KI184/18, Parashtrues i kërkesës: Ilir Gashi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr. 2783/18 të 18 shtatorit 2018
KI184/18, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2019, i publikuar më 29 gusht 2019
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se konkluzioni i Komunës së Mitrovicës dhe vendimi i Gjykatës Komunale në Mitrovicë nuk i ishin dorëzuar në mënyrë ligjore me ç ‘rast atij i ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Gjykata vërejti se Gjykata e Apelit e ka ndrequr aktvendimin e Gjykatës Themelore përkitazi me dorëzim të parregullt të aktvendimit të Gjykatës Themelore, që tregon se lëshimi në një instancë më të ulët është ndrequr në instancën tjetër më të lartë. Gjykata po ashtu vërejti se gjykatat e rregullta kishin vërtetuar se konkluzioni i Komunës së Mitrovicës për përmbarim i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës në zyrë dhe në prezencë të punëtorëve.
Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme si qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 48 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Ilir Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile