Prishtinë, më 9 nëntor 2022
Nr.ref.:RK 2078/22
VENDIM PËR TËRHEQJE TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI95/22
Parashtrues
Habibe Elezi
Vlerësim i kërkesës së parashtrueses së kërkesës për tërheqjen e kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 381/2021 të 21 marsit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Habibe Elezi nga Komuna e Gjilanit, e cila përfaqësohet nga Sevdail Robelli, avokat nga Gjilani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës)
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 381/2021] të 21 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 510/18] i 24 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 277/2016] të 15 nëntorit 2017 të Gjykatës Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kërkesës së parashtrueses për tërheqjen e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes së cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe neni 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] dhe 13 [E Drejta për Ankim Efektiv] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme me të cilën do të pezullohet Aktgjykimi [Rev. nr. 381/2021] i 21 marsit 2022 të Gjykatës Supreme dhe të ndalohet zhvillimi i mëtutjeshëm i procedurave lidhur me konkursin e shpallur nga DKA në Gjilan, me nr. 66685, të 10 qershorit 2022.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 qershor 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 korrik 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtrueses së kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të vijë në Gjykatë dhe të nënshkruaj formularin e kërkesës ose të dorëzoj një formular të nënshkruar pasi që formulari i parë nuk ishte i nënshkruar. Gjithashtu, një kopje të kërkesës Gjykata ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 12 korrik 2022, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e dorëzoi në Gjykatë formularin e nënshkruar.
Më 30 gusht 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që t’ia dërgonte dosjen e plotë të lëndës.
Më 9 shtator 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e kërkuar.
Më 13 shtator 2022, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës dorëzoi në Gjykatë kërkesën për tërheqje të lëndës, ku me anë të saj njoftoi Gjykatën se heqin dorë nga kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 381/2021 të 21 marsit 2022.
Më 27 tetor 2022, pasi shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues i rekomandoi Gjykatës miratimin e kërkesës për tërheqje të kërkesës së parashtrueses.
Përmbledhja e fakteve
Më 29 qershor 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatë, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 381/2021] të 21 marsit 2022 të Gjykatës Supreme.
Më 13 shtator 2022, pasi që parashtruesja e kërkesës kishte fituar pozitën e mësimdhënëses në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Agim Ramadani”, pozitë për të cilën ankohej se ishte larguar, përfaqësuesi i parashtrueses dorëzoi në Gjykatë kërkesë për tërheqjen e kërkesës së saj për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.
Kërkesa për tërheqjen e kërkesës KI95/22
Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës në kërkesën e tij për tërheqje, ndër të tjera, theksoi:
“[…] Me datën 20.06.2022 në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kam paraqitur kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 38112021 te datës 21.03.2022. Kjo kërkesë është bërë në emër dhe me kërkesë të palës, Habibe Elezi, e cila sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës me numër si më lart e kishte humbur vendin e saj të punës si mësimdhënëse në Shkollën e Fillore “Agim Ramadani” në fshatin Zhegër.
Sidoqoftë, me datën 09.09.2022 në zyrën time në Gjilan është paraqitur pala, Habibe Elezi, e cila ka kërkuar nga unë (duke mu drejtuar me kërkesë me shkrim) që të revokojmë kërkesën dërguar Gjykatës Kushtetuese e cila është evidentuar me numër KI95/22. Me këtë shkresë, e njoftojmë zyrtarisht Gjykatën Kushtetuese të Kosovës se me insistim të palës Habibe Elezi, heqim dorë nga kërkesa jonë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, sepse kjo lëndë nuk paraqet asnjë interes më tutje për Habibe Elezi”.
Pranueshmëria e kërkesës për tërheqje të kërkesës
Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Megjithatë, në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh kërkesën e parashtrueses për tërheqjen e kërkesës së saj, Gjykata së pari do të bëjë shqyrtimin e kësaj kërkese për tërheqje dhe në këtë aspekt. Lidhur me këtë, Gjykata së pari i referohet dispozitave përkatëse ligjore dhe të Rregullores së punës, përkatësisht nenit 23 të Ligjit dhe rregullit 35 të Rregullores së punës:
Neni 23
[Tërheqja e palës]
“Gjykata Kushtetuese do të vendosë për çështjet që u janë referuar në mënyrë ligjore nga ana e palëve të autorizuara pavarësisht tërheqjes së palës nga procedura”.
Rregulli 35
[Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
“(1) Pala mund të tërheqë kërkesën ose përgjigjen e parashtruar për atë kërkesë në çdo kohë para fillimit të seancës dëgjimore, ose në çdo kohë para marrjes së vendimit nga Gjykata, nëse vendimi merret pa seancë dëgjimore.
(2) Pavarësisht tërheqjes së kërkesës, Gjykata mund të përcaktojë të vendosë përkitazi me kërkesën”.
Gjykata vëren që paragrafi (1) i rregullit 35 të Rregullores së punës, i mundëson parashtruesve të kërkesave që të tërheqin kërkesën e tyre a) para fillimit të seancës dëgjimore, ose b) para marrjes së vendimit nga Gjykata. Gjykata në bazë të nenit 23 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 35 të Rregullores së punës, vendos për miratimin ose jo të kësaj kërkese.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se nuk ka ndonjë arsye bindëse për vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës së parashtrueses së kërkesës (shih, rastin nr. KI04/17, parashtrues Z. K., Vendim për tërheqje të kërkesës, i 28 korrikut 2017, paragrafi 19; rastin nr. KI110/17, parashtrues Sekule Stanković, Vendim për tërheqje të kërkesës, i 13 qershorit 2018, paragrafi 18; dhe KI199/21 dhe KI200/21, parashtrues Gordana Aksić dhe Zvonimir Stanimirović, Vendim për tërheqje të kërkesës, i 7 shkurtit 2022, paragrafi 17).
Rrjedhimisht, Gjykata miraton kërkesën e parashtrueses së kërkesës për tërheqjen e kërkesës në pajtim me nenin 23 të Ligjit dhe rregullin 35 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 23 të Ligjit dhe rregullin 35 të Rregullores së punës, më 27 tetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË MIRATOJË kërkesën për tërheqjen e kërkesës;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Naser Durr
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale