenit dhe disa personave fizik, por asnjë evidencë nuk u paraqit se kjo pronë është evidentuar në emër të paraardhësit të paditësit. Në revizion, përsëriten thëniet përkitazi me gjendjen faktike, të cilat gjykatat e instancës më të ulët, i kanë vlerësuar dhe për të gjitha këto kanë dhënë arsye në arsyetimin e aktgjykimit. Për më tepër kjo gjykatë shton, se sipas nenit 214.2 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, revizioni nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, përderisa revizioni në të vërtetë, për këtë arsye i godet aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët, duke potencuar se këto aktgjykime janë të bazuara në vlerësimin e gabueshëm të cilat sipas gjykatës së revizionit janë sqaruar në procedurën e shkallës së parë dhe në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë në procedurë sipas ankesës”.
Sa më sipër, Gjykata duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe adresimin e tyre nga Gjykata Supreme, konsideron se i njëjti si përkitazi me faktet e çështjes, po ashtu edhe në lidhje me aplikimin e ligjit material dhe procedural, ka marrë përgjigjen të arsyetuar nga kjo e fundit. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës mbi të njëjtat pretendime e ka ndërtuar kërkesën e tij edhe pranë Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës e ka ndërtuar rastin e tij në baza ligjshmërie dhe jo në baza kushtetutshmërie. Për çfarë, Gjykata rikujton se vetëm një pretendim i ngritur në nivel kushtetutshmërie, mund ta vejë në lëvizje atë, për të intervenuar në riparimin e shkeljeve të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm (shih, në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese, rasti KI76/21, me parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, e cila ndërlidhet me doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht e ka qartësuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata vazhdimisht ka pohuar se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, rastin e GjEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, nr. 38366/97, 38688/97, 40777/98, 40843/98, 41015/98, 41400/98, 41446/98, 41484/98, 41487/98 dhe 41509/98, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës (për një sqarim më të detajuar përkitazi me konceptin e “aplikimit të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, shih, ndër të tjera, Udhëzuesin e GjEDNj-së për nenin 6 të KEDNj-së (aspekti civil), të 31 gushtit 2020, pjesën IV. Kriteret Procedurale; 3. Shkalla e Katërt; b. Fushëveprimi dhe Kufizimet e mbikëqyrjes së Gjykatës, paragrafët 329-333; dhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 36).
Duke marrë parasysh pretendimet e ngritura në kërkesë dhe duke iu referuar shkresave të lëndës, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale janë jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Për më tepër, nga arsyetimi i konkluzioneve të Gjykatës Supreme të dhëna në Aktgjykimin e 1 nëntorit 2021, vërehet qartë se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme.
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në lidhje me këtë pjesë të kërkesës, bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie sepse nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla, të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
ii. Përkitazi me pretendimet tjera
Përveç pretendimeve të lartcekura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës i referohet edhe nenit 22 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata përsërit se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton vetvetiu edhe shkelje të neneve tjera të Kushtetutës ose të KEDNj-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet në nivel kushtetutshmërie se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata, vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; dhe së fundmi rastin KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 22 të Kushtetutës i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese të njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ngrenë “çështje të fakti dhe të ligjit” dhe si të tilla i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” të cilat reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, andaj, të njëjtat në baza kushtetuese shpallen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 22 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj, edhe këto pretendime duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (1) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 17 janar 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Branislav Stojanović
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile