Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-17-0074-A123 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 8 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 01/20

Parashtruesit: Momir Marinković

Shkarko:

KI01/20, Parashtrues: Momir Marinković, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-17-0074-A123 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 8 tetorit 2019

KI01/20, Aktgjykim i 29 korrikut 2021, publikuar më 19 gusht 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për seancë dëgjimore, heqje dorë nga seanca dwgjimore 

Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me privatizimin e Ndërmarrjes Shoqërore NSH “SHARR” dhe të drejtat e punëtorëve përkatës për t’ iu njohur statusi i punëtorëve me të drejta legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e njëzet përqindëshit (20%-it) nga ky privatizim, siç është përcaktuar në nenin 68 të Shtojcës së Ligjit për DHPGJS-në dhe paragrafin 4 të nenit 10 të Rregullores 2003/13.

Parashtruesi i kërkesës, është njëri ndër ish-punëtorët të ndërmarrjes së lartcekur, i cili nuk ishte përfshirë në Listën Përfundimtare të publikuar më 7, 8 dhe 9 qershor 2012. Ankesa e tij në Kolegj të Specializuar ishte refuzuar si e pabazuar. Para Kolegjit të Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte ngritur pretendime që ndërlidheshin edhe me vërtetimin e gabuar të fakteve e edhe të diskriminimit dhe të njëjtat ishin refuzuar si të pabazuara edhe në nivel të Kolegjit të Apelit. Një seancë dëgjimore, nuk ishte mbajtur as në Kolegjin e Specializuar dhe as në Kolegjin e Apelit. E para kishte theksuar se “Aktgjykimi është nxjerrë, pa mbajtur shqyrtimin publik, për shkak se faktet dhe argumentet juridike, të cilat janë ofruar janë të mjaftueshme të qarta. Kolegji nuk pret informata tjera relevante për shqyrtim. […]”, ndërsa e dyta, kishte theksuar se “Kolegji i Apelit vendos që të heqë dore nga pjesa gojore e procedurës”.

Parashtruesi i kërkesës i kontestoi konstatimet e Kolegjit të Apelit para Gjykatës, duke pretenduar (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) për shkak të mosmbajtjes së seancës dëgjimore dhe mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; (ii) shkelje të nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së dhe nenit 1 të Protokollit nr. 12 të KEDNJ-së për shkak të trajtimit të pabarabartë;  dhe (iii) shkelje të nenit 49 të Kushtetutës.

Gjykata, në rrethanat e këtij rasti, ka vlerësuar pretendimet e parashtruesit  të kërkesës, përkitazi me mungesën e seancës dëgjimore, e drejtë kjo e garantuar, sipas sqarimeve të këtij Aktgjykimi, përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në vlerësimin e pretendimeve përkatëse, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe të vet Gjykatës në 5 (pesë) aktgjykimet e saj në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi” përkitazi me të drejtën në një seancë dëgjimore, duke i sqaruar rrethanat në të cilat një e tillë është e domosdoshme, bazuar ndër të tjera, në Aktgjykimin e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë. Gjykata ka sqaruar, ndër të tjera, se (i) mungesa e kërkesës së një pale për seancë dëgjimore jo detyrimisht nënkupton heqjen dorë nga një e drejtë të tillë dhe se vlerësimi i ndikimit të mungesës së një kërkese të tillë varet nga specifikat e ligjit dhe rrethanat e veçanta të një rasti; dhe (ii) në parim, palët kanë të drejtë në një seancë dëgjimore në të paktën një nivel të juridiksionit, përpos nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, e të cilat bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në parim ndërlidhen me raste në të cilat shqyrtohen “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se (i) fakti që parashtruesi i kërkesës nuk ka kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Specializuar dhe atij të Apelit, nuk nënkupton heqjen dorë të tij nga kjo e drejtë dhe as nuk e liron Kolegjin e Apelit nga detyrimi që të trajtojë me nismën e tij domosdoshmërinë e mbajtjes së një seance dëgjimore; (ii) Kolegji i Apelit, nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, por përkundrazi, kishte shqyrtuar edhe çështje fakti edhe ligji; dhe (iii) Kolegji i Apelit nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca gojore”. Duke marrë parasysh këto rrethana dhe arsyetimet e tjera të dhëna në këtë Aktgjykim, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC-I-17-0074-A123] i 8 tetorit 2019, i Kolegjit të Apelit, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me të drejtën për një seancë dëgjimore.

Përfundimisht, Gjykata gjithashtu theksoi se (i) bazuar në ligjin e aplikueshëm për DHPGJS-në, Kolegji i Apelit ka kompetencë të plotë për vlerësimin e vendimeve të Kolegjit të Specializuar dhe rrjedhimisht, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të vet Gjykatës, ka mundësinë e korrigjimit të mungesës së seancës dëgjimore në nivelin e gjykatës më të ulët, përkatësisht, Kolegjit të Specializuar; (ii) nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor, si dhe pretendimet përkitazi me shkelje të nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së, dhe nenin 1 i Protokollit nr. 12 të KEDNJ-së dhe nenin 49 të Kushtetutës sepse të njëjtat duhet të shqyrtohen nga Kolegji i Apelit në përputhshmëri me konstatimet e këtij Aktgjykimi; dhe (iii) konstatimi i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale për një seancë dëgjimore dhe në asnjë mënyrë nuk e paragjykon rezultatin e  meritave të rastit.

Parashtruesit:

Momir Marinković

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër