Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.318/2020 të 22 dhjetorit 2020

Nr. të lëndës KI105/21

Parashtruesit: Zelqif Berisha

Shkarko:

Prishtinë, më 3 nëntor 2022

Nr. Ref.:RK 2067/22

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.KI105/21

 

Parashtrues

 

Zelqif Berisha

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.318/2020 të 22 dhjetorit 2020

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Zelqif Berisha nga fshati Gorancë, Komuna e Hanit të Elezit i përfaqësuar nga Artan Qerkini avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 


Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml.nr.318/2020] e Gjykatës Supreme të 22 dhjetorit 2020 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [PAI.nr.20/2020] të 22 shtatorit 2020 të Gjykatës së Apelit (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [P.nr.451/2017] të 15 nëntorit 2019 të Gjykatës Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e kishte pranuar më 22 shkurt 2021.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore, ku nga Gjykata kërkon “në përputhje me Rregullin 39 te Rregullores se Punës se Gjykatës Kushtetuese te Repub1ikes se Kosovës, te urdhërojë mbajtjen e seancës dëgjimore”.

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatë

 

  1. Më 27 maj 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  1. Më 4 qershor 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Remzie Istrefi Peci dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.

 

  1. Më 9 qershor 2021, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të sjellë Aktgjykimin [Pml.nr.318/2020] e 22 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme. Në të njëjtën datë, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.

 

  1. Më 9 qershor 2021, Gjykata njoftoi për regjistrimin e kërkesës Gjykatën Themelore dhe nga ajo kërkoi që të sjellë fletëkthesën që tregon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 15 qershor 2021, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë aktgjykimin e kërkuar.

 

  1. Më 24 qershor 2021, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar që dëshmonte se parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar më 22 shkurt 2021.

 

  1. Më 26 qershor 2021, bazuar në paragrafin 4 të Rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP 71-2/21, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani mori detyrën e Kryetares së Gjykatës, ndërsa bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1 të nenit 8 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit, Kryetarja Arta Rama-Hajrizi përfundoi mandatin e Kryetares dhe të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.

 

  1. Më 13 tetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Bazuar në shkresat e lëndës, më 2 maj 2006, Prokuroria Publike e Qarkut ngriti aktakuzë [PP.nr.162/05] kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 par.6 lidhur me par.4 dhe 2 dhe 1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK).

 

  1. Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me akuzimin e tij nga ana e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë lidhur me kryerjen e veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, për shkak se parashtruesi i kërkesës si pronar i kompanisë private “Unio Commerce” nuk i kishte mirëmbajtur në gjendje të rregullt, sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse rezervuarët e pompës së benzinës. Në këtë drejtim, më 24 mars 2005, në komunën e Hanit të Elezit, në Kompaninë “Unio Commerce”p.k., pas shpërthimit të rezervuarit të pompës, kishin humbur jetën të ndjerët A.B dhe S.V të cilët ishin punëtorë të kompanisë.

 

  1. Më 8 shtator 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.20/14] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPPK-së, dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 2 (dy) muaj në të cilën iu llogarit edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

 

  1. Në një datë të pasaktësuar parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozimin që ankesa e tij të aprovohet dhe aktgjykimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

 

  1. Ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore paraqiti edhe Prokuroria Themelore dhe atë vetëm për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozimin që të aprovohet ankesa e tyre dhe aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe parashtruesit të kërkesës ti shqiptojë dënim më të ashpër.

 

  1. Më 14 prill 2016, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAI.nr.147/15] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe Aktgjykimin [P.nr.20/14] të Gjykatës Themelore e anuloi dhe lënda iu kthye gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Ankesa e Prokurorisë Themelore lidhur me sanksionin penal u shpall si jo lëndore.

 

  1. Më 10 shkurt 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.257/16] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPK-së, dhe e dënoi me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 2 (dy) muaj në të cilin do ti llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak; (ii) udhëzoi të dëmtuarit që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest civil; (iii) obligoi parashtruesin e kërkesës për pagesën e paushallit gjyqësor prej 450 euro dhe shpenzimet e procedurës.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, për shkak të (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; (ii) shkeljes së ligjit penal, (iii) vërtetimit të gabuar she jo të plotë të gjendjes faktike dhe (iv) vendimit mbi dënimin; me propozimin që ankesa e tij të aprovohet, ashtu që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe parashtruesin ta liroj nga akuza në mungesë provash; ose ta prish aktgjykimin dhe çështjen ta kthej në rigjykim dhe rivendosje. Ankesë paraqiti edhe Prokurori i Apelit me propozimin që ankesa e parashtruesit të kërkesës të refuzohet dhe aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

 

  1. Më 25 korrik 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAI.nr.471/17] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe Aktgjykimin [P.nr.257/2016] e 10 shkurtit 2017 e anuloi dhe lëndën e ktheu në shkallën e parë në rigjykim dhe rivendosje. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit theksoi pikat orientuese të cilat duhet të trajtohen nga Gjykata Themelore ku përfshiheshin: (i) mënjanimi i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; (ii) përkujdesja sipas detyrës për pretendimet tjera ankimore të parashtruesit të kërkesës për sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes se ligjit penal; (iii) të përkujdeset sipas detyrës zyrtare se kush ka qenë personi përgjegjës në pikën e derivateve të sqaroj se si ka ndodhur rasti, se cilat kanë qenë kompetencat e tij sipas aktit normativ – rregullores së brendshme të kompanisë, çfarë kanë qenë autorizimet e tij, a ka pasur vendim me shkrim për personin përgjegjës […] dhe pas gjithë kësaj të nxjerrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

 

  1. Më 15 nëntor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.451/17] shpalli (i) fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPPK-së, dhe e dënoi me dënim me burg në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) muajve në të cilin do ti llogaritej koha e kaluar në arrest shtëpiak; (ii) të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontest juridiko-civil; (iii) detyrohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë pranë kësaj gjykate shumën prej 650 euro ndërsa në emër të paushallit gjyqësor obligohet të paguajë shumën prej 200 €, në afat jo me të gjatë se dy muaj pas plotefuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Themelore lidhur me refuzimin e parashtruesit të kërkesës për mosdëgjim të disa dëshmitarëve, theksoi si në vijim: “Gjykata nuk e aprovoi propozimin e mbrojtësit për t’u dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve M.Q, S.K dhe S. Z., meqë për të njëjtat rrethana ishte ndëgjuar dëshmitarja M.H, ndërsa sa i përket propozimit për t’i dhënë kohë mbrojtjes për të angazhuar një ekspert gjykata nuk e vlerësoi si të arsyeshme, meqë kjo ka mundur që të bëhet nga mbrojtja edhe në fazat e mëhershme dhe se gjykata pastaj kishte marrë vendimin për të marrë një vendim për angazhimin e një grupi të eksperteve, ndërsa sa i përket propozimit të mbrojtjes për të ftuar në seancë njërin nga anëtarët e grupit të ekspertëve, gjykata poashtu nuk e aprovoi për shkak se mbrojtësi nuk ka qenë i sigurt nëse do të ketë pyetje konkrete për anëtarin e grupit të ekspertëve dhe se në tërësi këto propozime kanë patur për qëllim zvarritjen e procedurës penale.”

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, për shkak të: (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, (ii) shkeljes së ligjit penal; (iii) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iv) vendimit mbi dënimin; me propozimin që: (i) ankesa të aprovohet duke ndryshuar aktgjykimin e ankimuar dhe liruar nga akuza parashtruesin e kërkesës në mungesë provash, ose (ii) ta prish aktgjykimin dhe çështjen ta kthej në rigjykim dhe rivendosje. Në anën tjetër, ankesë paraqiti edhe Prokurori i Apelit me propozimin që ankesa e parashtruesit të kërkesës të refuzohet dhe aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

 

  1. Më 22 shtator 2020 Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAI.nr.20/2020] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe vërtetoi Aktgjykimin [P.nr.451/2017] të 15 nëntorit 2019 të Gjykatës Themelore.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të ligjit të procedurës penale dhe për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësorë.

 

  1. Më 23 nëntor 2020, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes shkresës [KMLP.II.nr.176/2020] propozoi që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pabazuar.

 

  1. Më 22 dhjetor 2020, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.318/2020] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml.nr.318/2020] e 22 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së.

 

  1. Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në esencë, parashtruesi i kërkesës thekson se atij i është cenuar e drejta për një proces gjyqësor kontradiktor dhe të barabartë, dhe me këtë ai pretendon se është bërë shkelje e parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurën penale. Ai këtë pretendim e lidh me atë se ai kishte propozuar para gjykatave të rregullta që të caktohet një ekspert për bërjen e një ekspertize për mbrojtje nga zjarri dhe nevojën për të ftuar në seancë ekspertin e caktuar nga gjykata me qëllim të marrjes në pyetje nga mbrojtja. Në lidhje me këto dy parime të përmendura, parashtruesi i kërkesës i referohet neneve 5 (Gjykimi i drejtë, i paanshëm dhe në afat të arsyeshëm) 9 (Barazia e palëve) dhe 329 (Rregullat e përgjithshme të paraqitjes së provave) të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

 

  1. Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se “Një prej kritereve thelbësore te një seance të drejte e të ndershme është parimi i barazisë se armëve midis palëve. Barazia ne përdorimin e mjeteve provuese gjate procedurës gjyqësore kërkon qe palët të trajtohen në një pozitë të barabartë procedurale për ta paraqitur rastin e tyre. Veçanërisht në procedurën penale, barazia e armëve, kontradiktoriteti dhe lidhur ngushte me këto, mbrojtja e të pandehurit përbejnë në vetvete elementet me të qenësishme e thelbësore te procesit te rregullt ligjor”. Ai pretendon se në rastin e tij gjykatat e rregullta kanë shkelë të drejtën e tij për një proces të barabartë dhe kontradiktor sepse sipas tij: (i) nuk i është mundësuar që sipas kërkesës së tij e caktohet marrja e provës përmes ekspertizës së mbrojtjes kundër zjarrit; dhe (ii) i kanë refuzuar propozimi që në seancë gjyqësore të dëgjohet së paku njëri anëtarë prej grupit të ekspertëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit “Hasan Prishtina” që kishte përpiluar ekspertizën. Sipas parashtruesit “ Marrja e ekspertizës për mbrojtje kundër zjarrit ka qene e një rëndësie te madhe sepse pikërisht zjarri përkatësisht eksplodimi i shkaktuar nga zjarri ka shkaktuar vdekjen e S.V dhe A.B, për të cilat është mbajtur përgjegjës. Ekspertiza do te vërtetonte nëse ai do te mund te mbahej përgjegjës për shpërthimin e zjarrit, apo se zjarri është shkaktuar nga faktorë tjerë të pavarur në të cilët nuk mund te ketë pasur ndikim”. Po ashtu sipas tij njëri nga ekspertët është dashtë që të dëgjohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është dashur që ti mundësohet marrja në pyetje e ekspertit lidhur me raportin e ekspertizës gjithashtu edhe për bazën e ekspertizës. Lidhur me këtë ai pretendon se me mos aprovimin e kërkesës së tij për angazhimin e një eksperti për mbrojtje nga zjarri dhe me refuzimin nga ana e Gjykatave te rregullta që në shqyrtim gjyqësor të ftohet së paku njeri prej eksperteve nga Grupi i Eksperteve te Fakultetit te Inxhinierisë Mekanike ne kuadër te Universitetit “Hasan Prishtina”, me qellim te marrjes se tërthortë ne pyetje, ai është vendosur në pozitë të pabarabartë në raport me Prokurorinë, dhe për rrjedhojë në mënyrë të dukshme është cenuar parimi i kontradiktoritetit dhe ai barazisë së armëve. Lidhur me pretendimet e tij parashtruesi i kërkesës përmend praktika të Gjykatave Kushtetuese të Kroacisë, Bosnjës, dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

 

  1. Në fund parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që: (i) kërkesa e tij të shpallet e pranueshme; (ii) në përputhje me rregullin 39 të Rregullores së Punës së Gjykatës të urdhërohet mbajtja e seancës dëgjimore; (iii) të konstatoj se ka pasur shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së; (iv) të përcaktojë çfarëdo mase tjetër që Gjykata e vlerëson të bazuar juridikisht.

 

Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

(…)

  1. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

(…)

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

  1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

 

[…]


  1. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të
    mëposhtme:

 

[…]

 

  1. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët
    e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes
    të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me
    dëshmitarët e akuzës;

 

KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE

 

Neni 5      

Gjykimi i drejte, i paanshëm dhe ne afat te arsyeshëm

 

  1. Çdo person i dyshuar ose i akuzuar për vepër penale ka të drejtë të kërkojë procedurë të paanshme penale të zbatuar në kohë të arsyeshme.

 

[…]

 

Neni 9
Barazia e palëve

 

[…]

  1. I pandehuri ka të drejtë të deklarohet dhe atij duhet t’i lejohet deklarimi për të gjitha faktet dhe provat që e ngarkojnë dhe t’i paraqesë të gjitha faktet dhe provat që janë në favor të tij. Ai ka të drejtë që të kërkojë nga prokurori i shtetit të thërret dëshmitarë në emër të tij. Ai ka të drejtë t’i marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta që vlejnë për dëshmitarët kundër tij.

Neni 329
Rregullat e përgjithshme të paraqitjes së provave

 

[…]

 

  1. Deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, palët dhe i dëmtuari mund të propozojnë shqyrtimin e fakteve të reja, mbledhjen e provave të reja dhe të përsërisin propozimet të cilat gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose trupi gjykues më herët i ka refuzuar.

 

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  1. Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kane përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

  1. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor …”.

 

  1. Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Pml.nr.318/2020] të 22 dhjetorit 2020, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikisht përcakton që:

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”

 

  1. Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.

 

  1. Në këtë kontekst, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës në rrethanat e këtij rasti, përkatësisht të vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Rasti i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me akuzimin e tij nga ana e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë lidhur me kryerjen e veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 par.6 lidhur me par.4 dhe 2 dhe 1 të KPPK-së, për shkak se parashtruesi i kërkesës si pronar i kompanisë private “Unio Comerc” nuk i kishte mirëmbajtur në gjendje të rregullt, sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse rezervuarët e pompës së benzinës, ashtu që nuk e kishte mbyllur me dry shakten e rezervuarve, nëpërmjet të të cilit tani të ndjerit kanë hyrë që ti pastrojnë rezervuarët me çrast ka ardhur deri te eksplodimi i njërit nga rezervuarët e pompës, dhe nga eksplodimi i njërit nga rezervuarët kanë humbur jetë A.B dhe S.V të cilët ishin punëtor të kësaj kompanie. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.20/14] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPK-së, dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vite e 2(dy) muaj në të cilën iu llogarit edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Pas ankesave të parashtruesit të kërkesës rasti ishte kthyer dy herë në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit, ndërsa herën e tretë Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj [P.nr.451/2017] të 15 nëntorit 2019, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 2 dhe 1 të KPK-së, dhe u dënua me dënim me burg në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) muajve në të cilin iu llogarit koha e kaluar në arrest shtëpiak. Tutje parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës, i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (i) shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritetit.

 

  1. Prandaj, Gjykata në vijim, pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës do t’i shqyrtojë në dritën e garancive procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilat janë interpretuar përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, Gjykata në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Përkitazi me pretendimin për shkeljen për shkeljen e parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurë

 

  1. Gjykata, fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së, pasi që thekson se atij i është cenuar e drejta për një proces gjyqësor kontradiktor dhe të barabartë, dhe me këtë ai pretendon se është bërë shkelje e parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurën penale.

 

  1. Rrjedhimisht, në dritën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do t’i shtjellojë parimet e përgjithshme të zhvilluara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atë të barazisë së armëve.

 

  1. Parimet e përgjithshme sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atë të barazisë së armëve

 

  1. Gjykata fillimisht thekson se gjykimi i drejtë përfshin të drejtën për gjykimin në pajtim me “parimin e kontradiktoritetit”, parim i cili është i ndërlidhur me parimin e “barazisë së armëve” (shih rastin e GJEDNJ-së: Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi 146). Në këtë kontekst, në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm, veçanërisht në lidhje me rëndësinë që i kushtohet paraqitjeve dhe rritjes së vëmendjes apo ndjeshmërisë së publikut ndaj administrimit të drejtë të drejtësisë (shih rastin e GJEDNJ-së: Borgers kundër Belgjikës, 12005/86, Aktgjykim i 30 tetorit 1991, paragrafi 24).

 

  1. E drejta për procedurë kontradiktore nënkupton në parim mundësinë që palët në një gjykim penal ose civil të kenë njohuri dhe të komentojnë të gjitha provat e paraqitura ose vëzhgimet e paraqitura, madje edhe nga një anëtar i pavarur i shërbimit ligjor kombëtar, me synimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës (shih rastet e GJEDNJ-së: Kress kundër Francës, 39594/98, Aktgjykim i 7 qershorit 2001, paragrafi 74; Ruiz-Mateos kundër Spanjës, nr. 12952/87, Aktgjykim i 23 qershorit 1993, paragrafi 63; McMichael kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 16424/90, Aktgjykim i 24 shkurtit 1995, paragrafi 80; Vermeulen kundër Belgjikës, nr. 19075/91, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996, paragrafi 33; Lobo Machado kundër Portugalisë, nr. 15764/89, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996, paragrafi 31). Kjo kërkesë mund të zbatohet gjithashtu edhe përpara një Gjykate Kushtetuese (shih rastet e GJEDNJ-së: Milatová dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 61811/00, Aktgjykim i 21 qershorit 2005, paragrafët 63-66; Gaspari kundër Sllovenisë, nr. 21055/03, Aktgjykim i 21 korrikut 2009, paragrafi 53).

 

  1. E drejta për procedurë kontradiktore duhet të jetë në gjendje të ushtrohet në kushte të kënaqshme: një palë në procedurë duhet të ketë mundësinë të njihet me provat para gjykatës, si dhe mundësinë për të komentuar ekzistencën, përmbajtjen dhe vërtetësinë e tyre në një formën e duhur dhe brenda një kohe të përshtatshme (shih rastet e GJEDNJ-së: Krčmář dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 35376/97, Aktgjykim i 3 marsit 2000, paragrafi 42; Immeubles Groupe Kosser kundër Francës, Aktgjykim i 21 marsit 2002, paragrafi 26), nëse është e nevojshme duke marrë një shtyrje (shih rastin e GJEDNJ-së: Yvon kundër Francës, nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 prillit 2003, paragrafi 39).

 

  1. Vetë gjykata duhet të respektojë parimin e kontradiktoritetit, për shembull nëse vendos një çështje në bazë të një arsyeje ose kundërshtimi që ajo e ka ngritur me mocionin e saj (shih rastet e GJEDNJ-së: Čepek kundër Republikës Çeke, 9815/10, Aktgjykim i 5 shtatorit 2013, paragrafi 45, dhe krahasoni Clinique des Acacias dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykim i 13 tetorit 2005, paragrafi 38, me Andret dhe të tjerët kundër Francës, nr. 1956/02, Vendim i 25 majit 2004: në këtë rast, Gjykata e Kasacionit informoi palët se ishin parashikuar arsye të reja dhe ankuesit kishin një mundësia për t’u përgjigjur para se të jepte vendimin Gjykata e Kasacionit).

 

  1. Kufizimet: e drejta për procedim kontradiktor nuk është absolute dhe qëllimi i saj mund të ndryshojë në varësi të veçorive specifike të çështjes në fjalë (shih rastin e GJEDNJ-së: Hudáková dhe të tjerët kundër Sllovakisë, nr. 23083/05, Aktgjykim i 27 prillit 2010, paragrafët 26-27), duke iu nënshtruar shqyrtimit të Gjykatës së instancës së fundit (shih rastin e GJEDNJ-së: Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafët 146-147). Në çështjen e përmendur së fundi, GJEDNJ-ja vuri në dukje se procedurat duhej të konsideroheshin si tërësi dhe se çdo kufizim mbi parimet e kundërshtarit dhe të barazisë së armëve mund të ishte kundër balancuar mjaftueshëm nga masa të tjera mbrojtëse procedurale (paragrafët 151-161).

 

  1. Refuzimi për të dëgjuar ndonjë dëshmitar ose për të shqyrtuar provat për mbrojtjen, ndërsa marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe provave për prokurorinë mund të ngrejë një çështje nga këndvështrimi i barazisë së armëve (shih rastet e GJEDNJ-së: Borisova kundër Bullgarisë, nr. 56891/00, Aktgjykim i 21 dhjetorit 2006, paragrafët 47-48; Topić kundër Kroacisë, nr. 51355/10, Aktgjykim i 10 tetorit 2013, paragrafi 48). E njëjta gjë vlen edhe nëse gjykata që vendos refuzon të thërrasë dëshmitarët e mbrojtjes për të sqaruar një situatë të pasigurt që përbënte bazën e akuzave (shih rastin e GJEDNJ-së: Kasparov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 21613/07, Aktgjykim i 3 tetorit 2013, paragrafët 64-65). Rrjedhimisht, në të gjitha rastet e tilla, në përcaktimin nëse procedurat ishin të drejta, Gjykatës mund t’i duhet të zbatojë testin përkatës të përcaktuar në rastin Murtazaliyeva, i cili synon të përcaktojë (1) nëse kërkesa për të marrë në pyetje një dëshmitar ishte mjaftueshëm e arsyetuar dhe relevante për objektin e akuzës; (2) nëse gjykatat vendase e kanë shqyrtuar rëndësinë e asaj dëshmie dhe kanë dhënë arsye të mjaftueshme për vendimin e tyre për të mos marrë në pyetje një dëshmitar në gjykim; dhe (3) nëse vendimi i gjykatave vendase për të mos marrë në pyetje një dëshmitar cenoi drejtësinë e përgjithshme të procedurave (shih rastin e GJEDNJ-së: Abdullayev kundër Azerbajxhanit, nr. 11227/05, Aktgjykim i 11 shkurtit 2010, paragrafët 59-60).

 

  1. Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Gjykata, fillimisht rikujton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit të kontradiktoritetit, ndërlidhet me atë që Aktvendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, pasi që thekson se atij i është cenuar e drejta për një proces gjyqësor kontradiktor dhe të barabartë, dhe me këtë ai pretendon se është bërë shkelje. Ai këtë pretendim e lidh me atë se ai kishte propozuar para gjykatave të rregullta që të caktohet një ekspert për bërjen e një ekspertize për mbrojtje nga zjarri dhe nevojën për të ftuar në seancë ekspertin e caktuar nga gjykata me qëllim të marrjes në pyetje, e cila i mundësohet nga parimi i kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurën penale.

 

  1. Bazuar në parimet e lartcekura që burojnë nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, Gjykata rithekson se parimi i barazisë së armëve, është një parim i garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe gjithashtu, në parim, nënkupton që palët para gjykatës duhet të kenë mundësi të barabarta për të paraqitur dëshmitë përkatëse, duke u siguruar që as parashtruesi përkatës të mos vendoset në disavantazh në raport më prokurorinë dhe anasjelltas. Kjo, bazuar në këtë praktikë gjyqësore, në parim vlen përkitazi me qasjen në të gjitha shkresat dhe provat dhe me mundësinë për të paraqitur dëshmitarë dhe për të kundërshtuar provat e paraqitura para një gjykate.

 

  1. Thënë këtë, dhe përkundër pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se para Gjykatës Themelore, ishin administruar të gjitha provat relevante lidhur me rastin e tij, dhe se Gjykata Themelore ka vendosur duke u bazuar në provat të cilat i ka cilësuar si relevante për rastin.

 

  1. Më saktësisht sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.451/17] të 15 nëntorit 2019, pas vlerësimit të provave, deklaratave të dëshmitarëve, superekpertizës të grupit të ekspertëve të Fakultetit të inxhinierisë Mekanike në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte konstatuar “ […] se aksidenti apo fatkeqësia e datës 24.03.2005 në hapësirën e subjektit afarist “ Unio Commerce” ku humbën jetën punëtorët A.B dhe S.V , është shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së obligimeve të parapara me ligj dhe rregullore nga ana e punëdhënësit “Unio Commerce” dhe si pasojë e moskujdesit dhe mos njohurive të mjaftueshme të punëtorëve A.B dhe S.V të cilët kanë qenë jo kompetent për pastrimin e rezervuarëve”.

 

  1. Edhe Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1.nr.20/2020] kishte konstatuar që aktgjykimi i Gjykatës Themelore kishte paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me kredibilitetin e provave konkrete, përfshirë edhe pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos ftesën e njërit nga ekspertët që e kishin përpiluar ekspertizën, ku lidhur me këtë Gjykata e Apelit theksoi “ […] ndërsa propozimi i mbrojtjes për tu dëgjuar njëri nga ekspertët që kishte përpiluar super ekspertizën nga ana e kolegjit penal të Gjykatës së Apelit të Kosovës është vlerësuar si e panevojshme duke pasur parasysh se përfundimet e grupit të ekspertëve janë të qarta dhe të kuptueshme duke pasur parasysh edhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës”.

 

  1. Po ashtu edhe Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.318/2020] të 22 dhjetorit 2020, kishte dhënë arsyet lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës, ku ndër të tjera kishte theksuar “ […] nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se mungon arsyetimi i duhur ligjor se pse refuzohet propozimi për dëgjimin e së paku njërit nga ekspertët dhe se pse nuk u morr në konsideratë apo pse do ishte e pavend propozimi i mbrojtjes për caktimin e një ekspertizë nga lëmi i kundër zjarrit, pasi që arsyetim qëndron se përfundimet e grupit të ekspertëve janë të qarta dhe të kuptueshme duke pasuar parasysh edhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës si dhe për shkak se mbrojtësi nuk ka qenë i sigurt nëse do ketë pyetje konkrete për anëtarin e grupit të ekspertëve dhe se në tërësi këto propozime të mbrojtjes kanë pasur për qëllim zvarritjen e procedurës penale […]”.

 

  1. Gjykata konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me pretendimin për dëgjim në cilësi të dëshmitarit ndonjërin nga ekspertët të cilët e kanë bërë super-ekspertizën, nuk rezultojnë të jenë të m ‘veshura nga arbitrariteti apo jo proporcionale sepse përmes vendimeve të gjykatave të rregullta shihet se dëgjimi i ekspertit në fjalë nuk kishte qenë i nevojshëm, për arsye se çështja ishte qartësuar përmes super-ekspertizës dhe se nuk kishte asgjë të pakuptueshme lidhur me super-ekspertizën në fjalë. Gjykata po ashtu konsideron se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë mundur që ta shtjellojnë më tepër çështjen e dëgjimit të ekspertit, por kjo në vetvete nuk e bën procesin kundërkushtetues sepse, nga dokumentet në dispozicion, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka marrë përgjigje në substancë ndaj pretendimeve të tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  1. Në këtë kontekst, Gjykata konsideron se përveç se është respektuar parimi i barazisë së armëve dhe i kontradiktoritetit procedural nga këto instanca gjyqësore është respektuar po ashtu edhe parimi i palës së dëgjuar, pasi që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kishin marrë vendim për çështjen, para se t’ua jepte palëve ndërgjyqëse mundësinë për t’i ballafaquar argumentet, provat dhe dëshmitë e tyre, kundruall njëra tjetrës, që ato i konsideronin relevante dhe të favorshme për to, ashtu siç kërkon parimi i barazisë së armëve, si element i të drejtës për gjykim të drejtë, i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së.

 

  1. Gjykata, për më tepër rikujton se, si rregull i përgjithshëm, u takon gjykatave të rregullta që të vlerësojnë dëshmitë si dhe rëndësinë e dëshmive që parashtruesi i kërkesës kërkon t’i nxjerrë. Neni 31.4 i Kushtetutës dhe neni 6. par. 3 (d) i KEDNJ-së ua lë gjykatave të rregullta, vlerësimin nëse është e nevojshme të thirren dëshmitarët. Këto nene nuk kërkojnë praninë dhe marrjen në pyetje të çdo dëshmitari në interes të të akuzuarit (parashtruesit të kërkesës); qëllimi thelbësor i tyre është barazia e plotë e armëve në procesin penal (shih rastet e GJEDNJ-së, Perna kundër Italisë, nr. 48898/99, Aktgjykim i 6 majit 2003, paragrafi 29; Murtazaliyeva kundër Rusisë, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2018, paragrafi 139; Solakov kundër ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr. 47023/99, Aktgjykim i 31 tetorit 2001, paragrafi 57. Neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk i akordojnë të akuzuarit (parashtruesit të kërkesës) të drejtën e pakufizuar të pranisë së dëshmitarëve në gjykatë. Zakonisht u takon gjykatave të rregullta që të vendosin nëse është e nevojshme apo e këshillueshme marrja në pyetje e dëshmitarit (shih rastet e GJEDNJ-së, N. kundër Suedisë, nr. 34209/96, Aktgjykim i 2 korrikut 2002, paragrafi 44; Accardi dhe të tjerët kundër Italisë, nr. 30598/02, Vendim i 20 janarit 2005; dhe rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI01/19, parashtrues i kërkesës Fatos Rizvanolli, Aktvendim për papranueshmëri i 1 tetorit 2020, paragrafi 112).

 

  1. Andaj, nga të gjitha shtjellimet e mësipërme dhe bazuar në parimet e përgjithshme mbi të drejtën për barazi të armëve dhe të kontradiktoritetit procedural, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës është dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe se atij i është dhënë mundësia e ballafaqimit të dëshmive dhe provave gjatë zhvillimit të procedurës pranë gjykatave të rregullta, përfshirë këtu edhe kundërshtimin e ekspertizës. Por, duket se i njëjti thjeshtë nuk është pajtuar me rezultatin e procedurës dhe të gjykimit të çështjes së tij pranë gjykatave të rregullta. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj (shih, rastin e GjEDNj-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02 Aktgjykimi i 26 korrikut 2005).

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradikoritetit, i përket kategorisë së (iii) pretendimeve me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj i njëjti duhet të shpallet qartazi i pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

Kërkesa e parashtruesit për seancë dëgjimore

 

  1. Gjykata vëren se parashtruesi në kërkesën e tij kishte kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës lidhur me kërkesën për seancë dëgjimore arsyeton si në vijim: “në përputhje me Rregullin 39 te Rregullores se Punës se Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, te urdhërojë mbajtjen e seancës dëgjimore”.

 

  1. Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rregullit 42 (1) të Rregullores së punës, i cili parasheh:

 

“Vetëm kërkesat e përcaktuara si të pranueshme mund të dëgjohen para Gjykatës, përveç nëse Gjykata, me shumicë votash, vendos ndryshe pas një arsyetimi të mirë””.

 

  1. Siç është konkluduar më parë, kërkesa e parashtruesit të kërkesës shpallet e papranueshme, prandaj edhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës për seancë dëgjimore duhet të refuzohet.

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullat 39 (2), 42 (1) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 13 tetor 2022, njëzëri:

 

VENDOS

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. TË REFUZOJË kërkesën për seancë dëgjimore;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  1. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe

 

  1. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

Gjyqtari raportues                                                  Kryetarja e Gjykatës Kushtetues

Safet Hoxha                                                                               Gresa Caka Nimani

Parashtruesit:

Zelqif Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale