KI166/20 Parashtrues: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP. nr. 34/2020 të 6 majit 2020
KI 166/20, aktvendim për papranueshmëri i 17 dhjetorit 2020, publikuar më 5 janar 2021
Fjalët kyç: person juridik, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi i pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 21, paragrafi 4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 29 korrik 2016, parashtruesi refuzoi kërkesën e paditësit I. M. me numër për njohjen e së drejtës në pension bazë. I. M. i pakënaqur me këtë vendim, parashtroi ankesë te parashtruesi i kërkesës. Si përgjigje, parashtruesi e refuzoi ankesën e I.M.
IM parashtroi padi kundër vendimit të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore fillimisht pezulloi procedurat dhe pasi sqaroi faktet në lidhje me statusin e I.M. më 3 prill 2019, vazhdoi procedurën dhe më 17 qershor 2019 aprovoi kërkesëpadinë e I.M., anuloi vendimin e kontestuar të parashtruesit të kërkesës dhe ia njohu I.M. të drejtën në pension.
Kjo procedurë gjyqësore kaloi nëpër të gjitha fazat e procedurave në gjykatat e rregullta dhe kjo procedurë gjyqësore përfundoi me aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës Supreme, përmes të cilit u vërtetuan vendimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përsërit të njëjtat pretendime që ai ngriti para gjykatave të rregullta, të cilat në thelb kanë të bëjnë me interpretimin e dispozitave përkatëse të së drejtës materiale nga Gjykata Supreme.
Sa i përket rastit konkret, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve për shkelje të (i) të drejtave të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, dhe (ii) të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Sa i përket shkeljeve të mësipërme të të drejtave të garantuara me nenet 24, 31 dhe 102 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se ajo e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht (a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, dhe (b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme).
Prandaj, Gjykata konstaton se sa i përket këtyre pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24, 31 dhe 102 të Kushtetutës, Gjykata konkludon se kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative