Gjykatën Kushtetuese e vizitoi një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Kolegjit “AAB” në Prishtinë, të enjten, më 18 prill 2019.
Studentët u pritën në takim nga këshilltari juridik senior i Gjykatës Kushtetuese, z. Bardh Bokshi dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim (ZKI), z. Veton Dula.
Këshilltari Bokshi fillimisht i njoftoi studentët më për së afërmi me strukturën organizative dhe me përbërjen e Gjykatës, me procedurat për përzgjedhjen dhe për emërimin e gjyqtarëve kushtetues, me procesin e vendimmarrjes së Gjykatës, si dhe me kompetencat dhe përgjegjësitë që gëzon Gjykata Kushtetuese në bazë të Kushtetutës.
Në vazhdim të takimit, këshilltari Bokshi veçoi disa prej aktgjykimeve më me rëndësi të Gjykatës në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet publike, konfliktit të kompetencave kushtetuese ndërmjet organeve të ndryshme të pushtetit shtetëror, si dhe ruajtjes së pavarësisë funksionale të institucioneve të pavarura.
Ai diskutoi edhe për rëndësinë dhe obligimin kushtetues për zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të gjykatave të niveleve të tjera të gjyqësorit të rregullt në Republikën e Kosovës. Studentët nga ana e tyre shprehën interesimin që të informohen më në detaje përkitazi me zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, procesin e parashtrimit të kërkesave në Gjykatë, natyrën e kërkesave të parashtruara, kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndëve, si dhe për trajtimin e pyetjeve të mediave dhe publikut rreth lëndëve në shqyrtim.