KI94/22, Parashtrues i kërkesës: Vejsel Rugova, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 160/2022 të 27 prillit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI94/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 tetorit 2022, publikuar më 28 tetor 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar
Për shkak të dyshimit të bazuar se parashtruesi ka kryer veprën penale të “dhunimit” nga paragrafi 6 i nenit 227 në lidhje me paragrafin 1 të nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, prokuroria ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore. Gjykata. Gjykata Themelore nxori një aktgjykim me të cilin e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor. Në procedurën e ankimimit, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin [PKR. nr. 217/2020] e Gjykatës Themelore dhe lëndën penale e ktheu në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim. Në procedurat e përsëritura, parashtruesi i kërkesës është shpallur fajtor në të gjitha instancat.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke pretenduar shkeljen e neneve 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe shkelje të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Gjykata analizoi pretendimet kryesore të parashtruesit, duke zbatuar si praktikën e saj ashtu edhe praktikën e KEDNJ-së, ku konstatoi se parashtruesi e ndërlidh shkeljen e nenit 31 në lidhje me nenin 6 të KEDNJ me vendime të paarsyetuara të gjykatave të rregullta dhe zbatim të gabuar dhe arbitrar të ligjit. Duke marrë parasysh këto pretendime, Gjykata konkludoi se ato janë të pabazuara, duke pasur parasysh se gjykatat e rregullta iu përgjigjën të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke respektuar standardet e së drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor.
Sa i përket shkeljeve të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 të KEDNJ-së, Gjykata gjeti se parashtruesi nuk i arsyeton ato në kërkesë, andaj edhe nuk është marrë me to në aktvendim.
Në fund, Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit si qartazi e pabazuar sipas paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës
Vejsel Rugova
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale