Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit AD.nr.01/2020 të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të 5 shkurtit 2020, dhe Njoftimit AD.nr. 03/2020 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 25 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 76/20

Parashtruesit: Kujtim Zarari

Shkarko:

KI76/20, Parashtrues: Kujtim Zarari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit AD.nr.01/2020 të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të 5 shkurtit 2020, dhe Njoftimit AD.nr. 03/2020 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 25 shkurtit 2020

KI76/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2020, publikuar më 07 shtator 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë disiplinore ndaj prokurorit, e drejta në mjete juridike,  kërkesë qartazi e pabazuar 

Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese dy kërkesa, gjegjësisht kërkesën KI77/20, si dhe kërkesën aktuale KI76/20. Në këto dy kërkesa parashtruesi konteston vendime dhe procedura të ndryshme, të natyrës penale dhe disiplinore, por që janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Objekt i kërkesës, KI76/20, ishte procedura disiplinore e iniciuar nga Avokati i Popullit, përmes shkresës nr. 2265/2019, ku ai kishte paraqitur “njoftimin-parashtresën e karakterit disiplinor”, në Prokurorinë Themelore, sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës ndaj prokurorit të shtetit B.K.. Në këtë shkresë pretendohej se prokurori në fjalë, lidhur me aktakuzën për të cilën është zhvilluar procedura penale e lartcekur, ka bërë shkelje disiplinore dhe atë lidhur me cilësimin juridik të veprës për të cilën është akuzuar personi M.Gj. Kjo pasi aktakuza ndaj personit M.Gj., nuk reflekton pretendimet e parashtruesit të kërkesës si palë e dëmtuar, se personi M.Gj., me veprimet e tij ka konsumuar edhe veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, sipas nenit 410 të KPRK-së, duke pasur parasysh që edhe parashtruesi i kërkesës edhe personi M.Gj., janë persona zyrtar dhe punonjës në të njëjtin institucion.

Prokuroria Themelore, gjegjësisht Zëvendës Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, përmes Vendimit AD.nr.01/2020, duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës si dhe qëndrimin e prokurorit të shtetit B.K., kishte konstatuar se në rastin konkret “nuk kemi të bëjmë më ndonjë shkelje disiplinore” të parashikuar me Ligjin nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe, rrjedhimisht, nuk e kishte referuar rastin për fillimin e hetimeve në Këshillin Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK).

Ndërsa pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Prokuroria e Shtetit, përmes Njoftimit AD.nr.03/2020, e njoftoi parashtruesin e kërkesës se sipas nenit 15 paragrafi 1 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore nuk parashihet mundësia ligjore që pala në këtë rast parashtruesi i kërkesës, të ushtroni ankesë kundër vendimeve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, por e drejta e ankesës i njihet palës vetëm ndaj vendimeve disiplinore të KPK-së. Pra ne këtë rast meqenëse nuk kemi të bëjmë me ndonjë vendim disiplinor të marrur nga KPK, por kemi të bëjmë me vendim të marrur në emër të kompetencave ligjore të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, nuk ishte e lejuar ankesa ndaj vendimit AD.nr.01/2020.

Parashtruesi pretendonte para Gjykatës Kushtetuese se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore nuk ka për obligim që të kërkoj nga KPK të filloj hetimet ndaj prokurorëve vetëm nëse konstaton se kërkesa është “qartazi e pabazuar” ose “joserioze”. Por, sipas tij, në rastin konkret pasi Zëvendës Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore nuk e ka hedhur poshtë rastin si qartazi të pabazuar apo joserioz, sipas nenit 12 të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore, ka pasur obligim që të kërkoj nga KPK të filloj hetimet lidhur me shkelje disiplinore nga prokurori B.K. Andaj, ai pretendon se atij i është mohuar e drejta për mjete juridike e garantuar me nenin 32 të Kushtetutës, pasi Zëvendës Kryeprokurori, në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësitë Disiplinore, nuk ka kërkuar nga KPK të filloj hetimet disiplinore ndaj prokurorit B.K.

Gjykata, pasi vlerësoi faktet e rastit, të drejtën për mjete juridike të garantuar me Kushtetutës dhe të interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së GJEDNJ-së, si dhe duke u marrë për bazë Ligjin nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur pretendimet se procedurat e zhvilluara në Prokurorinë Themelore të Gjakovës dhe tek Kryeprokurori i Shtetit, në ndonjë mënyrë, kanë shkaktuar shkelje të të drejtës së tij për mjete juridike, të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës.

Parashtruesit:

Kujtim Zarari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale