Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-17-0250-A0001, të 12 shtatorit 2019

Nr. të lëndës KI 225/19

Parashtruesit: Kadri Bullut

Shkarko:

KI225/19 Parashtrues: Kadri Bullut, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-17-0250-A0001, të 12 shtatorit 2019

 KI225/19 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 29 prill 2020, i publikuar më 14 maj 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë e papranueshme si qartazi e pabazuar

Parashtrues i kërkesës është Kadri Bullut nga Prizreni i cili konteston Aktvendimin AC-I-17-0250-A0001, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Rrethanat e rastit ngërthejnë një kontest pronësor, që ndërlidhet me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për blerjen e banesës të cilën ai pretendon se i ishte ndarë nga ana e ndërmarrjes në të cilën ai kishte punuar. Në fillim ai kishte shfrytëzuar banesën ku më vonë ishte larguar nga ajo banesë. Ai filloi procedurat për kthimin e banesës, ku iu drejtua Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP) me kërkesë për dhënien e të drejtës për blerjen e banesës, ku AKP refuzoi kërkesën e tij. Më 27 korrik ai paraqiti padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), e cila ia aprovoi padinë dhe ia njohu të drejtën e blerjes së banesës. AKP paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së. Kolegji i Apelit i DHPGJS refuzoi te pa bazuar padinë e parashtruesit dhe ndryshoi Aktgjykimin e DHPGJS, me arsyetimin se kjo çështje tashmë ishte vendosur nga Habitati.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se përmes Aktvendimit [AC-I.-17-0250-A0001] të 12 shtatorit 2019, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 46 [Mbrojtja e Pronës], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt], 13 [E Drejta për Zgjidhje Efektive] dhe 14 [Ndalimi i Diskriminimit], të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë. Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 24, 46 dhe 102 të Kushtetutës dhe neneve 13 dhe 14 të KEDNJ-së, gjykata konstatoi (i) se aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS nuk përmban elemente të shkeljes së barazisë para ligjit, përkatësisht elemente të trajtimit të pabarabartë, siç pretendon parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara të nenit 24 të Kushtetutës, kur ky nen interpretohet në dritën e nenit 14 të Konventës, nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e kësaj të drejte themelore, sepse, ai në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se gjykatat e rregullta e trajtuan atë në mënyrë ta pabarabartë dhe diskriminuese; (ii) Gjykata konsideron se nga sa më sipër rrjedh që parashtruesi i kërkesës nuk ka mundur të kishte “pritje legjitime” që Kolegji i Apelit i DHPGJS do të nxjerrë vendim në lidhje me të drejtën e blerjes së banesës, meqë për rastin e tij kishte vendosur Agjensioni Kosovar i Pronës – Komisioni i Ankesave, përmes vendimit HPCC/REC/61/2006, i cili vendim ishte i formës së prerë, Si i tillë, në pajtim me nenin 2, paragrafin 5 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/23 nuk mund t’i nënshtrohej rishqyrtimit nga asnjë gjykatë apo organ administrativ në Kosovë; dhe (iii) Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 102 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, por ai nuk ka argumentuar dhe arsyetuar këto pretendime. Për më tepër, Gjykata vë në pah se pretendimi për shkelje të nenit 102 mund të ngritët në mënyrë të argumentuar nga parashtruesit individual, vetëm në ndërlidhje me ndonjë të drejtë specifike të garantuar nga Kapitulli II dhe III të Kushtetutës. Prandaj, ky nene në mënyrë të pavarur nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Kadri Bullut

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri