Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 236/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI33/21

Parashtruesit: Halim Vrellaku

Shkarko:

KI33/21, Parashtrues: Halim Vrellaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 236/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 nëntorit 2020

KI33/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 tetorit 2022, publikuar më 9 dhjetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, gabimisht e kanë vërtetuar gjendjen faktike përkatësisht gabimisht e kanë interpretuar ligjin, mosshterim i  mjeteve juridike, qartazi e pabazuar.

Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, përkatësisht për shkak të dyshimit të bazuar se në cilësinë e personave zyrtarë si rrjedhojë e mospërmbushjes së detyrave zyrtare kanë mundësuar ndërtimin e objekteve pa leje. Pas kësaj, Gjykata Themelore ka shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës, duke i shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 10 muajve. Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë pranë Gjykatës së Apelit e cila ka aprovuar ankesën e parashtruesit si të bazuar, dhe ka anuluar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në lidhje me parashtruesin e kërkesës duke ia kthyer të njëjtës çështjen në rivendosje. Pas kësaj, gjykata e shkallës së parë në procedurën e përsëritur e ka shpallur sërish fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës lëndën e ka shqyrtuar Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, të cilat e kanë refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e kanë vërtetuar në tërësi vendimin e shkallës së parë.

Parashtruesi i kërkesës i ka kontestuar para Gjykatës konkluzionet e gjykatave të rregullta, duke pohuar se ka pasur shkelje të nenit 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në kuptim të nenit 6 të KEDNj-së.

Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, kanë të bëjnë me (a) faktin se gjykatat e rregullta kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, përkatësisht kanë interpretuar dhe karakterizuar gabimisht kompetencat e parashtruesit të kërkesës sepse ai, duke pasur parasysh situatën karakteristike në të cilën ndodhej, nuk ka qenë kompetent për ndërmarrjen e veprimeve dhe se për shkak të mosndërmarrjes së tyre gjykatat e rregullta nuk kanë mundur ta shpallin fajtor, dhe (b) faktin se në rastin e tij procedura penale pranë Gjykatës Themelore është iniciuar në mënyrë të kundërligjshme, përkatësisht pas skadimit të afatit ligjor prej dy (2) viteve për ngritjen e aktakuzës. Kjo shkelje procedurale nuk është evituar as nga Gjykata e Apelit e as nga Gjykata Supreme. Për sa i përket pretendimeve se gjykatat gabimisht kanë vërtetuar gjendjen faktike, përkatësisht kanë interpretuar ligjin në mënyrë të gabuar, Gjykata thekson qëndrimin e saj parimor se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet faktike ose ligjore (ligjshmëria) që pretendohet të jenë kryer nga Gjykata Supreme ose nga një gjykatë tjetër e instancës më të ulët, përveç në masën që ato gabime mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Për sa i përket pretendimeve se procedura është iniciuar dy (2) vite pas ngritjes së aktakuzës, parashtruesi i kërkesës është dashur t’i iniciojë këto pretendime para Themelores brenda afatit të paraparë me nenin 250 të KPPK-së. Duke qenë se parashtruesi i kërkesës nuk ka vepruar në përputhje me normat ligjore, Gjykata Supreme nuk është marrë me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës. Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit në lidhje me shkeljen e nenit 3 [Barazia para ligjit] dhe nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës, Gjykata thekson se nenet e lartpërmendura 3 dhe 7 bien nën Kapitullin I [Dispozitat Themelore] të Kushtetutës, të cilat nuk mund të vlerësohen në kuadër të kësaj ankese kushtetuese. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata arrin në përfundimin se nuk do të merret me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së në lidhje me afatin kohor për ngritjen e aktakuzës, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës cilësohen si pretendime të papranueshme në baza procedurale për shkak të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike në kuptimin thelbësor siç kërkohet nga pika (b) e paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtave të garantuara nga nenet 3 dhe 7 të Kushtetutës, Gjykata thekson se këto nene të Kushtetutës bien nën Kapitullin I [Dispozitat Themelore] të Kushtetutës. Prandaj, kërkesa duhet të deklarohet në tërësi e papranueshme si kërkesë qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafët (1) (b) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Halim Vrellaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale