Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 41/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 korrikut 2017

Nr. të lëndës KI 119/17

Parashtruesit: Gentian Rexhepi

Shkarko:

KI119/17 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 41/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 korrikut 2017

 KI119/17, parashtrues Gentian Rexhepi

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 3 prill 2019

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mos-shterim substancial i mjeteve juridike

 Kërkesa ishte parashtruar nga Gentian Rexhepi i cili ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së thjeshtë dhe veprën penale të mbajtjes në pronësi, posedim, kontroll ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve. Gjykatat e rregullta e kishin dënuar parashtruesin me burgim në kohëzgjatje prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vitesh dhe, së fundmi, Gjykata Supreme kishte vërtetuar vendimmarrjen e tyre duke refuzuar si të pabazuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të dorëzuara nga parashtruesit dhe mbrojtësi i tij.

Para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi kërkoi që të vlerësohet kushtetutshmëria e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme me pretendimin se i njejti është nxjerrë me shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës ngriti pretendime për mos-arsyetim të një vendimi gjyqësor dhe mos respektim të parimit të barazisë së armëve. Secili nga këto pretendime të parashtruesit u vlerësua gjerësisht nga Gjykata. (Shih paragrafët 46-78 të Aktvendimit për papranueshmëri për pretendimet për mos-arsyetim të vendimit gjyqësor dhe paragrafët 79-88 të po të njëjtit lidhur me pretendimet për barazi të armëve).

Çështja e ekspertizës, e cila ishte shqyrtuar në të gjitha instancat gjyqësore dhe reflektohet në vendimet e tyre përkatëse – e të cilat reflektohen edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përbënte një ndër pretendimet kryesore të ngritura në lidhje me kërkesën për vendim të arsyetuar gjyqësor. Përtej saj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendonte mungesë të arsyetimit sa i përket paanshmërisë së dëshmitarit N.U.; mosdëgjimit të dëshmitarit/mjekut kryesor që ka kryer obduksionin dhe mos-bërjen e rikonstruimit me pjesëmarrjen mjekut që ka bërë obduksionin; paanshmërinë e kryetarit të trupit gjykues; dhe pranimit të raportit të policisë të 3 janarit 2010 si dëshmi në gjykatë.

Gjykata, duke u thirrur në garancitë e ofruara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën e vet gjyqësore, konstatoi se kërkesa e parashtruesit ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese sepse ai nuk kishte dëshmuar dhe nuk kishte mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij për shkelje kushtetuese.

Përjashtimisht nga refuzimi i kërkesës në tërësi si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata kishte konsideruar se për sa i takon dy pretendimeve specifike të ngritura nga parashtruesi i kërkesës në kontekst të pretendimeve për mungesë të një vendimi të arsyetuar gjyqësor, respektivisht pretendimit përkitazi me (i) paanshmërinë e dëshmitarit N.U.; dhe (ii) paanshmërinë e kryetarit të trupit gjykues, kërkesa e parashtruesit duhet refuzuar si e papranueshme për shkak të mos-shterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike – e që nënkuptonte faktin se pretendimet e tilla parashtruesi nuk i kishte ngritur asnjëherë para gjykatave të rregullta siç kërkon doktrina e parimit të subsidiaritetit.

Parashtruesit:

Gentian Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale