Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac. nr. 3480 të 24 shtatorit 2018 si dhe dy Njoftimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit KMLC. nr. 162/2018 të 14 nëntorit 2018 dhe 3 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 26/19

Parashtruesit: Xhavit Thaqi, pronar i kompanisë „PTP INTERBAJ“

Shkarko:

KI26/19, Parashtrues: Xhavit Thaqi, pronar i kompanisë „PTP INTERBAJ“ Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac. nr. 3480 të 24 shtatorit 2018 si dhe dy Njoftimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit KMLC. nr. 162/2018 të 14 nëntorit 2018 dhe 3 dhjetorit 2018

KI26/19, aktvendim për papranueshmëri i 7 tetorit  2020 publikuar më 10 nëntor 2020 

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, aktvendim për papranueshmëri, kërkesë e parakohshme

Bazuar në shkresat e lëndës, rrjedh që parashtruesi i kërkesës ishte pronar i kompanisë PTP INTERBAJ, e cila merrej me importin e veturave. Gjatë kontrollit të operacioneve të kompanisë, Dogana e Kosovës përcaktoi se gjatë veprimtarisë së kompanisë kishte shkelje të rregullave doganore, prandaj nxori një vendim me të cilin kompania merr përsipër të paguajë një shumë të caktuar të hollash në Doganë.

Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me aktvendimin e Doganës, parashtroi ankesë tek organi i shkallës së dytë të Doganës, të cilin ajo e refuzon. Në ndërkohë, Dogana paraqet në Gjykatën Themelore propozim për ekzekutim kundër parashtruesit të kërkesës, i cili aprovohet nga Gjykata Themelore.

Procedura penale e iniciuar nga Dogana kundër parashtruesit të kërkesës hidhet poshtë nga Gjykata si e parashkruar, dhe Dogana dërgohet në procedurë kontestimore në lidhje me kërkesën pronësore.

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kundërshtim në Gjykatën Themelore kundër Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit të Gjykatës Themelore. Kjo procedurë përfundoi me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila refuzoi ankesën kundër ekzekutimit të Gjykatës Themelore si të pabazuar. Në ndërkohë, parashtruesi dy herë parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Prokurorit të Shtetit, të cilën ai e refuzoi, duke deklaruar se nuk kishte asnjë bazë ligjore për paraqitjen e tij.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimet e kontestuara të Gjykatës Themelore E. nr. 1330/10 i 20 nëntorit 2012 dhe E. nr. 1330/10, i 27 qershorit 2018, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit Ac. nr. 3480/18, si dhe dy vendimet e Prokurorisë së Shtetit shkelin të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.

Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën dhe analizoi pretendimet ankimore, arriti në përfundimin se gjykatat e rregullta kishin respektuar detyrimin e tyre sipas nenit 31 të Kushtetutës si dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në lidhje me garancitë procedurale. Gjykata gjithashtu konkludoi që parashtruesi i kërkesës nuk ishte viktimë e diskriminimit në lidhje me trajtimin e pabarabartë. Prandaj, Gjykata e refuzoi këtë pjesë të kërkesës së parashtruesit si të pabazuar në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përkitazi me procedurën kontestimore të iniciuar nga Dogana e Kosovës pas parashkrimit të veprës penale, Gjykata e hedh poshtë si të parakohshme në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 (2) të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullore së punës, sepse procedura është në pritje në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesit:

Xhavit Thaqi, pronar i kompanisë „PTP INTERBAJ“

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile