Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC.nr.4738/19, të 23 janarit  2020

Nr. të lëndës KI 60/20

Parashtruesit: Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame

Shkarko:

KI60/20, Parashtruesi i kërkesës: Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame, Vlerësim i kushtetutshmërisë Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC.nr.4738/19, të 23 janarit  2020 

KI60/20, Vendim për Refuzim, i miratuar më 18 shkurt 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e paplotë, vendim për refuzim.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin [AC.nr.4738/19] e 23 janarit 2020 të Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktvendimin [PPP.nr.165/19] e 5 gushtit 2019 të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest në mes parashtruesit të kërkesës dhe KRM-“Çabrati” Sh.A. me seli në Komunën e Gjakovës, lidhur me obligimin financiar të parit ndaj të dytit, në emër të shërbimeve të bartjes së mbeturinave për vitet 2005, 2006, 2007 dhe një pjese të vitit 2008. Gjykatat e rregullta, kishin vërtetuar detyrimin e parashtruesit të kërkesës ndaj ndërmarrjes përkatëse. Pretendimi kryesorë i parashtruesit të kërkesës para Gjykatës ishte se Aktvendimi [E.nr.516/08] i 12 janarit 2009 i Gjykatës së Qarkut, i nxjerrë para Aktvendimeve të kontestuara në rrethanat e rastit konkret, është bërë res judicata. Bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se ky Aktvendim i Gjykatës së Qarkut, mund të ketë lejuar përmbarimin kundër parashtruesit të kërkesës.

Megjithatë, marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk ishte e kompletuar, Gjykata i kërkoi të njëjtit, dy herë radhazi, që të plotësojë kërkesën e tij, duke dorëzuar në Gjykatë: (i) Vendimin të cilin parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon se duhet të trajtohet si res judicata; dhe (ii) të gjitha dokumentet e tjera që janë relevante për trajtimin e rastit përkatës. Përkundër këtyre kërkesave, në Gjykatë nuk janë dorëzuar dokumentet relevante, përfshirë (i) Aktgjykimin [C.nr.332/2018] e 5 nëntorit 2018 të Gjykatës Themelore; (ii) Urdhrin [P.nr.245/19] e 8 majit 2019 të Përmbaruesit Privat, vendime këto të cilat janë nxjerrë pas një vendimi të Gjykatës së Qarkut, që parashtruesi i kërkesës, pretendon të jetë res judicata; (iii) prapësimin e parashtruesit të kërkesës, të ushtruar kundër Urdhrit [P.nr.245/19] të 8 majit 2019 të Përmbaruesit Privat; dhe (iv) ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit [PPP.nr.165/19] të 5 gushtit 2019 të Gjykatës Themelore.

Prandaj, marrë parasysh që, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte e paplotë dhe e paqartë, përkundër kërkesave të Gjykatës që e njëjta të plotësohet, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, siç është përcaktuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, kërkesën e refuzoi me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative