KI 24/17, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 308/2015, të 12 janarit 2017
KI 24/17, Parashtrues Bedri Salihu
Aktgjykim i 27 majit 2019, publikuar më 24 korrik 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, vendim i paarsyetuar gjyqësor, gjykatë e (pa)anshme
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përkatësisht Aktgjykimi [Rev. nr. 308/2015] i 12 janarit 2017, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës ne lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, sepse sipas parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi i kontestuar (i) nuk kishte zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KI16/18 dhe rrjedhimisht, vazhdonte të mos i plotësonte standardet e një vendimi të arsyetuar gjyqësor; dhe (ii) ishte nxjerrë nga një gjykatë e anshme, sepse përbërja e Kolegjit vendimmarrës të Gjykatës Supreme ishte identike me Kolegjin që kishte vendosur edhe herën e parë në rastin e tij, përmes Aktgjykimit [Rev.nr.308/2015] të 12 nëntorit 2015, dhe të cilin Gjykata e kishte shpallur të pavlefshëm në rastin KI18/16.
Përkitazi me pretendimin e parë, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi [Rev.nr 308/2015] i 12 janarit 2017 të Gjykatës Supreme, nuk ka evituar të metat e evidentuara nga Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI18/16 dhe rrjedhimisht, vazhdon të mos i plotësojë standardet e një vendimi të arsyetuar gjyqësor sic është garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen e parashtruesit të kërkesës për herë të dytë në rivendosje në Gjykatën Supreme.
Ndërsa përkitazi me pretendimin e dytë, përkatësisht pretendimit që ndërlidhet me një gjykatë të paanshme, Gjykata, ndër të tjera, elaboroj (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me kriteret për vlerësimin e paanësisë së një gjykate; (ii) konceptin e paanësisë subjektive dhe objektive të gjykatës; (iii) praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në aspekt të vlerësimit të paanshmërisë së gjykatës, përkatësisht konceptin e “dyshimeve legjitime” dhe faktit që të njëjtat duhet të jenë “objektivisht të justifikueshme” në mënyrë që të konstatohet paanësia e një gjykate; (iv) praktikën përkatëse gjyqësore përkitazi me vendosjen e trupave gjykues/kolegjeve në përbërje të njejtë në të njejtat cështje gjyqësore; dhe në fund, konstatoi se (v) edhe pse Aktgjykimi [Rev.nr.308/2015] i 12 janarit 2017 i Gjykatës Supreme, ishte nxjerrë nga përbërja identike e Kolegjit, i cili gjithashtu kishte vendosur në Aktgjykimin paraprak, përkatësisht, Aktgjykimin [Rev.308/2015] e 12 nëntorit 2015, duke rezultuar kështu në “dyshime legjitime” për paanshmërinë e gjykatës, në vlerësimin e Gjykatës këto dyshime, në rrethanat e rastit konkret, nuk janë “objektivisht të justifikueshme”.
Si përfundim, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit, dhe rregullat 56 (1) dhe 74 (1) të Rregullores së punës, njëzëri, në seancën e 27 majit 2019, Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme, konstatoi se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut dhe shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. nr. 308/2015] e 12 janarit 2017 të Gjykatës Supreme, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor.
Bedri Salihu
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile