Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 265/2021, të 17 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI180/21

Parashtruesit: Rahim Kolukaj

Shkarko:

KI180/21, Parashtrues: Rahim Kolukaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 265/2021, të 17 qershorit 2021  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest i pronës

Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale nga ana e gjykatave të rregullta, nën pretendimin se babait të tij të ndjerë pavarësisht që përmes Aktvendimit të vitit 1985, si rezultat i kompensimit për pronën e tij të eksproprijuar në fshatin Vërmicë, i ishin ndarë parcelat kadastrale [8671], [8680] dhe [8710], i njëjti kishte shfrytëzuar paluajtshmërinë e evidentuar si ngastër kadastrale [6831] në afat prej mbi 20 vite pa u penguar nga askush, rrjedhimisht edhe pretendonte fitimin e pronësisë mbi këtë pronë. Ndërsa, prona në fjalë ishte e evidentuar nën pronësinë e Komunës së Prizrenit dhe palëve tjera të interesuara F.H, Sh.N, Sh.B, G. B (të paditurit e rendit të dytë). Bazuar nën këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi kundër (i) Komunës së Prizrenit dhe palëve të interesuara të lartcekura, ku kërkonte që: parashtruesit të kërkesës t’ i njihej e drejta e pronësisë në parcelën përkatëse të evidentuar si ngastra kadastrale [6831]. Pas refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, pasoi edhe refuzimi si e pathemeltë e ankesës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, si dhe pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 54 të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje edhe me parimet e lartpërmendura të së drejtës në pronë, vëren se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohen konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe në këtë mënyrë nuk kanë vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së tij për vërtetimin e pronësisë së fituar përmes parashkrimit me mirëbesim.

Në fund, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (i) pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, si dhe (ii) përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Rahim Kolukaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile