Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr.52/2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës, të 14 marsit 2020
Fjalët kyçe: kërkesë institucionale, shpallja e zgjedhjeve, shtyrja e zgjedhjeve, kërkesë pa objekt shqyrtimi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës [nr.52/20], të 14 marsit 2020, për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se, vendimi i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me: paragrafin 4 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], nenin 7 [Vlerat], nenin 123 [Parimet e Përgjithshme], nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe paragrafin 1 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 21 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Përfundime
- Në lidhje me rrethanat e rastit konkret, Gjykata merr parasysh paragrafin (4) të rregullit 35 të Rregullores së punës, si dhe nenin 37 të KEDNJ-së, me ç ‘rast, për çështjen e rasteve para saj, ajo i përgjigjet dy pyetjeve me radhë: (i) së pari, se a qëndrojnë ende rrethanat për të cilat ishin ankuar drejtpërdrejtë parashtruesit e kërkesës; dhe, (ii) së dyti, nëse efekti i shkeljes eventuale të Konventës për shkak të atyre rrethanave gjithashtu është korrigjuar. Gjykata poashtu vlerësoi nëse edhe më tej është i nevojshëm vazhdimi i shqyrtimit të rastit konkret, në kontekst të respektimit të të drejtave të njeriut të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa.
- Në kontekst të kësaj analize, Gjykata në vijim konkludoi se në rastin konkret, (i) përderisa arsyeja për të cilën është kontestuar Vendimi i Presidentit, d.m.th. Shtyrja e zgjedhjeve në afat të pacaktuar, më nuk qëndron; dhe (ii) përderisa efekti i shkeljes eventuale të nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së për shkak të atyre rrethanave është adresuar me përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve (përkatësisht më 29 nëntor 2020), Gjykata konsideron se rasti konkret nuk përfshin ndonjë rrethanë të veçantë lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë dhe Konventë.
- Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se përmes Vendimit të Presidentit [Nr.157/2020], objekti i kërkesës së parashtruesve të kërkesës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Pozita e tanishme, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa në fjalë, tashmë nuk ka arsyetim dhe se qëllimi që është kërkuar të arrihet, tashmë është arritur plotësisht. Në dritën e kësaj, Gjykata konsideron se nuk ka më merita për të shqyrtuar më tutje këtë çështje dhe një arsyetim të tillë, Gjykata tashmë e ka shprehur qartë edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës: KO63/12, me parashtrues Kërkesa e Alma Lamës dhe e 10 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-82, Vendim për heqje të kërkesës nga lista, i 10 dhjetorit 2012, paragrafi 19; Rasti KO107/10, me parashtrues Gani Geci dhe deputetët tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit, 14 tetorit 2010, në lidhje me Strategjinë dhe Projekt-Vendimin e Qeverisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, Vendim për heqje nga lista të kërkesës, i 17 gushtit 2011, paragrafët 24-26; Rastet KI58, KI66 dhe KI94/12, me parashtrues Selatin Gashi, Halit Azemi dhe grupi i këshilltarëve komunalë të KK të Vitisë, Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Komunës së Mitrovicës, Gjilanit dhe Vitisë për kushtëzimet e qytetarëve në qasje në shërbimet komunale me pagesën e obligimeve ndaj ndërmarrjeve publike, Vendim për heqje të kërkesës nga lista, i 5 korrikut 2013, paragrafi 45).
- Pra, si parim i përgjithshëm procedural, Gjykata nuk nxjerrë vendime për raste ku çështja nuk ekziston më dhe rasti mbetet pa objekt shqyrtimi. Ky është parim i pranuar botërisht për sjelljen e gjykatave dhe është analog me parimin e vetëpërmbajtjes gjyqësore (shih rastin KO63/12, cituar më lartë, paragrafi 23; KI11/09, Tomë Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 2.1 të Urdhëresës Administrative të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Nr. 2003/12, dhe nenit 20.1 të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, Ligji Nr. 02/L-47, Vendim për heqjen nga lista të kërkesës, i 30 majit 2011, paragrafi 46).
- Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës nr.52/20, të 14 marsit 2020, Gjykata vendosi me shumicë votash që, çështja ka mbetur pa objekt shqyrtimi dhe rrjedhimisht vendosi:
- TË HEQË NGA LISTA kërkesën, në përputhje me rregullin 35 (4) të Rregullores së punës;
- T’UA KUMTOJE këtë Vendim palëve;