KI44/21, parashtruese: Besa Sopi; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Akt-gjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0091 të 21 janarit 2021KI44/21, Aktgjykim i 1 shkurtit 2022, publikuar më 5 prill 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mungesë e seancës dëgjimore, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me privatizimin e Ndërmarrjes Shoqërore NSH “KBI Suhareka” në Suharekë dhe të drejtën përkatëse të punëtorëve për t’iu njohur të ardhurat personale të papaguara nga periudha para privatizimit, siç është e përcaktuar me Shtojcën e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe me paragrafin 4 të nenit 10 (Të drejtat e të punësuarve) të Rregullores nr. 2003/13 e të ndryshuar me Rregulloren nr. 2004/45.
Parashtrueses së kërkesës nuk i është miratuar kërkesa për pagesën e të ardhurave personale të realizuara para fillimit të privatizimit të NSH “KBI Suhareka”. Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kjo ankesa u refuzua. Si rezultat i kësaj, parashtruesja e kërkesës paraqiti padi në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me të cilën e kontestoi vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kuptim të vërtetimit të fakteve dhe interpretimit të ligjit, duke theksuar gjithashtu se ajo ishte diskriminuar.
Kolegji i Specializuar nuk mbajti seancë publike me arsyetimin se “Në bazë të Nenit 76.3 të Ligjit mbi Dhomën e Posaçme, lidhur me Nenin 399 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore, Gjykata përcakton se faktet relevante të rastit janë të pakontestueshme dhe nxjerr këtë aktgjykim pa caktuar seancë dëgjimore“. Duke vepruar në bazë të ankesës së parashtrueses së kërkesës ndaj këtij aktgjykimi, në janar 2021, Kolegji i apelit nxori aktgjykimin e kontestuar me të cilin e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, si të pabazuar, dhe e vërtetoi aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar duke arsyetuar që, “Në bazë të nenit 69.1 të Ligjit nr. 06/L-086 mbi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (LDHP), Kolegji i Apelit vendosi të mos mbajë pjesën gojore e procedurës”. Parashtruesja e kërkesës e konteston këtë aktgjykim para Gjykatës, duke theksuar se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 1 Të Protokollit nr. 12 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Lidhur me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Kolegji i Apelit e ndryshoi aktgjykimin e Kolegjit të specializuar (i) pa seancë dëgjimore; (ii) pa vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të qartë; (iii) duke shkelur parimin e ndalimit të përgjithshëm të diskriminimit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata u fokusua në pretendimet që kishin të bënin me mungesën e seancës dëgjimore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe në atë kontekst, (i) së pari i shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën në seancë dëgjimore që është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata në bazë të pesë (5) aktgjykimeve të saj në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi“ si dhe në rastin e Gjykatës që ka të bëjë me privatizimin e ish-NSH “SHARR”, si dhe, ndër të tjera, në bazë të aktgjykimit të Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, sqaroi parimet kryesore përkitazi me (i) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së parë; (ii) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së dytë dhe të tretë; (iii) parimet në bazë të të cilave duhet të vërtetohet se a është seanca dëgjimore e domosdoshme; dhe (iv) nëse nuk ekziston seanca dëgjimore në shkallën e parë, a mund të korrigjohet me mbajtjen e seancës dëgjimore në një shkallë më të lartë dhe kriteret relevante për bërjen e këtij vlerësimi. Përveç kësaj, Gjykata konkretisht shqyrtoi dhe zbatoi praktikën e saj gjyqësore si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në bazë të së cilës bëhet vlerësimi se a mund të konsiderohet mungesa e kërkesës për seancë dëgjimore, heqje dorë e heshtur nga palët, nga ajo e drejtë.
Në bazë të këtyre parimeve, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC-I-20-0091] i 21 janarit 2021, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kuptim të së drejtës në seancë dëgjimore, ndër të tjera, për shkak se (i) fakti që parashtruesja e kërkesës nuk ka kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Specializuar dhe atij të Apelit, nuk nënkupton heqjen dorë të saj nga kjo e drejtë dhe as nuk e liron Kolegjin e Apelit nga detyrimi që të trajtojë me nismën e vet domosdoshmërinë e mbajtjes së një seance dëgjimore; (ii) parashtrueses së kërkesës i është mohuar e drejta në seancë dëgjimore në dy nivele të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme; (iii) Kolegji i Apelit nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”; (iv) Kolegji i Apelit nuk kishte shqyrtuar çështje “të fakteve dhe të ligjit”, si çështje shqyrtimi i të cilave, në parim, kërkon mbajtjen e seancës dëgjimore; dhe (v) Kolegji i Apelit nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca dëgjimore”.
Si rezultat i kësaj, Gjykata konstatoi se aktgjykimi i lartpërmendur i Gjykatës Supreme duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe t’i kthehet Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në rivendosje. Gjykata gjithashtu e theksoi faktin se konstatimi nga ana e saj, i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me mungesën e seancë dëgjimore dhe se në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Besa Sopi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Tjetër