Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit Komunal të Dragashit, 01. nr. 06-368/1, të 21 marsit 2012, dhe Vendimit të Kuvendit Komunal të Dragashit, 01. nr. 06-1281/1, të 8 gushtit 2012

Nr. të lëndës KI 77/17

Parashtruesit: z. Šerif Aga Zëvendëskryetar për Komunitete i Kuvendit të Komunës së Dragashit

Shkarko:

KI77/17, Parashtruesi i kërkesës: Zëvendëskryetar për Komunitete i Kuvendit të Komunës të Dragashit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit Komunal të Dragashit, 01. nr. 06-368/1, të 21 marsit 2012, dhe Vendimit të Kuvendit Komunal të Dragashit, 01. nr. 06-1281/1, të 8 gushtit 2012

KI77/17, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019,  i publikuar më 29 gusht 2019.

 Fjalët kyçe: Zëvendëskryetar për Komunitete i Kuvendit të Komunës të Dragashit, kërkesë e bazuar në paragrafin 4 të nenit 62 të Kushtetutës dhe rregullin 79 të Rregullorës së punës, kërkesë e papranueshme për shqyrtim në pajtim me nenin 62 të Kushtetutes

Parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar Vendimin [01.nr.06-368/1] e 21 marsit 2012, të Kuvendit Komunal të Dragashit dhe Vendimin [01 nr. 06-1281/1] e 8 gushtit 2012, të Kuvendit Komunal të Dragashit (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi Komunal), përmes të cilave Vendime u shpall interesi i përgjithshëm publik dhe u përcaktua shpronësimi i një numri të parcelave kadastrale me qëllim të ndërtimit të tubacioneve të ujit, rrugëve hyrëse dhe largpërçuesve të energjisë elektrike për hidrocentralet përkatëse.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë kishte pretenduar se me këto Vendime janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të komuniteteve joshumicë të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] dhe 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëri theks në kushtet procedurale që duhet të përmbushen kur një kërkesë dorëzohet bazuar në paragrafin 4 të nenit 62 të Kushtetutës, si në vijim: (i) nxjerrja e aktit ose vendimit; (ii) kërkesa për “rishqyrtimin” e këtij akti ose vendimi; (iii) veprimi ose mosveprimi i Kuvendit Komunal si rezultat i kësaj kërkese për “rishqyrtim”; dhe (iv) afati i paraqitjes së kërkesës në Gjykatë. Gjykata gjithashtu theksoi se këto 4 (katër) kushte janë të natyrës kumulative dhe se përmbushja e tyre është reciprokisht e kushtëzuar.

Në vlerësimin e përmbushjes së këtyre kushteve procedurale, Gjykata fillimisht ka trajtuar kushtin e katërt lidhur me afatet ku edhe ka konstatuar se kërkesa është e afatshme sepse ishte dorëzuar para miratimit të Rregullores se re të Punës të Gjykatës Kushtetuese të 31 majit 2018, me të cilën janë përcaktuar afatet 6 mujore për ato kërkesa të cilat dorëzohen në pajtim me paragrafin 4 të nenit 62 të Kushtetutës.  Gjykata në kuptim të afatshmërisë së kërkesës, kishte aplikuar Rregulloren e saj paraprake të punës e cila ishte në fuqi në kohën e dorëzimit të kërkesës dhe ishte më e favorshme për parashtruesin e kërkesës.

Ndërsa, përkitazi me përmbushjen e kushteve të tjera të pranueshmërisë, Gjykata, theksoi se parashtruesi i kërkesës kontestonte dy Vendime të nxjerra nga Kuvendi Komunal duke plotësuar kështu kushtin e parë të pranueshmërisë. Megjithatë, sa i përket kushtit të dytë, Gjykata konstatoi se i njëjti nuk ishte përmbushur, dhe atë, për arsye se Zëvendëskryetari për Komunitete nuk i kishte paraqitur Kuvendit Komunal një kërkesë për „rishqyrtim“ të Vendimeve të kontestuara në kuptim të paragrafit 3 të nenit 62 të Kushtetutës. Duke marrë parasysh që plotësimi i të gjitha kushteve të pranueshmërisë është i natyrës kumulative, Gjykata nuk vazhdoi me vlerësimin e kushteve tjera të pranueshmërisë, dhe shpalli kërkesën e parashtruesit të kërkesës të papranueshme për shqyrtim në merita.

 

Parashtruesit:

z. Šerif Aga Zëvendëskryetar për Komunitete i Kuvendit të Komunës së Dragashit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative