KI156/20, Parashtrues: Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac. Nr. 5514/18 të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 13 majit 2019 dhe Aktvendimit Cml. Nr. 8/2019 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 17 qershorit 2020
KI156/20, Aktgjykim i 3 marsit 2022, publikuar më 5 prill 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për gjykatë të themeluar me ligj, e drejta për vendim të formës së prerë apo res judicata, paanshmëria e ekspertëve, barazia e armëve
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me dy procedura të zhvilluara përmbarimore që ndërlidhen me mospagesën e borxhit që del nga Marrëveshjet për Kredi, të lidhura në mes parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e kreditorit dhe Kompanisë NTP Unio Commerce, në cilësinë e Debitorit.
Procedura e parë, e cila bazohej në Ligjin nr. 03/L-008 për Procedurën Përmbarimore (tanimë i shfuqizuar), ishte iniciuar nga parashtruesi i kërkesës më 29 mars 2013, me ç‘rast kishte paraqitur dy (2) propozime për përmbarim të hipotekave, respektivisht (i) propozimin për përmbarim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik; dhe (ii) propozimin për përmbarim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjegjësisht në territoret ku ndodheshin hipotekat. Si rezultat i kontestimit të ekspertizës të ofruar në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga ana e Debitorit dhe kërkesës së këtij të fundit për caktimin e super-ekspertizës, kjo gjykatë kishte vendosur që për përgatitjen e super-ekspertizës të caktohen tre (3) ekspertë nga lëmi i financave të Fakulteti Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Super-ekspertiza përkatëse ishte dorëzuar më 30 tetor 2015. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar tërheqjen e propozimeve të tij për përmbarim ndaj Debitorit, dhe për pasojë, procedurat përmbarimore në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik dhe në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kishin përfunduar më 25 nëntor 2014 dhe më 17 dhjetor 2015, respektivisht.
Më 6 janar 2016, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurë të re përmbarimore, e cila bazohej në Ligjin nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, në të cilin procedurë kishte paraqitur propozimin për përmbarim të borxhit ndaj Debitorit te Përmbaruesi Privat F.H, përkatësisht përmbarimin e hipotekave për paluajtshmëritë e regjistruara në Komunën e Ferizajt, i cili propozim në përmbajtjen e tij përfshinte të njëjtën kërkesa si ato të specifikuara në propozimin e mëhershëm për përmbarim, të iniciuar më 29 mars 2013 në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe të përfunduar më 17 dhjetor 2015, si rezultat i kërkesës për tërheqje. Përmbaruesi Privat kishte lejuar përmbarimin e borxhit, kundër të cilit Debitori kishte paraqitur prapësim në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Si rezultat i ankesës së Debitorit kundër Konkluzionit të Përmbaruesit Privat, ndër tjerash, (i) për të caktuar Kompaninë Deloitte për përllogaritjen e borxhit; dhe (ii) kërkesës së tij parashtruar Gjykatës Themelore në Ferizaj që ta bëjë precizimin e borxhit, bazuar në superekspertizën e 30 tetorit 2015 të Fakultetit Ekonomik, Gjykata Themelore kishte vendosur që të pranojë si pjesërisht të bazuar prapësimin e Debitorit, duke lënë në fuqi juridike Urdhrin për përmbarim, por në vlerën e borxhit të përllogaritur përmes ekspertizës të Fakultetit Ekonomik. Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar këtë vendim në Gjykatë të Apelit, dhe kjo e fundit, kishte kthyer cështjen në rivendosje, duke theksuar, ndër tjerash, se, Gjykata Themelore në Ferizaj ka qenë e obliguar që në seancën e saj shqyrtuese t’i ftojë ekspertët në mënyrë që t’iu mundësojë palëve parashtrimin e pyetjeve në lidhje me ekspertizën. Në rivendosje në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjatë periudhës 27 nëntor 2017 deri në nxjerrjen e Aktvendimit të saj, ishin mbajtur tetë (8) seanca dëgjimore publike, në disa prej të cilave kishin marrë pjesë edhe grupi i ekspertëve të caktuar nga Fakulteti Ekonomik. Në seancën e fundit dëgjimore të mbajtur në këtë gjykatë, parashtruesi i kërkesës për herë të parë kishte kontestuar kompetencën territoriale të Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke pretenduar se kompetente për të vendosur në këtë procedurë përmbarimore është Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik, përkatësisht gjykata ku gjendet selia e Debitorit. Gjykata Themelore në Ferizaj përmes Aktvendimit, ndër tjerash, kishte vendosur që të lihet në fuqi Urdhri për Përmbarim, me shumën e përllogaritur të borxhit përmes ekspertizës të Fakultetit Ekonomik. Ky vendim, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit më 13 maj 2019. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës në Prokurorinë e Shtetit kishte parashtruar propozim për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë duke kontestuar çështjen e kompetencës territoriale dhe caktimin e tre (3) ekspertëve të Fakultetit Ekonomik për përllogaritjen e borxhit. Prokurori i Shtetit parashtroi në Gjykatën Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë sa i përket pretendimit përkitazi me kompetencën territoriale të gjykatës, duke vlerësuar se ”kompetenca territoriale i ka takuar Gjykatës Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik e jo Gjykatës Themelore në Ferizaj.” Më 17 qershor 2020, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit refuzoi si të pabazuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe vërtetoi se Gjykata Themelore në Ferizaj, ishte kompetente për të vendosur në këtë procedurë përmbarimore.
Këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të së drejtës së tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me theks në: (i) shkeljen e parimit të gjykatës së themeluar me ligj; (ii) shkeljen e së drejtës për siguri juridike dhe respektim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë; si dhe (iii) shkeljen e paanshmërisë së gjykatës, si rezultat i paanshmërisë së ekspertëve të Fakultetit Ekonomik.
Së pari, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me gjykatën e themeluar me ligj, si rezultat i mungesës së kompetencës territoriale të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gjykata në mënyrë të detajuar elaboroi parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, sipas së cilave, gjykatë “e themeluar me ligj” nënkupton jo vetëm bazën ligjore për vetë ekzistencën e “gjykatës” por edhe respektimin nga gjykata të rregullave të veçanta në bazë të të cilave funksion e njëjta. Përtej këtyre parimeve, Gjykata iu referua edhe ligjit të aplikueshëm, në rëndësinë e të cilit vë theks edhe praktika gjyqësore e lartcekur, përkatësisht nenit 22 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, që i referohet procedurës kur një gjykatë mund të shpallet jokompetente në pikëpamje territoriale dhe interpretimit të të njëjtit nga ana e Gjykatës së Apelit dhe ajo Supreme, të cilat kishin theksuar se në procedurë përmbarimore gjykatat mund të shpallen jokompetente në pikëpamje territoriale në dy rrethana, gjegjësisht në këtë procedurë përmbarimore (i) me anë të përgjigjes në prapësim; dhe (ii) sipas detyrës zyrtare nëse ekziston kompetencë ekskluzive e ndonjë gjykate tjetër. Në rrethanat e rastit konkret, cështje e kompetencës territoriale nuk ishte ngritur përmes përgjigjes në prapësim, dhe sipas interpretimit të gjykatave të rregullta, nuk ishin plotësuar kushtet që gjykatat të vepronin sipas detyrës zyrtare. Andaj, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me gjykatën e themeluar me ligj në rrethanat e rastit, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, konstatoi se Gjykata Themelore në Ferizaj është “gjykatë e themeluar me ligj” ashtu siç përcaktohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Së dyti, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i mosrespektimit të vendimit të formës së prerë, të cilin parashtruesi i kërkesës e konsideron vendimin e fundit në procedurën e parë përmbarimore, në të cilën parashtruesi i kërkesës kishte tërhequr propozimin e tij për përmbarim, Gjykata shtjelloi parimet themelore të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe asaj të Gjykatës, përkitazi me parimin e plotfuqishmërisë së vendimeve të formës së prerë. Megjithatë, Gjykata konstatoi se të njëjtat parime nuk ishin të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret, pasi ajo procedurë kishte përfunduar si rezultat i tërheqjes së propozimit për përmbarim nga vetë parashtruesi i kërkesës.
Së treti, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të paanshmërisë së gjykatës, si rezultat i caktimit të ekspertëve në procedurë përmbarimore, Gjykata gjithashtu shtjelloi dhe pastaj aplikoi parimet dhe kriteret themelore të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, sipas së cilave, e drejta për një gjykim të drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk kërkon domosdoshmërisht që një ekspert i dëgjuar nga një “gjykatë” të përmbushë të njëjtat kërkesa për pavarësi dhe paanshmëri si vetë gjykata, megjithatë, mungesa e paanshmërisë nga ana e një eksperti të caktuar nga gjykata, mund në rrethana të caktuara, të rezultojë në shkelje të parimi të barazisë së armëve, parim ky i qenësishëm në kontekst të një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Mbi bazë e këtyre parimeve, sa i përket pretendimit për (i) mungesë të paanshmërisë së ekspertëve, Gjykata gjeti se parashtruesi i kërkesës nuk mbështet mjaftueshëm “dyshimet legjitime” për mungesë të paanshmërisë së tyre dhe as pse të njëjtat mund të jenë “objektivisht të justifikueshme” në rrethanat e rastit konkret; dhe (ii) gjatë procedurës së zhvilluar pranë Gjykatës Themelore, në veçanti në procedurë të rivendosjes, parashtruesi i kërkesës ka patur mundësi efektive pjesëmarrjeje dhe kontestimi të raportit të përgatitur nga këta ekspertë; Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi pretendimi i parashtruesit të kërkesës për mungesë të paanshmërisë së ekspertëve nuk rezulton në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përfundimisht, mbështetur në rrethanat e rastit konkret dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata njëzëri shpalli kërkesën e pranueshme dhe me shumicë votash konstatoi se, Aktvendimi [CLM. nr. 8/2019] i 17 qershorit 2020 i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Aktvendimi [Ac. nr. 5514/18] i 13 majit 2019 i Gjykatës së Apelit të Kosovës, janë në pajtueshmëri me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C.
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile