KI59/18 Parashtrues i kërkesës: Strahinja Spasić, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme AA–UŽ. nr. 58/2017, të 1 dhjetorit 2017
KI59/18, aktvendim për papranueshmëri i 27 marsit 2019, publikuar më 15 prill 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i paafatshëm.
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 22 tetor 2017, në Republikën e Kosovës u mbajtën zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale. Parashtruesi i kërkesës ishte kandidat i Listës Serbe për Kryetar të Komunës së Kllokotit.
Pas raundit të parë të zgjedhjeve, parashtruesi i kërkesës dhe një kandidat tjetër shkuan në raundin e dytë. Pas raundit të dytë të zgjedhjeve, parashtruesi paraqiti ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (në tekstin e mëtejmë: PZAP) me pretendime se kishte pasur parregullsi në procesin zgjedhor.
Pas shqyrtimit të ankesës së parashtruesit të kërkesës dhe të gjitha provave relevante, PZAP e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit, ky vendim i PZAP u pranua plotësisht dhe u mbështet nga Gjykata Supreme. Pas kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e zgjedhjeve sipas të cilave parashtruesi i kërkesës nuk fitoi numrin më të madh të votave. Kundër këtij vendimi të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, parashtruesi parashtroi ankesë në PZAP me pretendime identike, si dhe në ankesën e parë. PZAP e refuzoi këtë ankesë të parashtruesit si të palejuar dhe res judicata sepse tashmë ishte vendosur për këtë çështje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më pas shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, duke konfirmuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se PZAP dhe Gjykata Supreme kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Gjykata vëren se Gjykata Supreme, më 1 dhjetor 2017, nxori Aktvendimin përfundimtar AA. UŽ. nr. 58/2017 lidhur me ankesën [1112], të cilën parashtruesi i kërkesës e inicioi para PZAP-it.
Gjykata, gjithashtu, vëren se parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi përsëri ankesë [1127] në PZAP, me pretendimet identike në lidhje me Vendimin [nr. 2470-2017] e KQZ-së, të 7 dhjetorit 2017. PZAP-i, pas shqyrtimit të kësaj ankese të parashtruesit të kërkesës, nxori Vendimin ZL. A. nr. 1127/2017, të 8 dhjetorit 2017, në të cilin theksoi se këto pretendime të parashtruesit i kishte shqyrtuar dhe arsyetuar në vendimin e mëparshëm, dhe rrjedhimisht për këtë çështje tashmë është vendosur dhe për këtë arsye kjo ankesë e parashtruesit është e palejuar.
Në bazë të asaj që u tha më sipër, Gjykata konsideron se vendimi përfundimtar në kërkesën e parashtruesit është Aktvendimi i Gjykatës Supreme AA. UŽ. nr. 58/2017, i 1 dhjetorit 2017. Prandaj, afati kohor fillon të ecë prej 1 dhjetorit 2017, që është data kur aktvendimi i lartpërmendur i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij më 12 prill 2018. Periudha 4 (katër) mujore për parashtrimin e kërkesës ka skaduar më 1 prill 2018.
Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme, sepse është e paafatshme.
Strahinja Spasić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Tjetër