Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.318/2020 të 22 dhjetorit 2020

Nr. të lëndës KI105/21

Parashtruesit: Zelqif Berisha

Shkarko:

KI105/21, Parashtrues: Zelqif Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.318/2020 të 22 dhjetorit 2020

KI105/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 tetorit 2022, publikuar më 8 nëntor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar

Rasti i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me akuzimin e tij nga ana e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë lidhur me kryerjen e veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 par.6 lidhur me par.4 dhe 2 dhe 1 të KPPK-së, për shkak se parashtruesi i kërkesës si pronar i kompanisë private “Unio Comerc” nuk i kishte mirëmbajtur në gjendje të rregullt, sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse rezervuarët e pompës së benzinës, ashtu që nuk e kishte mbyllur me dry shakten e rezervuarve, nëpërmjet të të cilit tani të ndjerit kanë hyrë që ti pastrojnë rezervuarët me ç ‘rast ka ardhur deri te eksplodimi i njërit nga rezervuarët e pompës, dhe nga eksplodimi i njërit nga rezervuarët kanë humbur jetë A.B dhe S.V të cilët ishin punëtor të kësaj kompanie. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.20/14] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPK-së, dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vite e 2(dy) muaj në të cilën iu llogarit edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Pas ankesave të parashtruesit të kërkesës rasti ishte kthyer dy herë në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, ndërsa herën e tretë Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj [P.nr.451/2017] të 15 nëntorit 2019, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPK-së, dhe u dënua me dënim me burg në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) muajve në të cilin iu llogarit koha e kaluar në arrest shtëpiak. Tutje parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës, i kontestoi konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritetit.

Gjykata, rikujtoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit të kontradiktoritetit, ndërlidhet me atë që Aktvendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, pasi që  thekson se atij i është cenuar e drejta për një proces gjyqësor kontradiktor dhe të barabartë, dhe me këtë ai pretendon se është bërë shkelje. Ai këtë pretendim e lidh me atë se ai kishte propozuar para gjykatave të rregullta që të caktohet një ekspert për bërjen e një ekspertize për mbrojtje nga zjarri dhe nevojën për të ftuar në seancë ekspertin e caktuar nga gjykata me qëllim të marrjes në pyetje, e cila i mundësohet nga parimi i kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurën penale.

Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me pretendimin për dëgjim në cilësi të dëshmitarit ndonjërin nga ekspertët të cilët e kanë bërë super-ekspertizën, nuk rezultojnë të jenë të m ‘veshura nga arbitrariteti apo jo proporcionale sepse përmes vendimeve të gjykatave të rregullta shihet se dëgjimi i ekspertit në fjalë nuk kishte qenë i nevojshëm, për arsye se çështja ishte qartësuar përmes super-ekspertizës dhe se nuk kishte asgjë të pakuptueshme lidhur me super-ekspertizën në fjalë. Gjykata po ashtu konsideron se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë mundur që ta shtjellojnë më tepër çështjen e dëgjimit të ekspertit, por kjo në vetvete nuk e bën procesin kundërkushtetues sepse, nga dokumentet në dispozicion, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka marrë përgjigje në substancë ndaj pretendimeve të tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në këtë kontekst, Gjykata konsideroi se përveç se është respektuar parimi i barazisë së armëve dhe i kontradiktoritetit procedural nga këto instanca gjyqësore është respektuar po ashtu edhe parimi i palës së dëgjuar, pasi që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kishin marrë vendim për çështjen, para se t’ua jepte palëve ndërgjyqëse mundësinë për t’i ballafaquar argumentet, provat dhe dëshmitë e tyre, kundruall njëra tjetrës, që ato i konsideronin relevante dhe të favorshme për to, ashtu siç kërkon parimi i barazisë së armëve, si element i të drejtës për gjykim të drejtë, i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së. Bazuar në parimet e përgjithshme mbi të drejtën për barazi të armëve dhe të kontradiktoritetit procedural, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës është dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe se atij i është dhënë mundësia e ballafaqimit të dëshmive dhe provave gjatë zhvillimit të procedurës pranë gjykatave të rregullta, përfshirë këtu edhe kundërshtimin e ekspertizës. Por, duket se i njëjti thjeshtë nuk është pajtuar me rezultatin e procedurës dhe të gjykimit të çështjes së tij pranë gjykatave të rregullta. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradikoritetit, i përket kategorisë së (iii) pretendimeve me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj i njëjti duhet të shpallet qartazi i pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Zelqif Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale