Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA. nr. 99/2018, i 12 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 77/19

Parashtruesit: Musa Islami

Shkarko:

KI77/19, Parashtrues: Musa Islami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA. nr. 99/2018, i 12 shkurtit 2019

KI77/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 qershorit 2020, publikuar më 17 korrik 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, barazia para ligjit, kërkesë  qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Vendimit [A/02/589/2014] të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit u refuzua si e pasafatshme kërkesa e parashtruesit të kërkesës  që të trajtohet me pagë të njëjtë nga Ministria e Financave, me udhëheqësin tjetër të divizionit, në kuadër të të njëjtit Departament .

Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 328/15] refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar duke e konsideruar Vendimin [A/02/589/2014] e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si të drejtë dhe të ligjshëm.

Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës kundër aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 99/2018] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke e konsideruar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 328/15] si të rregullt dhe tërësisht të bazuar në ligj.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se atij i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 28 [Ndalimi i Skllavërisë dhe i Punës së Detyruar] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.  Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendoi se ai nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë sepse Ministria e Financave nuk e ka bërë nivelizimin e pagës së parashtruesit të kërkesës, edhe pasi që është emëruar si Ushtrues Detyre i Udhëheqësit në Divizionin Qendror Harmonizues për Menaxhimin Financiar dhe Kontroll Qendror Harmonizues.

Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte qartazi e pabazuar

 

 

 

Parashtruesit:

Musa Islami

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile