Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 5974/2020, të 11 dhjetorit 2020

Nr. të lëndës KI 94/21

Parashtruesit: Fatmir Hoti

Shkarko:

KI94/21, Parashtrues: Asllan Meka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 5974/2020, të 11 dhjetorit 2020

KI94/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 shtatorit 2021, publikuar më 12 tetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për masë të sigurisë, mungesë e vendimit të arsyetuar gjyqësor, kërkesë ratione materiae, kërkesë e papranueshme, mungesë evidente e shkeljes, pretendim i pambështetur dhe paarsyetuar 

Gjykata rikujton që rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës të parashtruar në Gjykatën Themelore në Gjakovë kundër E.H për pagesën e borxhit ndaj tij në vlerë prej 470.000, 00 euro. Si rezultat i kërkesëpadisë së tij, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj paluejtshmërive në emër të E.H, e cila kërkesë ishte aprovuar përmes Aktvendimit [C.nr. 1710/15] të 21 tetorit 2015 të kësaj gjykate. Megjithatë, më 4 shtator 2019, E.H në të njëjtën gjykatë, respektivisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte parashtruar kërkesë për anulimin e masës së sigurisë të caktuar nga kjo gjykatë me arsyetimin se(i) parashtruesi i kërkesës me Aktgjykimin e formës së prerë [PKR. Nr. 23/14 ] të 16 majit 2016, të Gjykatës Themelor në Gjakovë ishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për kryerjen e veprës penale “Kontraktimi i përfitimit joproporcional”; (ii) se parashtruesi i kërkesës me qëllim të shmangies së vuajtjes së dënimit, si rezultat i këtij Aktgjykimi gjendet në arrati; dhe (iii) se kërkesën e tij për masë të sigurisë, parashtruesi i kërkesës e ka bazuar me veprim të inkriminuar. Gjykata Themelore në Prishtinë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ku kishte dëgjuar palët ndërgjygjëse dhe administrimit të provave të bashkëngjitura kishte vendosur që të anulojë masën e sigurisë ndaj paluejtshmërive në emër të E.H. Në Aktvendimin e saj, Gjykata Themelore duke në Prishtinë duke iu referuar paragrafit 1 të nenit 309 dhe paragrafit 2 të nenit 312 të LPK-së kishte konstatuar se rrethanat në bazë të cilave ishte caktuar masa e sigurisë kishin ndryshuar. Kundër këtij Aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin thelbësor se Gjykata Themelore nuk kishte arsyetuar vendimin e saj me faktet dhe kushtet ligjore mbi bazën e të cilave mund të caktohet dhe anulohet masa e caktuar e sigurisë. Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 5974/2020] të 11 dhjetorit 2020 ankesën e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar duke e vërtetuar Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij, pretendoi shkelje të të drejtave themelore të tij të garantuara (i) me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ)-së, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor; dhe (ii) me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Fillimisht, në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata duke marrë për bazë faktin se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit ndërlidhet me caktimin e masës së sigurisë, të nxjerrë në procedurë paraprake shqyrtoi nëse kërkesa është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, përkatësisht shqyrtoi dhe vlerësoi nëse në këtë rast janë të aplikueshmë garancitë procedurale të përcaktuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë kontekst, Gjykata duke aplikuar kriteret e përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të vet Gjykatës konstatoi se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës janë plotësuar kriteret për aplikueshmërinë e garancive procedurale të përcaktuara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata vazhdoi me shqyrtimin e pretendimit për shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Gjykata sërish duke aplikuar parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës përkitazi me arsyetimin e vendimit gjyqësor, konstatoi se Gjykata e Apelit ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në ankesën e tij përkitazi me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte anuluar caktimi i masës së sigurisë ndaj paluejtshmërive në emër të E.H. Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të drejtës së tij, në pronë, të garantuar me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së konsideroi se ky pretendim i tij është pretendim “i pambështetur apo paarsyetuar”, dhe rrjedhimisht, i papranueshëm siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Fatmir Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale