Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml.nr.4/2022 të 14 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI119/22

Parashtruesit: Naser Durr

Shkarko:

KI119/22, Parashtrues: Naser Durr, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml.nr.4/2022 të 14 korrikut 2022

KI119/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 tetorit 2022, publikuar më  15 nëntor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë me atë që Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale Sulm seksual nga neni 229 paragrafi 6 i KPRK-së, dhe e kishte dënuar me dënim me burgim prej 3 (tre) vitesh, duke ia llogaritur qëndrimin në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, ankesa e të cilit ishte refuzuar nga Gjykata e Apelit dhe ishte vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktgjykimin [Pml.nr.4/2022] e 14 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë duke i shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, te cilat si te tilla ngrenë çështje ligjshmërie dhe si rregull i përgjithshëm bien në juridiksionin e gjykatave të rregullta dhe jo te Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, dhe duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.

Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

Thënë këtë Gjykata vlerësoi se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pa bazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur qe pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Durr

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale