Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 380/2019, të 30 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 71/20

Parashtruesit: Etem Arifi

Shkarko:

KI71/20, Parashtrues, Etem Arifi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 380/2019, të 30 janarit 2020

KI71/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 shtatorit 2020, publikuar më 28 tetor 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siguria juridike, qaratzi e pabazuar

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktgjykimit PKR.740/16 kishte shpallë parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerje, në bashkëkryerje, të veprës penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 336 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK) në lidhje me nenin 31 të KPRK-së, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve me kusht, në qoftë se brenda afatit kohor prej 3 (tri) viteve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Gjykata Themelore në Prishtinë, gjithashtu e obligoi parashtruesin e kërkesës dhe të dënuarin tjetër [B.G] që në mënyrë solidare t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar prej: (i) 22.900 Euro – Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale; dhe (ii) 2.749 Euro – Zyrës së Kryeministrit. Kompensimi u urdhërua të bëhet me këste në afat prej 6 (gjashtë) muajsh. Sa i përket akuzës për kryerjen e veprës penale “ushtrim i ndikimit”, nga nenin 431, paragrafi i KPRK-së, Gjykata Themelore në këtë pikë e liroi nga akuza parashtruesin e kërkesës. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën gjykuese sa i përket vendimit për dënimin dhe detyrimin përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale, ashtu që Gjykata e Apelit gjeti se në veprimet e të akuzuarve, formohen elementet e veprës penale mashtrimi me subvencione, nga neni 336 par 3. lidhur me par 2 e 1 të nenit 31 të KPRK-së dhe për këtë vepër penale e gjykon parashtruesin me 1 (një) vit e 3 (tre) muaj burgim, ndërsa lidhur me pjesën liruese përkitazi me  parashtruesin e kërkesës, e anuloi vendimin  dhe vendosi që çështja të kthehet te e njëjta Gjykatë në rigjykim. Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke e anuluar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe duke e kthyer rastin në rivendosje, për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtares e cila është dashur të përjashtohet. Arsyeja bazë mbi të cilën Gjykata Supreme vendosi të pranoj kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë si të bazuar ishte pikërisht pjesëmarrja e gjyqtares e cila në procedurën për konfirmimin të aktakuzës në Gjykatën e Apelit është dashur të përjashtohet.

Gjykata e Apelit duke vepruar në rigjykim vendosi njëjtë sikur në aktgjykimin saj të parë, përveç pikës II përmes të cilit  vendosi se parashtruesi i kërkesës dhe [B. G.], obligohen t’i kompensojnë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në emër të dëmit të shkaktuar shumën prej 22.900  Euro, ndërsa Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës-Zyra për Komunitete shumën prej 2.749 Euro, të gjitha në afat prej 3 (tre) muajve. Pas kërkesës së dytë për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar nga parashtruesi, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi në Gjykatë pretendoi se vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut .

Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se shkelja e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm ka ndodhur si pasojë e:  (i) cenimit të parimit të sigurisë juridike (ii) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; (iii) mos prezencës së parashtruesit të kërkesës në seancën e shqyrtimit në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesi para Gjykatës gjithashtu kërkoi edhe vendosjen e masës së përkohshme.

Së pari, lidhur me pretendimin e parë të parashtruesit për cenim të parimit të sigurisë juridike, dhe që ka të bëjë me pretendimin e tij për shkeljen parimit Reformato in Peius, nga Gjykata e Apelit, e cila me Aktgjykimin PAKR. nr. 328/19 të 20 gushtit 2019, e cila afatin për kompensimin e dëmit të shkaktuar, e zvogëlon nga 6 muaj në 3 muaj, Gjykata konstatoi se këtë pretendim parashtruesi i kërkesës e ngriti për herë të parë para Gjykatës. Gjithashtu lidhur me pretendimin se parashtruesit të kërkesës të cilin e ka ngritur në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër vendimeve të Gjykatave të shkallëve më të ulëta, me pretendimin se është bërë shkelje të ligjit penal kur është fjala tek koha e kryerjes së veprës penale, si element qenësor i figurës së veprës penale dhe përdorimin e gabuar të ligjit, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme ka sqaruar qartësisht këtë pretendim të parashtruesit, në arsyetimin e Aktgjykimit Pml. nr. 380/2019 të 30 janarit 2020.

Lidhur me pretendimin për mosarsyetim të vendimin, Gjykata duke u bazuar në praktikën e saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij se procedurat pranë gjykatave të rregullta në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmes aktgjykimit të kontestuar i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Së treti, lidhur me pretendimin e parashtruesit për mos prezencën e parashtruesit të kërkesës në seancën e shqyrtimit në Gjykatën e Apelit, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës është i pabazuar.

Rrjedhimisht, Gjykata në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (2) dhe 57 (5) të Rregullores së punës vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe ta refuzojë kërkesën për masë të përkohshme.

 

 

Parashtruesit:

Etem Arifi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale