Vlerësim i kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ nr. 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
Nr. të lëndës KI 17/19
Parashtruesit: Zymer Neziri, Rexhep Doçi, Daut Bislimi, Xheladin Shala, Adem Zejnullahu, Exhlale Dobruna, Mehmet Ahmetaj
KI17/19 Parashtrues: Zymer Neziri, Rexhep Doçi, Daut Bislimi, Xheladin Shala, Adem Zejnullahu, Exhlale Dobruna, Mehmet Ahmetaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ nr. 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
KI17/19 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 9 korrik 2020, i publikuar më 3 gusht 2020
Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, pale të pa autorizuar, actio popularis
Kërkesa është dorëzuar nga Zymer Neziri, Rexhep Doçi, Daut Bislimi, Xheladin Shala, Adem Zejnullahu, Exhlale Dobruna dhe Mehmet Ahmetaj të gjithë studiues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të cilët i përfaqëson z. Riza Smaka.
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë nenin 4 të Udhëzimit Administrativ nr. 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Parashtruesit si pretendim kryesor theksojn se dispozita e nenit 4 e Udhëzimit Administrativ nr. 09/2015 është “në disfavorin e shfrytëzueseve të pensioneve të kontributpagueseve të moshës, me nivelin e masterit si dhe me gradën e doktorit të shkencës bashke me titujt përkatës, nuk është perfillur dispozita e nenit 8 te Ligjit nr. 04-L -131 për Skemat Pensionale , nga se, për dallim nga dhe për shfrytëzuesit e pensioneve të kontributpaguesve me arsimin fillor dhe të mesëm e të lartë, për shfrytëzuesit e pensioneve të kontributpaguesve me gradën master dhe me gradën e doktorit të shkencave, nuk është bërë kategorizimi kualifikues në ç’mënyrë, shfrytëzuesve të pensioneve të kontributpaguesve të moshës me nivelin Mr. dhe Dr. të shkencave, padrejtësisht ju është cenuar e drejta e garantuar me nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale”.
Për sa i përket kërkesës së parashtruesve për vlerësim të kushtetutshmërisë së nenit 4 të Udhëzimit Administrativ, në raport me nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nën pretendimin se Udhëzimi Administrativ i MPMS është në kundërshtim me nenet 3.2 dhe 7 të Kushtetutës, Gjykata thekson qëndrim e saj konsistent se personat fizikë ose juridikë nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësim abstrakt të përputhshmërisë së legjislacionit me Kushtetutën, apo kërkesa të natyrës actio popularis. Pra, në praktikën e saj gjyqësore, Gjykata në vazhdimësi ka theksuar se individët nuk mund të kontestojnë in abstracto akte normative të karakterit të përgjithshëm.
Pra, sipas praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate, Kushtetuta nuk parasheh mundësi që individët të mund të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, in abstracto, për jo-kushtetutshmëri të një Ligji. Individët mund të parashtrojnë kërkesë kushtetuese, sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike, vetëm përbrenda fushëveprimit të përcaktuar me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, që kërkon që parashtruesit të dëshmojnë se janë: (1) palë të autorizuara, (2) të prekur drejtpërsëdrejti nga akti konkret i një autoriteti publik ose mosveprimi i autoritetit publik, dhe (3) se kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj (Shih rastin e Gjykatës Kushtetuese KI102/17 parashtrues Meleq Ymeri, cituar më lart, paragrafi 20). E vetmja mënyrë se si personat fizikë ose juridikë mund të kontestojnë kushtetutshmërinë e një ligji para Gjykatës Kushtetuese përmes nenit 113.7 të Kushtetutës dhe neneve 47 dhe 49 të Ligjit, është nëse ata dëshmojnë se kërkesa e tyre nuk është e karakterit “actio popularis” – por që ata janë prekur nga një “ligj” në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, në mungesë të ndonjë akti, vendimi ose mase që zbaton atë ligj. Në rrethanat e rastit konkret, siç do të shpjegohet më tutje, ky nuk është rasti.
Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesve u shpalle e papranueshme sepse nuk ishte dorëzuar nga palët e autorizuara, siç përcaktohet me paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit si dhe rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.
Zymer Neziri, Rexhep Doçi, Daut Bislimi, Xheladin Shala, Adem Zejnullahu, Exhlale Dobruna, Mehmet Ahmetaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri