KI131/21, Parashtruesi i kërkesës: Qazim Binaku, Vlerësimi kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 648/20 të Gjykatës Supreme të Kosovës, i 27 janarit 2021
KI131/21, Aktvendim i 7 tetorit 2021, publikuar më 27 tetor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i gabuar i gjendjes faktike dhe interpretim i gabuar i ligjeve të aplikuara nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e rregullta në tri instanca, si dhe shkelje e të drejtës në mbrojtje të pasurisë.
Në çështjen juridike lidhur me banesën e kontestuar janë zhvilluar dy procedura paralele në të cilat parashtruesi i kërkesës ishte palë. Njëra procedurë zhvillohej para Komisionit për kërkesa pronësore banesore të Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore i cili vepronte në kuadër të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Tjetra procedurë ishte ngritur para gjykatave të rregullta, në lidhje me banesën e kontestuar. Sa i përket procedurës së parë para Komisionit për kërkesa pronësore banesore kërkesa e parashtruesit të kërkesës u klasifikua në kërkesat e “kategorisë A” dhe u refuzua për shkak se edhe pse paraqitësit e kërkesave kanë qenë në banim të pronave për një kohë, ata kurrë nuk kanë lidhur kontratë mbi shfrytëzimin apo qiranë me NPB-në. Lidhja e kontratës mbi shfrytëzimin apo qiranë kërkohet në mënyrë që e drejta e banimit të jetë valide. Sa i përket procedurës së dytë pas përsëritjes së procedurës Gjykata Themelore e hodhi poshtë si të palejueshme padinë e parashtruesit të kërkesës duke e deklaruar veten jo kompetente, me arsyetimin se për këto çështje është kompetent Komisioni për kërkesa pronësore banesore dhe se vendimet e Komisionit nuk mund t’i nënshtrohen rishqyrtimit. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e mbështetën plotësisht vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka pretenduar shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të drejtës në pronë të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryesisht duke u fokusuar gabime faktike, interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit.
Duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari i ka elaboruar parimet e përgjithshme të praktikës së vet gjyqësore dhe parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejta e Njeriut në kuptimin e parimit të subsidiaritetit dhe doktrinës së shkallës ës katërt, e më pastaj edhe aplikimin e të njëjtave në rrethanat e rastit konkret. Gjykata përsëriti, në mes tjerash, parimin e „kushtetutshmërisë“ dhe „ligjshmërisë” dhe theksoi nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve apo interpretimin e gabuar dhe aplikimin e gabuar të ligjit të cilat pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta. Në këtë aspekt, Gjykata konstaton që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tij, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë; se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar të njëjtat dhe qartë kanë arsyetuar se përse i kanë shpallur res judicata vendimet e Agjencisë Kosovare të Pronës. Sa i përket të drejtës në pronë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm ka cekur nenet relevante të Kushtetutës, por nuk ka elaboruar mjaftueshëm si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve relevante të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht që vetëm referimi në nenet e Kushtetutës dhe KEDNJ-së dhe përmendja e tyre nuk mjaftojnë për të ndërtuar pretendime të argumentuara për shkelje kushtetuese.
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme në tërësi si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (i) që kualifikohen si pretendime „të shkallës së katërt“; dhe kategorisë së pretendimeve (iii) „të pambështetura ose të paarsyetuara“. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Qazim Binaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile