Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Akgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 80/2021, të 15 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 203/21 dhe KI 205/21

Parashtruesit: Nexhmije dhe Sahit Kabashi

Shkarko:

KI203/21 dhe KI205/21, Parashtrues: Nexhmije dhe Sahit Kabashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 80/2021, të 15 qershorit 2021

KI203/21 dhe KI205/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 9 marsit 2022, publikuar më 1 prill 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, e drejta në pronë, kërkesë qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes

Parashtruesit e kërkesës në rastin KI205/21 është në lidhje bashkëshortore me parashtruesen e kërkesës në rastin KI203/21, dhe i njëjti është njëri nga pesë (5) fëmijët e I.K. dhe Xh.K., të cilët ndërruan jetë më 25 tetor 2012 dhe më 28 shkurt 2016, respektivisht.

Në vitin 1985, I.K në bazë të Kontratës për dhurimin, i kishte bartur në pronësi të birit të tij [parashtruesit të kërkesës në rastin KI205/21] paluajtshmërinë me shtëpinë, e regjistruar në emër të I.K në Komunën e Gjakovës, përderisa ky i fundit me bashkëshorten e tij dhe fëmijët tjerë kishte vazhduar të jetojë në shtëpinë e re të ndërtuar, e cila para gjykatave të rregullta përbënte objekt kontesti. Rrjedhimisht, rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës për vërtetimin e bashkëpronësisë në ½ pjesë ideale të paluajtshmërisë, të regjistruar në regjistrin kadastral në Komunën e Gjakovës, e cila paluajtshmëri në vitin 1993 dhe në vitin 2012 përmes kontratës për mbajtje të përjetshme dhe kontratës së dhurimit, respektivisht nga i ndjeri I.K. [i ati i parashtruesit të kërkesës në rastin KI205/21] i ishte bartur të birit të tij, tashmë të ndjerë Sh.K. [vëllait të parashtruesit të kërkesës në rastin KI205/21]. Në vitin 2012 kjo paluajtshmëri si rezultat i kontratës së dhurimit të lidhur ndërmjet të ndjerit Sh.K. dhe bashkëshortes së tij A.K. në regjistrin kadastral të Komunës së Gjakovës ishte regjistruar në emër të A.K. Për pasojë, parashtruesit e kërkesës, në vitin 2013, në Gjykatën Themelore kishin parashtruar kërkesëpadi për (i) vërtetimin e pronësisë në ½ pjesën ideale të paluajtshmërisë së kontestuar; (ii) anulimin e kontratës për mbajtjen e përjetshme, të 29 dhjetorit 1993, të lidhur në mes të tash të ndjerëve, I.K. dhe të birit të tij Sh.K. përmes të cilës kontratë palujatshmëria e kontestuar kalonte në posedim të Sh.K.; (iii) anulimin e kontratës për dhurimin e paluajtshmërisë, të  vitit 2009 në mes të I.K. dhe Sh.K. dhe po ashtu (iv) anulimin e kontratës, të vitit 2012 të lidhur në mes të Sh.K.  dhe bashkëshortes së tij, A.K. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj [C.nr.225/2016] të 9 janarit 2018 e kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, duke vërtetuar në thelb se pronësia e regjistruar në emër të paditurës A.K. ishte fituar në bazë të dispozitave ligjore në fuqi. Si rezultat i ankesës së parashtruesve të kërkesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të saj [AC. nr. 1360/18] të 16 tetorit 2020, refuzoi ankesën e tyre si të pathemeltë dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Në vijim, si rezultat i revizionit të parashtruar nga parashtruesit e kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të saj të kontestuar kishte refuzuar revizionin e tyre si të pathemeltë duke vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e revizionit lidhur me (i) nulitetin e kontratave të dhurimit; (ii) cenimit të pjesës së domosdoshme të trashëgimisë; dhe (iii) vërtetimit të pronësisë në paluajtshmërinë kontestuese.

Së pari, parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre kontestojnë konstatimet e Gjykatës Supreme, dhe në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pretendojnë mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe po ashtu pretendojnë se Gjykata Themelore nuk ka aprovuar kërkesën e tyre për caktimin e ekspertizës së ndërtimtarisë dhe ekspertit financiar. Në kontekst të këtyre pretendimeve, parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të neneve 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Së dyti, parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të  Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata pretendimin e tyre përkitazi me mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe refuzimin e kërkesës për caktim të ekspertizës e trajtoi në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në adresimin e këtij pretendimi, Gjykata fillimisht elaboroi parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një vendim të arsyetuar gjyqësor, parime këto të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës. Në kontekst të kësaj, Gjykata në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret Gjykata, përkatësisht duke u bazuar në arsyetimet e gjykatave të rregullta konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Përderisa përkitazi me pretendimin e tyre për shkelje të së drejtës në pronë, Gjykata, në thelb, vuri në pah se parashtruesit e kërkesës këtë pretendimin e ndërlidhin me pretendimin e tyre për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tyre: (i) përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me mosarsyetim të vendimit gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë evidente ose të dukshme të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; dhe përkitazi me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë evidente ose të dukshme të shkeljes ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nexhmije dhe Sahit Kabashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile