Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim njohës Drejtoreshën e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Zeinah Salahi.
Gjatë takimit, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi në pika të shkurtra znj. Salahi me prioritetet në mandatin e saj si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, me sfidat e përballura në punën e deritanishme dhe me përpjekjet që po bëhen për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të Gjykatës me ndihmën edhe të donatorëve ndërkombëtarë.
Pasi që shprehu falënderimin e saj për Misionin e USAID-it në Kosovë për përkrahjen e ofruar Gjykatës Kushtetuese ndër vite, kryetarja Caka – Nimani në vazhdim bëri një prezantim më të detajuar rreth projekteve të përfshira në Planin e ri Strategjik të Gjykatës, me theks të posaçëm në konsolidimin e praktikës gjyqësore dhe të cilësisë së vendimeve me standardet evropiane, avancimin e sistemit elektronik për menaxhimin e rasteve dhe përmirësimin e komunikimit me publikun.
Znj. Salahi shprehu nga ana e saj zotimin për vazhdimin e përkrahjes së USAID-it ndaj Gjykatës Kushtetuese, si dhe për institucionet e tjera në vend, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.