Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit PPC. nr. 4/2015 të 10 dhjetorit 2015 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI 54/22

Parashtruesit: Nexhmi Uka

Shkarko:

KI54/22, Parashtrues: Nexhmi Uka, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit PPC. nr.4/2015 të 10 dhjetorit 2015 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI54/22, Aktvendim i 19 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022

Fjalët kyçe: ndërprerje e marrëdhënies së punës, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit, jashtë afatit ligjor

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesit të kërkesës, menaxher i restoranteve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Komunale për anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Gjykata Komunale, përmes aktgjykimit, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte anuluar vendimin në fjalë, aktgjykim i cili u vërtetua më pas nga Gjykata e Qarkut. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, të cilin kjo e fundi e kishte aprovuar si të bazuar duke ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Komunale dhe Gjykatës së Qarkut, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar propozim për përsëritjen e procedurës së përfunduar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, propozim i cili ishte refuzuar nga Gjykata Supreme si rezultat i mos-plotësimit të kushteve ligjore.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës si dhe të drejtës së punës dhe ushtrimit të profesionit të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së arsyetimit bindës nga Gjykata Supreme.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujtoi se sipas dispozitave përkatëse të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve, afat i cili fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor i fundit.  Në rastin konkret, Gjykata konstatoi se nga fletkthesa dëshmohej që parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë 6 (gjashtë) vite pas pranimit të aktit të kontestuar, rrjedhimisht, kërkesa është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.

Prandaj, Gjykata vendosi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme pasi që nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nexhmi Uka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile