Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 160/2022 të 27 prillit 2022  të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI94/22

Parashtruesit: Vejsel Rugova

Shkarko:

Prishtinë, më 27 tetor 2022

Nr. Ref.:RK 2061/22

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI94/22

 

Parashtrues

 

                                                     Vejsel Rugova

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së

Aktgjykimit Pml. nr. 160/2022 të 27 prillit 2022  të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Vejsel Rugova, i cili është në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Ylli Bokshi, avokat në Komunën e Gjakovës.

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ nr. 160/2022] të 27 prillit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 530/2021] e 12 janarit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [PKR. nr. 217/2020] e 24 majit 2021 të Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 21 [Parimet Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 24 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi me 28 qershor 2022.

 

  1. Më 7 korrik 2022, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. GJR. KI94/22] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).

 

  1. Më 5 korrik 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 19 korrik 2022, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë formularin e plotësuar të kërkesës.

 

  1. Më 28 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në Gjykatë formularin e plotësuar të kërkesës.

 

  1. Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Më 23 nëntor 2020, Prokuroria Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kishte ngritur Aktakuzën [PP/I. nr. 88/2020] kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale “Dhunimi” nga paragrafi 6 i nenit 227 lidhur me paragrafin 1 të nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).

 

  1. Më 24 maj 2021, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 217/2020] e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale të dhunimit në bazë të nenit 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve dhe e obligoi atë të paguajë shpenzimet e procedurës, paushallin gjyqësor si dhe shumën prej 50 euro në emër të Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

 

  1. Më 7 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe shkelje të vendimit lidhur me sanksionin penal.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarës V.J. parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [PKR. nr. 217/2020] të Gjykatës Themelore për shkak të vendimit për çështjen pasurore juridike dhe shkeljes së dispozitave të procedurës penale, me propozimin që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të dëmtuarës t’i kompensohet dëmi i shkaktuar ose që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja penale t’i kthehet Gjykatës Themelore në rigjykim dhe rivendosje.

 

  1. Më 21 qershor 2021, Prokuroria e Apelit në Prishtinë, përmes shkresës [PPAM/I. nr. 238/2021], i propozoi Gjykatës së Apelit që të refuzojë si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, të vërtetojë aktgjykimin e ankimuar të Gjykatës Themelore si dhe të hedhë si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës V.J.

 

  1. Më 7 korrik 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 231/2021] anuloi Aktgjykimin [PKR. nr. 217/2020] e Gjykatës Themelore duke i kthyer çështjen penale gjykatës së shkallës së parë në rigjykim, i vazhdoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës deri në marrjen e një vendimi tjetër si dhe hodhi si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës V.J.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [PAKR. nr. 231/2021] të Gjykatës së Apelit u theksua se aktgjykimi i ankimuar ishte i përfshirë me shkelje esenciale të paragrafit 1, pika 1.12 lidhur me paragrafin 2, pika 2.1 të nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK) dhe lidhur me paragrafët 6 dhe 7 të nenit 370 të KPPRK-së. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, provat personale dhe materiale nuk vërtetonin elementet inkriminuese të veprës penale të dhunimit sepse nuk kishte pasur përdorim të forcës dhe se kishte pasur pëlqim të ndërsjellë në mes të dy palëve.

 

  1. Më 5 nëntor 2021, Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim, përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 93/2021] e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale të dhunimit në bazë të nenit 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve dhe e obligoi parashtruesin e kërkesës të paguajë shpenzimet e procedurës.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [PKR. nr. 93/2021] të Gjykatës Themelore u theksua se pas analizimit të provave ishte vërtetuar gjendja faktike, përkatësisht se parashtruesi i kërkesës kishte kryer veprën penale të dhunimit. Tutje, lidhur me pëlqimin e dhënë nga e dëmtuara, Gjykata Themelore vlerësoi si në vijim:

 

“Gjithashtu për sqarim të “pëlqimit” të dëmtuarës në rastin konkret, do të elaborojmë dispozitën e nenit 225 paragraf 1 nën paragraf 1.1 të KPRK-së, ku parashihet se shprehja “pëlqim” nënkupton “pajtimin e vullnetshëm të personit, i cili ka arrit moshën 16 vjet për të kryer aktin seksual”, e në rastin konkret e dëmtuara kishte vetëm 14 vite e 4 ditë, ishte e strehuar nga i akuzuari, sepse kishte mbet rrugëve dhe nuk kishte nga të shkonte (siç kanë deklaruar edhe e dëmtuara, por edhe vet i akuzuari) dhe në këtë rast pëlqimi i të dëmtuarës nuk mirret parasysh.”

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [PKR. nr. 93/2021] të Gjykatës Themelore duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe shkelje të vendimit lidhur me sanksionin penal. Përmes kësaj ankese, parashtruesi i kërkesës i propozoi Gjykatës së Apelit që të ndryshojë Aktgjykimin e ankimuar duke e liruar atë ose të anulojë Aktgjykimin e ankimuar dhe lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje tek gjykata e shkallës së parë.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarës V.J. parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [PKR. nr. 93/2021] të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vendimit për çështjen pasurore juridike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.

 

  1. Më 12 janar 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 530/2021] refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesit të kërkesës dhe të përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës, vërtetoi Aktgjykimin [PKR. nr. 93/2021] e Gjykatës Themelore dhe hodhi si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës lidhur me shkeljen e dispozitave të procedurës penale.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i ankimuar nuk ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal dhe se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë kishte vërtetuar gjendjen faktike.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 530/2021] të Gjykatës së Apelit duke pretenduar shkelje të ligjit penal dhe shkelje të dispozitave të procedurës penale. Përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, pretendoi se dispozitivi i Aktgjykimit të ankimuar nuk përmbante arsye të mjaftueshme për çështjet kryesore dhe se i ishte pamundësuar argumentimi i pretendimeve të tij, pasi që i ishte refuzuar propozimi për thirrjen e të dëmtuarës në seanca gjyqësore, me arsyetimin se ishte marrë në pyetje në fazat e mëhershme të procedurës. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës theksoi se nuk ka ditur dhe nuk ka mundur të dijë se e dëmtuara ka qenë nën moshën 16 vjeçare dhe se nuk ishte ushtruar forcë pasi që e dëmtuara kishte shprehur pëlqimin e saj.

 

  1. Më 27 prill 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 160/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës ushtruar kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 530/2021] të 12 janarit 2022 të Gjykatës së Apelit.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [Pml. nr. 160/2022] të Gjykatës Supreme, përkitazi me shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, u theksua se dispozitivi i Aktgjykimit të ankimuar ishte i qartë, i kuptueshëm dhe jo në kundërthënie me arsyetimin e Aktgjykimit.

 

  1. Më tej, Gjykata Supreme konstatoi se gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejtë kur nuk ka ftuar të dëmtuarën në shqyrtim gjyqësor pasi ajo ishte marrë në pyetje në fazat e mëhershme të procedurës sipas paragrafit 4 të nenit 112 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur lidhur me nenin 139 të KPPRK-së. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Supreme gjithashtu theksoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës se nuk dinte moshën e të dëmtuarës kishte të bënte me vërtetimin e gjendjes faktike, bazë mbi të cilën nuk mund të ushtrohet kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë. Në fund, Gjykata Supreme konstatoi se sipas pikës 1 të paragrafit 1 të nenit 225 të KPRK-së, pëlqimi tek personi nën moshën 16 vjeçare nuk është relevant dhe se vepra penale ekziston edhe kur personi vullnetarisht pajtohet për kryerjen e aktit seksual.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe shkelje të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.

 

  1. I) Shkeljet e pretenduara të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjatë shqyrtimit gjyqësor para gjykatave të rregullta ka dëshmuar se sipas bindjes së tij e dëmtuara ishte mbi 16 vjeç, që vërtetohet nga dëshmitë e G.R. dhe Z.S. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës thekson se ai është vënë në lajthim dhe se sipas nenit 226 dhe nenit 25 të KPRK-së nuk është penalisht përgjegjës.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës thekson se lidhur me veprën penale për të cilën ai akuzohej, kishte propozuar që e dëmtuara të japë dëshmi gjatë shqyrtimit gjyqësor, mirëpo propozimi i tij ishte refuzuar nga gjykata, e cila ka vepruar në mënyrë arbitrare. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se, “Gjykata Supreme e ka tejkaluar këtë pretendim në procedurën sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, të cilën shkelje është dashur të hetoj dhe sipas detyrës zyrtare”.

 

  1. Më tej, parashtruesi thekson se: Provat materiale nuk vërtetojnë elementet inkriminues të veprës penale të dhunimit, duke pas parasysh karakteristikat e këtyre veprave penale, e posaçërisht të dhunimit, sepse nuk ka pasur përdorim të forcës, si dhe nuk është ushtruar detyrim që të ketë marrëdhënie seksuale, por e njëjta është kryer sikurse rezulton me dëshirë të palëve”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës shton se në rivendosje Gjykata Themelore kishte vendosur në mënyrë identike si në Aktgjykimin e saj paraprak dhe se Gjykata e Apelit kishte harruar vlerësimet e saj të mëhershme duke vendosur ndryshe nga hera e parë, pa dhënë asnjë arsye.

 

  1. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është i paarsyetuar, ku ofrohen vetëm interpretime të dispozitave ligjore, duke konfirmuar kështu faktin se çështja penale ishte bazuar vetëm në deklaratën e të dëmtuarës për moshën e saj. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës i referohet nenit 262 të KPPRK-së dhe thekson se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person duke u mbështetur vetëm në një provë të vetme.

 

  1. Në mbështetje të pretendimit të tij për mungesë të arsyetimit të vendimit, parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të GJEDNJ-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, lidhur me konceptin e mjaftueshmërisë së arsyetimit. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës thekson se: Ndonëse rrethanat e rastit konkret nuk janë të njëjtat me ato të rastit të referuar të GJEDNJ-së, koncepti i “mjaftueshmërisë së arsyetimit” përmes këtij rasti të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së nënkupton qe arsyetimi i vendimeve përkatëse të gjykatave të rregullta, në rrethanat të caktuara, edhe pse jo dëshirueshëm, mund të jetë i mjaftueshëm. Në këtë aspekt, në Aktgjykimin e lartcekur të GJEDNJ-së, kjo e fundit kishte theksuar me sa vijon: “Përderisa një arsyetim më i detajuar do të ishte i dëshirueshëm, Gjykata [GJEDNJ] është e kënaqur që ky [arsyetim] ishte i mjaftueshëm në këto rrethana”.”

 

  1. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se gjykatat e rregullta përmes aplikimit të dispozitave ligjore në mënyrë të gabuar dhe arbitrare kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  1. II) Shkeljet e pretenduara të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 të KEDNJ-së

 

  1. Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të këtyre neneve, por nuk i arsyeton shkeljet e pretenduara të tyre.

 

  1. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi [Pml. nr. 160/2022] i Gjykatës Supreme dhe aktgjykimet e konfirmuara me të nuk janë në pajtueshmëri me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së; (iii) t’ua kumtojë Aktgjykimin palëve; (iv) ta publikojë Aktgjykimin në Gazetën Zyrtare; dhe (v) të deklarojë se Aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë.

 

Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 21

 [Parimet e Përgjithshme]

 

  1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
  2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
  3. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
  4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.

 

Neni 31

 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
  2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
  3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
  5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
  6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
  7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.

 

              KONVENTA EVROPIANE  PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 5

(E drejta për liri dhe siguri)

 

  1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:

 

[…]

 

  1. c) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;

 

 […]

 

  1. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.

 

  1. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm”.

 […]

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

  1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
  2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
  3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
  4. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
  5. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
  6. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
  7. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
  8. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.

 

   

 

KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 26

Lajthimi juridik

 

  1. Personi i cili për shkaqe të arsyeshme nuk e ka ditur ose nuk ka mundur ta dijë se vepra është e ndaluar nuk është penalisht përgjegjës.
  2. Nëse lajthimi ka qenë i evitueshëm, personi është penalisht përgjegjës por dënimi mund të zbutet.
  3. Lajthimi juridik është i evitueshëm nëse çdo person ka mundur lehtësisht që ta dijë se vepra është e kundërligjshme ose nëse kryesi duke marrë parasysh profesionin, thirrjen ose detyrën e tij ka qenë i obliguar ta dijë se vepra është e kundërligjshme.

 

 

 

Neni 225

Përkufizimet lidhur me veprat penale kundër integritetit seksual

 

Për qëllime të këtij kapitulli shprehjet në vijim kanë këtë kuptim:

  1. Shprehja “pëlqim” nënkupton:

1.1. pajtim i vullnetshëm i personit i cili ka arritur moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet për të kryer aktin seksual

             […]

  1. Shprehja “detyrim i personit tjetër në kryerjen e aktit seksual” nënkupton kryerjen e aktit seksual mbi personin tjetër nga kryesi ose cytja e personit tjetër në kryerjen e aktit seksual me kryesin apo me personin e tretë ose cytja e personit të tretë për kryerjen e aktit seksual në personin tjetër.

[…]

 

Neni 227

Dhunimi

 

  1. Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
  2. Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual duke e kanosur me zbulimin e një fakti që do të dëmtonte rëndë nderin ose reputacionin e personit të tillë apo të personit të lidhur ngushtë me personin e tillë, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

[…]

  1. Kur vepra nga paragrafi 1 ose 2 i këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në njëzetë (20) vjet.

      […]

 

 

KODI NR. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKEËS SË KOSOVËS

 

Neni 339

Dëshmitarët nën mbrojtje të veçantë

 

  1. Në shqyrtimin gjyqësor nuk lejohet marrja në pyetje e personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç që është viktimë e veprës penale nga Kapitulli XX i Kodit Penal, nëse dëshmia e tij veç është marrë sipas nenit 132 ose nenit 149 të këtij Kodi dhe nëse trupi gjykues çmon se marrja e sërishme në pyetje nuk është e nevojshme. Nëse dëshmitari i tillë merret në pyetje, trupi gjykues mund të vendosë të përjashtojë publikun.

[…]

Neni 361

Baza e aktgjykimit

 

  1. Gjykata e bazon aktgjykimin vetëm në faktet dhe në provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor
  2. Gjykata detyrohet që me ndërgjegje të vlerësojë çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera, dhe në bazë të vlerësimit të tillë të nxjerrë përfundim nëse fakti konkret është provuar.

 

 

Neni 370

Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit me shkrim

[…]

  1. Gjykata në arsyetimin e aktgjykimit paraqet arsyet për çdo pikë të aktgjykimit.
  2. Gjykata paraqet qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara. Gjykata gjithashtu, në mënyrë të veçantë vlerëson saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimit konkret të palëve, si dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.

[…]

 

Neni 385

Shkelja e ligjit penal

 

  1. Shkelje e ligjit penal ekziston kur:

1.1. vepra për të cilën i akuzuari ndiqet nuk është vepër penale;

1.2. ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale;

1.3. ekzistojnë rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale, e sidomos nëse ndjekja penale është parashkruar ose është përjashtuar për shkak të amnistisë apo faljes, ose më parë është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë;

1.4. lidhur me veprën e gjykuar penale është zbatuar ligji i cili nuk mund të zbatohet;

1.5. në marrjen e vendimit për dënim, dënim alternativ, vërejtje gjyqësore ose në marrjen e vendimit për masën e trajtimit të detyrueshëm për rehabilitim apo për konfiskim të dobisë pasurore të fituar me vepër penale gjykata ka tejkaluar kompetencat ligjore; ose

1.6. janë shkelur dispozitat mbi llogaritjen e paraburgimit dhe të dënimit të mbajtur.

 

Neni 432

Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë

 

  1. Kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka

paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë mund të paraqitet kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastet vijuese:

 

1.1.  në rast të shkeljes së ligjit penal;

 

1.2.  në rast të shkeljes esenciale të ligjit të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1. i

këtij Kodi; ose

 

1.3.  në rast të shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë

ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.

 

  1. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të

gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, as kundër vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës

me të cilën është vendosur mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

 

  1. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni, Kryeprokurori i Shtetit mund të paraqesë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë për cilëndo shkelje ligjore.

 

  1. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet, gjatë procedurës penale e cila nuk ka përfunduar në formë të prerë, vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit.

 

Neni 435

Shqyrtimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nga kolegji i Gjykatës Supreme

 

  1. Për kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë vendos Gjykata Supreme e Kosovës në seancë të kolegjit.

[…]

Neni 436

Favoret e të pandehurit përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë

 

  1. Me rastin e vendosjes mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës kufizohet vetëm në verifikimin e shkeljeve ligjore në të cilat paraqitësi i kërkesës pretendon.

      […]

 

KODI NR. 06/L-006 I DREJTËSISË PËR TË MITUR

 

Neni 112

Veprimet procedurale

 

  1. Nëse fëmija ndaj të cilit është kryer vepra penale sipas nenit 108 të këtij kodi merret në pyetje si viktimë apo dëshmitar, marrja e tillë në pyetje zbatohet më së shumti dy (2) herë, dhe atë si në vijim:

4.1. marrja në pyetje për herë të parë zbatohet me ndihmën e psikologut dhe udhëheqet nga ana e prokurorit të shtetit. Në pamundësi të sigurimit të psikologut, marrja në pyetje zbatohet nga ana e prokurorit, pa prezencën e tij;

4.2. marrja në pyetje për herë të dytë bëhet me ndihmën e psikologut dhe udhëheqet nga ana e gjyqtarit kompetent. Në pamundësi të sigurimit të psikologut, marrja në pyetje zbatohet nga ana e gjyqtarit kompetent, pa prezencën e tij.

             […]

 

 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  1. Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.

 

  1. Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ nr. 160/2021] e Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:

 

“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.

 

  1. Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).

 

  1. Në këtë kontekst, si dhe në tekstin në vazhdim, në mënyrë që të vlerësojë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtoj thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).

 

  1. Gjykata rikujton se esenca e rastit ka të bëj me faktin se parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore për veprën penale të dhunimit të paraparë me Kodin Penal, për të cilën u dënua me 5 (pesë) vjet burgim. Më pas, pas dorëzimit të ankesës nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata e Apelit anuloi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke ia kthyer çështjen penale gjykatës së shkallës së parë në rivendosje. Gjykata Themelore, në rivendosje, përmes Aktgjykimit shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u vërtetua nga Gjykata e Apelit e cila vlerësoi se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë kishte vërtetuar gjendjen faktike. Tutje, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të ligjit penal dhe të dispozitave të procedurës penale, kërkesë e cila u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Supreme.

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon dy lloje të shkeljeve, përkatësisht: I) Shkeljet e pretenduara të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe II) Shkeljet e pretenduara të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 të KEDNJ-së, prandaj, Gjykata do t’i shqyrtojë këto pretendime të parashtruesit të kërkesës veçmas.

 

  1. I) Shkeljet e pretenduara të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

  1. Lidhur me shkeljen e pretenduar të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata thekson se pretendimet të cilat parashtruesi i kërkesës i ngritë në Gjykatë, të njëjtat i ka ngritur edhe para gjykatave të rregullta, pretendime të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mosarsyetim të vendimeve të gjykatave të rregullta dhe zbatim të gabuar e arbitrar të ligjit.

 

  1. Në kuadër të shkeljes së pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata rikujton edhe një herë pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Aktgjykimi [PAKR. nr. 530/2021] i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi [Pml. nr. 160/2022] i Gjykatës Supreme nuk ishin arsyetuar. Kjo për faktin se, sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit nuk kishte sqaruar se pse herën e dytë kishte vendosur ndryshe nga hera e parë ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur duke u bazuar në një provë të vetme, përkatësisht në deklaratën e të dëmtuarës për moshën e saj.

 

  1. Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih rastet e Gjykatës, KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 202, paragrafi 136 dhe KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, paragrafi 44).

 

  1. Fillimisht, Gjykata i referohet praktikës së GJEDNJ-së, e cila ka vlerësuar se, edhe pse autoritetet gëzojnë liri të konsiderueshme në zgjedhjen e mjeteve të përshtatshme për të siguruar që sistemet e tyre gjyqësore të jenë në përputhje me kërkesat e nenit 6.1 të KEDNJ-së, gjykatat e tyre duhet “të tregojnë me qartësi të mjaftueshme arsyet në të cilat ato bazuan vendimin e tyre” (shih rastin e GJEDNJ-së, Hadjianastassiou kundër Greqisë, nr. 12945/87, Aktgjykim i GJEDNJ-së i 16 dhjetorit 1992, paragrafi 53; shih gjithashtu rastet e Gjykatës, KI230/19, cituar më lart, paragrafi 136; KI87/18, cituar më lart, paragrafi 44; dhe KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 17 majit 2018, paragrafi 54).

 

  1. Në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, edhe kjo Gjykatë në një mori rastesh, ka theksuar se megjithëse gjykatat nuk janë të detyruara të adresojnë të gjitha pretendimet e parashtruara nga parashtruesit e kërkesave, gjykatat kanë për obligim të adresojnë pretendimet thelbësore për rastet para tyre (shih rastin e Gjykatës, KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 51).
  2. Në shqyrtimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me mungesën e arsyetimit të Aktgjykimit [PAKR. nr. 530/2021] të Gjykatës së Apelit, Gjykata rikujton se Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj kishte theksuar se: Kolegji i kësaj gjykate, e ka vlerësuar aktgjykimin e ankimuar, ankesat e ushtruara, si dhe shkresat e tjera, të lëndës, dhe ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljet e ligjit penal, se gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike, e cila është vërtetuar nga provat e administruara dhe të vlerësuara në shkresat e lëndës […]”.

 

  1. Tutje, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Aktgjykimi [ nr. 160/2022] i Gjykatës Supreme ishte i përcjellë me mungesë të arsyetimit në të cilin jepeshin vetëm interpretime ligjore dhe se ishte i bazuar vetëm në deklaratën e të dëmtuarës, Gjykata rikujton se në arsyetimin e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme ishte theksuar si në vijim:

 

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme te Kosovës, pretendimet nga kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk janë të bazuara dhe gjen se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë i kuptueshëm dhe i njëjti nuk është në kundërthënie as me vetë veten e as me arsyetimin e aktgjykimit. Në arsyetim janë dhënë të gjitha arsyet ligjore për faktet dhe provat të cilat janë administruar në shqyrtimin gjyqësor duke i përfshirë edhe provat kontradiktore si dhe duke dhënë arsye ligjore se për çfarë arsye i ka dhënë besimin provave dhe fakteve vendimtare mbi bazën e të cilave është marr vendimi meritore në këtë çështje penale. Kjo gjykatë gjen se edhe gjykata e shkalles së dytë ka dhënë arsye te mjaftueshme dhe pse i ka pranuar te gjitha arsyet mbi bazën e te cilave është marr vendimi e të cilat i pranon edhe kjo gjykatë.”

 

  1. Parashtruesi i kërkesës si para Gjykatës ashtu edhe para gjykatave të rregullta ka pretenduar se nuk ka pasur njohuri mbi moshën e të dëmtuarës. Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata sjell në vëmendje arsyetimin e Gjykatës Supreme në Aktgjykimin e kontestuar ku është theksuar se fakti se a ka pasur parashtruesi i kërkesës njohuri për moshën e të dëmtuarës në kohën e kryerjes së veprës penale ka të bëjë me vërtetim të gjendjes faktike, për çka sipas paragrafit 2 të nenit 432 të KPPRK-së nuk mund të ushtrohet kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.

 

  1. Më tej, Gjykata rikujton se lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për refuzimin e propozimit të tij për të thirrur të dëmtuarën të japë dëshmi gjatë shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar kishte theksuar se: “…drejtë ka vepruar gjykata e shkallës së parë kur nuk e ka ftuar të dëmtuarën në asnjë shqyrtim gjyqësor, ngase e njëjta është marrë në pyetje në fazat e më hershme të procedurës duke u bazuar në nenin 112 par. të Kodit të Drejtësisë për të Mitur lidhur me nenin 339 par. 1 të KPPK-së, ku e mitura është dëgjuar konform dispozitës së nenit 139 të KPPK dhe trupi gjykues ka konsideruar se nuk ka nevoje që të dëgjohet edhe një herë”.

 

  1. Gjykata gjithashtu vëren se lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesën e ushtrimit të forcës në kryerjen e veprës penale, Gjykata Supreme kishte vlerësuar si në vijim:

 

“Sa i përket pretendimit se vepra penale e dhunimit nënkupton përdorimin e forcës dhe detyrimit dhe kryhet pa pëlqimin e të dëmtuarit, Gjykata Supreme gjeti se me nenin 227 par. 1 të KPRK parashihet se këtë vepër penale e kryen “kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e tij”. Mirëpo, me nenin 225 par. 5 të KPRK parashihet se “shprehja ‘detyrim i personit tjetër në kryerjen e aktit seksual nënkupton kryerjen e aktit seksual mbi personin apo me personin tjetër ose cytja e personit të tretë për kryerjen e aktit seksual në personin tjetër”. Andaj, sipas kësaj dispozite detyrimi nuk nënkupton përdorimin e forcës apo “detyrimit” ashtu siç pretendohet në kërkesë”.

 

  1. Ndërkaq, sa i përket pretendimit për ekzistimin e pëlqimit reciprok ndërmjet tij dhe të dëmtuarës, Gjykata rikujton se Gjykata Supreme kishte konstatuar se: Pretendimi tjetër ishte se vepra duhet te kryhej pa pëlqimin e të dëmtuarës, pretendim ky i cili nga kjo gjykatë po ashtu nuk u aprovua. Kjo për arsye se në bazë të nenit 225 par. 1.1 të KPRK shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit i cili ka arritur moshën 16 vjet për të kryer aktin seksual. Nga kjo dispozitë kuptohet se për personin i cili nuk ka arritur moshën 16 vjet, pëlqimi është irelevant dhe vepra penale ekziston edhe kur ai person vullnetarisht pajtohet për kryerjen e aktit seksual”.

 

  1. Më tutje, lidhur me rastin e GJEDNJ-së të cilit i është referuar parashtruesi i kërkesës, Gjykata vlerëson se rasti konkret dallon dukshëm nga rrethanat faktike dhe juridike të rasteve në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Gjykata vëren se të gjitha pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, ishin trajtuar dhe kishin marrë një përgjigje nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e shkallës më të ulët.

 

  1. Nën dritën e asaj që u tha më lart, Gjykata arrin në përfundimin se Aktgjykimi [ nr. 160/2022] i 27 prillit 2022 i Gjykatës Supreme, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, janë të qartë dhe adresojnë esencën e pretendimeve thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se arsyetimi i dhënë nga Gjykata Supreme i plotëson të gjitha standardet e nevojshme të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për një vendim gjyqësor të arsyetuar.

 

  1. Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës gjithashtu ka pretenduar që vendimet e gjykatave të rregullta janë përcjellë me zbatim të gabuar ose arbitrar të ligjit.

 

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjit, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ (shih: në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues: Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues: Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues: Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).

 

  1. Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë faktet që kanë bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18, cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, cituar më lart, paragrafi 58).

 

  1. Gjykata Kushtetuese vetëm mund të shqyrtojë nëse në një proces provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë zhvilluar në mënyrë të atillë që parashtruesi i kërkesës të ketë pasur gjykim të drejtë (shih rastin e GJEDNJ-së, Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 13071/87, Raporti i Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut i miratuar më 10 korrik 1991).

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi, dhe si rrjedhojë procedura, shikuar në tërësinë e saj, ishte e drejë (shih: mutatis mutandis, Aktgjykimin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, të 21 janarit 1999, nr. 30544/96, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42, si dhe rastin e Gjykatës KI128/18, cituar më lart, paragrafi 58).

 

  1. Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të interpretimit të gabuar dhe zbatimit të gabuar të ligjit të zbatueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”, dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39.

 

  1. II) Shkeljet e pretenduara të neneve 21 [Parimet e përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 të KEDNJ-së

 

  1. Sa i përket shkeljes së pretenduar të neneve 21 [Parimet e përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpallë kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:

 

  1. kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih rastet e GJEDNJ-së, Trofimchuk kundër Ukrainës, 4241/03, Vendim i 31 majit 2005 dhe Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008);

 

  1. kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës, KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janar 2021, paragrafi 42).

 

  1. Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës thjesht pretendon shkelje të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, por ai nuk arsyeton, përkatësisht nuk shpjegon fare se si në rastin e tij ka ardhur deri te shkelja e këtyre të drejtave.

 

  1. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi i neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së dhe përmendja e tyre nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastin e Gjykatës, KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52).

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 (E drejta për ligji dhe siguri) të KEDNJ-së, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një dispozitë të KEDNJ-së, pa shpjeguar se si ajo është shkelur.

 

Përfundim

 

  1. Në fund, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, që ndërlidhen me pohimet e parashtruesit të kërkesës se ka pasur interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”, dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; dhe se pretendimet (ii) që ndërlidhen me pohimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 21 dhe 24 të Kushtetutës, si dhe nenit 5 të KEDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara“. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 12 tetor 2022, njëzëri

 

VENDOS 

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Gjyqtari raportues                                             Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Radomir Laban                                                               Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Vejsel Rugova

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale