Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-17-0417 -A0001-A0002, të 10 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 32/20

Parashtruesit: Xhevat Meha

Shkarko:

KI 32/20, Parashtrues i kërkesës: Xhevat Meha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-17-0417 -A0001-A0002, të 10 tetorit 2019

KI 32/20, Aktvendim i miratuar më 11 nëntor 2020, i publikuar më 3 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, kërkesë e papranueshme.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest në mes parashtruesit të kërkesës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga një Kontratë e nënshkruar në vitin 2004. Kontrata përkatëse ishte shkëputur nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmes një letër-reference e cila e kishte vlerësuar negativisht performancën e parashtruesit të kërkesës. Ky i fundit, e kishte kontestuar këtë vendim të Agjencisë, fillimisht në vitin 2009. Kjo padi, ishte refuzuar si e papranueshme edhe nga Kolegji i Specializuar edhe ai i Apelit, për arsye që kryesisht ndërlidhen me mos përfaqësimin e parashtruesit të kërkesës përmes avokatit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, në kundërshtim me dispozitat e ligjit të aplikueshëm. Parashtruesi i kërkesës, sërish kishte iniciuar padi kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2010, duke e kërkuar kompensimin e dëmit përkatës. Kolegji i Specializuar, vlerësoi padinë e parashtruesit të kërkesës si pjesërisht të bazuar dhe përcaktoi kompensimin përkatës në vlerë prej 8,300 euro. Kolegji i Apelit, vërtetoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, kryesisht në lidhje me kompenzimin e përcaktuar përmes gjykatave të rregullta. Këto pretendime, Gjykata i trajtoj duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi bazën e të cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës përtej referimit në nenin 31 të Kushtetutës, nuk ka arsyetuar në mënyrë të qartë dhe adekuate se si mund të jetë cenuar ky nen përmes Aktgjykimit të kontestuar. Prandaj, Gjykata konstatoi se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, bien në kategorinë e pretendimevetë pambështetura apo paarsyetuara”. Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata, duke u bazuar në paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, vazhdimisht ka theksuar se (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Gjykata megjithatë shqyrtoi esencën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe arsyetimet e dhëna nga Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit, respektivisht, dhe konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, procedura në tërësinë e saj ishte e drejtë dhe jo arbitrare.

Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenet 21. 4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Xhevat Meha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri