KI209/19, Parashtrues i kërkesës: Memli Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ka. Nr.664/2019, të 5 gushtit 2019
KI209/19, Aktgjykim i miratuar më 5 nëntor 2020, publikuar më 26 nëntor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia e armëve, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, konflikt i interesit
Në rrethanat e rastit konkret, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) paraqiti kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar se-parashtruesi i kërkesës-në kundërshtim me nenin 14 paragrafi 1 të Ligjit nr.06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit, njëkohësisht ushtron funksionet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Nënpresident i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
Gjykata Themelore vendosi se për shkak të mungesës së provave përfundon procedura e kundërvajtjes me pezullim kundër parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, AKK-ja paraqiti ankesë kundër vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit duke përsëritë se ekziston dyshimi se parashtruesi i kërkesës si zyrtar i lartë, ka rënë në konflikt interesi sepse si deputet i Kuvendit të Kosovës në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e Nënpresidentit të parë të KOK.
Gjykata e Apelit aprovoi të bazuar ankesën e AKK-së dhe ndryshoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore ashtu që parashtruesit të kërkesës për kundërvajtjen nga neni 14 paragrafi 1 e sanksionuar sipas nenit 23 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-011 për parandalim të konfliktit të interesit, i shqiptohet gjoba prej 1.500 (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën gjobë ka për ta paguar në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi. Gjykata e Apelit nuk kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës lidhur me ankesën e AKK-së kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe si rrjedhojë, Gjykata Apelit kishte shqyrtuar vetëm pretendimet ankimore të AKK-së por jo edhe argumentet e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë duke pretenduar: (i) se nuk ka qenë i njoftuar se ndaj vendimit të gjykatës themelore, i cili ka qenë i favorshëm për të, pala kundërshtare (AKK) ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit; (ii) Gjykata e Apelit ka dëgjuar vetëm pretendimet e njërës palë (AKK), ndërsa parashtruesit të kërkesës nuk i është dhënë mundësia për t’i paraqitur provat dhe argumentet e tij lidhur me objektin e kërkesës dhe pretendimeve të palës tjetër në gjykim (AKK). Parashtruesi i kërkesës pretendoi se parimi i barazisë së armëve ishte shkelur në kundërshtim me garancitë procedurale të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi caktimin e masës së përkohshme ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Në rastin konkret, Gjykata vërejti se Gjykata e Apelit (i) ka lexuar ankesën e parashtruesit të kërkesës të paraqitur në Gjykatën Themelore kundër vendimit të AKK-së; (ii) deklaratën e dhënë nga parashtruesi i kërkesës në seancën e shqyrtimit kryesor në Gjykatën Themelore; (iii) dëshminë e dëshmitarit BH, President i KOK-ut; (iv) dëshminë e dëshmitarit DA, zyrtar në AKK. Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, duke konstatuar se në bazë të shkresave të lëndës pa dyshim se parashtruesi i kërkesës është Deputet i Kuvendit të Kosovës, në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e Nënpresidentit të parë të Organizatës joqeveritare të KOK, duke rënë ndesh me nenin 14.1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjykata po ashtu vërejti se nga dosja e plotë e kërkesës por as nga përmbajtja e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit nuk ka ndonjë dokument që tregon se parashtruesi i kërkesës është njoftuar për seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Apelit, të vënë në lëvizje nga ankesa e AKK-së.
Gjykata vlerësoi se duke qenë se Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore që ka qenë i favorshëm për parashtruesin e kërkesës, ajo konsideroi se Gjykata e Apelit ka pasur obligim ligjor dhe kushtetues që parashtruesin e kërkesës ta njoftojë për gjykimin e rastit të tij, në mënyrë që këtij të fundit t’i jepet mundësia që të përgjigjet ndaj ankesës së AKK-së. Gjykata konsideroi se është e papranueshme që njëra palë AKK të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit pa dijeninë e palës tjetër, parashtruesit të kërkesës, dhe ndaj të cilës ky i fundit nuk ka pasur mundësi të komentojë. Gjykata po ashtu vlerësoi se parashtruesi i kërkesës është dashur të thirret në seancë gjyqësore nga Gjykata e Apelit jo vetëm për ta ditur datën dhe vendin e seancës, por edhe për të pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur rastin e tij dhe për të qenë i pranishëm në seancë gjyqësore.
Në fund, Gjykata konstatoi se në rastin konkret ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme sepse vlerësoi se nga përmbajtja e kërkesës rezulton se nuk plotësohen kushtet për rrezik apo dëm të pariparueshëm apo se bëhet fjalë për interes publik.
Memli Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Tjetër