KI58/21, parashtrues: Sylë Krasniqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PA-II-4/2020, të 3 janarit 2020
KI58/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 tetorit 2021, publikuar më 8 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, çështje penale, e drejta për gjykim të drejte, mos-shterim i mjeteve juridike, kërkesës qartazi e pabazuar
Kërkesa ka të bëjë me procedurën penale, gjegjësisht me një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale, kundër parashtruesit të kërkesës dhe të disa të bashkakuzuarve të tjerë për kryerjen e veprës penale të kontrabandimit me migrantë dhe pjesëmarrjes së organizuar në grupe të organizuara kriminale, në lidhje me organizmin e kontrabandimit. Gjykata Themelore në Prizren, parashtruesin e kërkesës e kishte liruar nga të dy aktakuzat. Aktgjykimi ishte apeluar nga Prokuroria Speciale, në Gjykatën e Apelit, e cila pas vlerësimit të rrethanave të rastit e gjen fajtor parashtruesin e kërkesës vetëm për kryerjen e veprës penale të kontrabandimit me migrantë, dhe e dënon atë me burgim efektiv në kohëzgjatje prej pesë vjet dhe me dënim me gjobë në shumën prej tetëmijë euro. Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit ishte goditur me ankesë në Gjykatën Supreme, e cila i aprovoi pjesërisht ankesat e tij dhe të mbrojtësit të bashkakuzuarit A.S. dhe e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me vendimin për dënimin, duke e ulur masën e dënimit prej pesë vjet në tre vjet e gjashtë muaj, dhe vlerën e gjobës prej tetëmijë në katërmijë euro.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetueses pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta, shkelin të drejtën e tij për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, për arsye se gjykata e shkallës së dytë kishte tejkaluar kufijtë e ankesës së Prokurorit Special dhe se pranë këtyre instancave shqyrtimi gjyqësor ishte mbajtur pa praninë fizike të të akuzuarve.
Në vlerësimin e pretendimeve, përkitazi me tejkalimin e kufijve të ankesës së Prokurorit Special, Gjykata konsideroi se një pretendim i tillë megjithatë nuk ishte ngritur në substancë pranë Gjykatës Supreme dhe i njëjti nuk mund t’i nënshtrohej vlerësimit të meritave pranë Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mospërmbushjes së kritereve procedurale, përkatësisht mosshterjes se mjeteve juridike në kuptimin e ngritjes së shkeljes në substancë para Gjykatës Supreme. Ndërsa sa i përket pretendimit për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor pa praninë e të akuzuarave, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësi i tij kanë pasur mundësi që t’i kundërshtojnë të gjitha provat dhe dëshmitë kundër tyre dhe se pjesëmarrja e parashtruesit të kërkesës dhe e mbrojtësit të tij, përkatësisht prania fizike e tyre ishte konfirmuar nga Gjykata Supreme. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.
Sylë Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile