Njoftim përkitazi me punën e Gjykatës Kushtetuese

16.03.2020

Në përputhje me rekomandimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe duke pas parasysh situatën e përgjithshme në vend, pas konfirmimit të rasteve të para me virusin COVID-19, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të reduktojë aktivitetet e saj publike dhe zyrtare.

Megjithatë, me qëllim që të respektoj të drejtën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të parashtrojnë ankesat e tyre kushtetuese dhe të njëjtat të trajtohen pavarësisht situatës aktuale, Gjykata gjatë kësaj periudhe kohore do të vazhdojë punën me staf të reduktuar, që do të jenë prezent fizikisht në vendet e tyre të punës. Të gjithë gjyqtarët do të vazhdojnë punën nga shtëpitë e tyre dhe do të jenë në dispozicion për të trajtuar çdo kërkesë urgjente që mund të paraqitet në Gjykatë. Po ashtu, të gjithë këshilltarët e Gjykatës dhe zyrtarët e Sekretariatit, me përjashtim të atyre që do të jenë kujdestar në Gjykatë, do të vijojnë punën nga shtëpitë e tyre, për aq sa është e mundshme në këto rrethana.

Gjykata Kushtetuese pra do të vazhdojë të pranojë parashtresat e qytetarëve dhe të të gjitha palëve të autorizuara gjatë orarit zyrtar, si edhe çdo ditë tjetër pune (08:00 – 16:00). Por, me qëllim që të pamundësohet përhapja e mëtutjeshme e virusit COVID-19, të gjitha palët e interesuara inkurajohen që gjatë kësaj kohe kërkesat e tyre mundësisht t’i parashtrojnë në formë elektronike, në emailin zyrtar të Gjykatës: [email protected]. Formulari i Kërkesës dhe Udhëzimet për plotësimin e Formularit të Kërkesës mund të shkarkohen në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese: www.gjk-ks.org.

Përkitazi me afatet për parashtrimin e kërkesave, Gjykata rikujton se në bazë të nenit 50 të Ligjit 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese: “Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj.

Ky njoftim vlen deri në njoftimin e radhës nga Gjykata.