KI234/21, Parashtrues: N.P.N “Çlirimi”, Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Njoftimit [KMLC.nr.88/2021] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 20 gushtit 2021; dhe Aktvendimit [Ac.nr.4662/20], të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të 25 majit 2021
KI234/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 8 qershorit 2022, publikuar më 29 qershor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, kërkesë e paafatshme
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës si pronar i kompanisë N.P.N “Çlirimi” ka një kontest me kompaninë Excom Sh.p.k me seli në Prishtinë, ku pretendon që Excom nuk ia ka paguar borxhin në shumë prej 3,992,708.44 ( tre milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tetë euro e dyzet e katër cent) euro. Parashtruesi i kërkesës kishte bërë propozim për përmbarim tek Përmbaruesi Privat Fadil Hoxha, përmbarues për territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku kishte kërkuar që të aprovohet propozimi për përmbarim ndaj debitorit Excom, për realizimin e kërkesës në të holla në shumën prej 3,992,708.44 ( tre milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tetë euro e dyzet e katër cent) euro. 11. Përmbaruesi privat përmes urdhërit përmbarimor [P.nr.695/2018], aprovoi propozimin për përmbarim të parashtruesit të kërkesës, ku caktoi përmbarimin dhe obligoi debitorin Excom që parashtruesit të kërkesës t’ia paguaj shumën prej 3,992,708.44 ( tre milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tetë euro e dyzet e katër cent) euro, me kamate ligjore nga dita e lejimit të përmbarimit e gjerë ne pagesën definitive, në emër të mos pagesës te borxhit që rrjedhë nga faturat e përmendura në propozimin për përmbarim te kreditorit, si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore. Debitori Excom kishte paraqitur prapësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër urdhërit të përmbaruesit privat, ku Gjykata Themelore ia aprovoi prapësimin dhe shfuqizoi urdhërin e përmbaruesit privat. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore, ku kërkoi që të ndryshohet Aktvendimi i Gjykatës Themelore dhe urdhëri i përmbaruesit të vërtetohet. Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit te kërkesës. Më tej parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku kjo e fundit nuk e aprovoi propozimin për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se Aktvendimi i Gjykatës Themelore [PPP.nr.737/18], Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/20] dhe Njoftimi [KMLC.nr.88/2021] i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Tutje parashtruesi i kërkesës theksoi se ishte dëmtuar rëndë me aktvendimet e Gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë, dhe se për këtë arsye i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me propozimin për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, mirëpo sipas tij Prokurori i Shtetit përmes Njoftimit KMLC, Nr. 88/2021, të 20 gushtit 2021 e ka njoftuar parashtruesin e kërkesës se nuk ekzistojnë arsyet e mjaftueshme ligjore për ngritjen e Kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë te parapara me nenin 247, parag. 247.1, pika a) dhe pika b) te Ligjit për Procedurën Kontestimore, kështu që sipas parashtruesit “për këtë arsye kam vendosur që të parashtroje këtë kërkesë ne Gjykatën Kushtetuese, për shkak shkeljes së ligjit në fuqi në dëmë të kreditorit dhe shkeljes se të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, ndër të tjera, ritheksoi se Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesit. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vërejti se në rastin konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me ligjshmërinë e Urdhrit përmbarimor [P.nr.695/2018] dhe çështjen e përmbarimit të faturave kontestuese ishte zhvilluar para dy instancave gjyqësore, Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, që kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/20] të 25 majit 2021.
Sipas nenit 68 (Mjetet e jashtëzakonshme juridike) të Ligjit për Procedurën Përmbarimore parashihet se “nuk lejohen revizioni dhe përsëritja e procedurës ne procedurën përmbarimore“. Andaj, parashtruesi i kërkesës nuk kishte mjet juridik në dispozicion, që mund të përdorte “personalisht” për të sfiduar Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, para Gjykatës Supreme. Megjithatë, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozimin që kjo e fundit të paraqesë në emër të parashtruesit të kërkesës, kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Lidhur me këtë, Gjykata thekson se kjo kërkesë është plotësisht diskrecionale për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Më konkretisht, lidhur me propozimet e ngjashme, siç është propozimi që bëhen para Zyrës së Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para organeve gjyqësore në emër të parashtruesve të kërkesave, GJEDNJ kishte trajtuar në rastin Lepojić kundër Serbisë. Në këtë rast, GJEDNJ kishte vlerësuar nëse propozimi i paraqitur para prokurorit të shtetit duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë është mjet efektiv, ku kishte deklaruar se “[GJEDNJ] gjen se është vetëm prokurori i shtetit ai që mund të dorëzoj [kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë] në emër të parashtruesit, dhe, për më tepër, ky i fundit ka diskrecion nëse dëshiron të bëjë një gjë të tillë. Përderisa parashtruesi i kërkesës mund të kërkoj një veprim të tillë të prokurorit, ai nuk ka të drejtë sipas ligjit për të përdorur një mjetë të tillë juridik [kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë] personalisht […] Kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë, për këtë arsye, ishte jo efektive […]”.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se në Njoftimin [KMLC.nr.88/2021] i 20 gushtit 2021, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informoi parashtruesin e kërkesës se ishte refuzuar propozimi i tij për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PPP.nr.783/2019] të 24 korrikut 2020 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/2020] të 25 majit 2021, pasi konsideroi se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë sepse sipas Ligjit të Procedurës Kontestimore përkatësisht sipas dispozitës së nenit 247.1 pika a) dhe pika b).
Andaj, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, Gjykata rikujton se, në rastin konkret, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përmes Prokurorit të Shtetit, përveç që është në diskrecionin e këtij të fundit, do të mund të ngritët nga Prokurori Shtetit vetëm nëse plotësohen kushtet e caktuara ligjore. Gjithashtu, pretendimet e parashtruesit të kërkesës kanë të bëjnë më mënyrën se si Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kanë zbatuar ligjin kur kanë vendosur lidhur me ligjshmërinë e Urdhrit të përmbarimit, dhe statusin ligjor të faturave të kontestuara. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk paraqet pretendime specifike lidhur me Njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, por paraqet para Gjykatës të njëjtat pretendime që i paraqet ndaj Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/2020], pretendime, të cilat Zyra e Kryeprokurorit nuk ka pasur juridiksion t‘i adresojë sepse ajo vetëm ka kompetencë të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme dhe jo të vlerësojë shkeljet ligjore të bëra nga Gjykata e Apelit. Andaj, lidhur me këto pretendime, në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, [Ac.nr.4662/2020] të 25 majit 2021, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata vlerësoi se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit, lidhur me procedurat që ndërlidhen me faturat e kontestuara për të cilat ishte lëshuar Urdhri përmbarimor, konsiderohet Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/2020] i 25 majit 2021, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kudër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PPP.nr.783/2019] të 24 korrikut 2020. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujtoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/2020] ishte nxjerrë më 25 maj 2021. Në faqen e parë të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit i cili gjendet në shkresat e lëndës parashtruesi ka shkruar datën e pranimit të tij, e që rezulton të jetë 21 qershor 2021. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktvendimit dhe të datës së parashtrimit të kërkesës së tij, më 29 dhjetor 2021, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.
Si pasojë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4662/2020] të 25 majit 2021, ishte dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Mbi bazën e arsyetimeve te mësipërme, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit te kërkesës ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 te Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) te Rregullores se punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
N.P.N “Çlirimi”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit