KI88/20, Parashtrues i kërkesës: Klubi i Futbollit “Liria”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, nr. 272/2, të 2 qershorit 2020
KI88/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 shtatorit 2020, publikuar më 28 tetor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterim i mjeteve juridike, parimi i subsidiaritetit, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës konteston Vendimin e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, nr. 272/2, të 2 qershorit 2020, për të cilin, sipas parashtruesit të kërkesës, pretendohet se është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar kërkesë kushtetuese e që paraprakisht nuk ka ushtruar ankesë në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) pranë Komitetit Olimpik të Kosovës.
Gjykata vërejti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë të parakohshme dhe se Gjykata, në pajtim me parimin e subsidiaritetit, nuk mund t’i vlerësojë këto pretendime pa qenë paraprakisht të ngritura dhe të vlerësuara nga gjykatat e rregullta.
Gjykata po ashtu vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk ka bërë çdo gjë që mund të pritej në mënyrë të arsyeshme prej tij në lidhje me shterimin e mjeteve juridike apo se ekzistojnë rrethana të veçanta që e lirojnë parashtruesin e kërkesës nga obligimi për shterimin e të gjitha mjeteve juridike.
Gjykata konkludoi se kërkesa në baza kushtetuese për shkak të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike, duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Klubi i Futbollit “Liria”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile, Administrative