Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, E. Rev. nr. 20/2017, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 20 nëntorit 2017

Nr. të lëndës KI 31/18

Parashtruesit: Komuna e Pejës

Shkarko:

KI31/18, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë Aktgjykimit E. Rev. nr. 20/2017, të 20 nëntorit 2017, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI 31/18, parashtruese: Komuna e Pejës

Aktgjykim i datës 12 prill 2019

Fjalët kyçe: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, arsyetim i vendimit gjyqësor, vendim për masë të përkohshme

Kërkesa KI31/18 u parashtrua nga Komuna e Pejës. Kjo e fundit kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme – i cili kishte konfirmuar vendimet e gjykatave të rregullta në bazë të të cilave parashtruesja e kërkesës u detyrua t’i paguaj kompanisë private DPZ Gashi Towing Service shumën e të hollave në vlerë prej 392,515.00 EUR, në emër të dëmit kontraktues, si dhe shpenzimet procedurale.

Së bashku me kërkesën e saj kryesore, parashtruesja kishte paraqitur edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutimi i vendimeve të gjykatave të rregullta, përmes së cilave ajo ishte detyruar të paguaj shumën e lartcekur të të hollave. Gjykata Kushtetuese, më 27 shkurt 2019, kishte shqyrtuar ndaras kërkesën e parashtrueses për masë të përkohshme dhe, përmes një Vendimi për masë të përkohshme të publikuar më 4 mars 2019, kishte miratuar të njëjtën duke u mbështetur në kriteret e përcaktuara në Ligj dhe Rregullore të punës. Gjykata Kushtetuese kishte miratuar masën e përkohshme, deri më 30 prill 2019, “pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxjerrë përkitazi me meritat e kërkesës”.

Para skadimit të masës së përkohshme, përkatësisht më 12 prill 2019, Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi kërkesën e parashtrueses në tërësi dhe konsideroi që e njëjta ngre çështje të natyrës kushtetuese, vendosja e të cilave kërkon shqyrtimin e meritave të kërkesës. Pas shqyrtimit të meritave të kërkesës, Gjykata gjeti se në rastin konkret nuk kishte pasur shkelje të Kushtetutës apo të KEDNJ-së dhe se parashtruesja e kërkesës kishte përfituar nga garancitë kushtetuese për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese trajtoi gjerësisht pretendimet kryesore të parashtrueses së kërkesës, se gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht nga gjykatat e rregullta dhe se Gjykata Supreme ka dështuar të ofrojë një vendim të arsyetuar, duke mos u përgjigjur në disa argumente të saj të paraqitura në kërkesën për revizion.

Për sa i takon pretendimeve konkrete të parashtrueses së kërkesës, përkitazi me vërtetimin e gjendjes faktike, si dhe zbatimin e ligjit material dhe procedural, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata Supreme (sikundër edhe gjykatat e shkallëve më të ulëta), i kishte kushtuar vëmendje të duhur standardeve gjegjëse dhe aspekteve të nevojshme të vërtetimit të drejtë dhe të saktë të gjendjes faktike. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese nuk gjeti se kishte arbitraritet në mënyrën sesi Gjykata Supreme kishte interpretuar ligjin material dhe procedural, të aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë aspekt, Gjykata iu referua qëndrimit të saj të përgjithshëm se, parimisht, vërtetimi i saktë dhe i drejtë i gjendjes faktike, sikundër edhe interpretimet përkatëse ligjore, bien në kompetencë të gjykatave të rregullta. Argumentet për shkelje kushtetuese janë të qëndrueshme vetëm nëse vërtetohet se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ – që nuk u konstatua në rastin konkret.

Për sa i takon pretendimit të parashtrueses së kërkesës përkitazi me mos arsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata Supreme nuk ia kishte shkelur të drejtat e parashtrueses së kërkesës për një vendim të arsyetuar – komponentë kjo qenësore e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ. Duke u thirrur në praktikën e konsoliduar gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit theksoi se, përkundër faktit që Gjykata Supreme mund të mos jetë përgjigjur në çdo pikë të ngritur nga parashtruesja e kërkesës, Gjykata Supreme me vendimin e saj ka adresuar argumentet dhe pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës dhe rrjedhimisht kishte përmbushur obligimin për të ofruar një vendim të arsyetuar gjyqësor.

Duke qenë se me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese u konstatua kushtetutshmëria e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht e të gjitha vendimeve të tjera të ndërlidhur me të, Gjykata Kushtetuese, në përputhje me praktikën e saj të përgjithshme, e shfuqizoi masën e përkohshme të vendosur paraprakisht.

Parashtruesit:

Komuna e Pejës

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile