Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, CML. nr. 3/2017, të 21 shtatorit 2017

Nr. të lëndës KI 09/18

Parashtruesit: „FINCA” Kosovë

Shkarko:

KI 09/18 Parashtrues: „FINCA“ Kosovë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, CML. nr. 3/2017, të 21 shtatorit 2017  

KI09/18, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2019, publikuar më 14 mars 2019

Fjalët kyç: personat juridikë, kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar  

Kërkesa bazohet në nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesi i kërkesës, në vitin 2010, pas procedurës disiplinore, ia ndërpreu marrëdhënien e punës punëtorit të tij M.B.

Pas kësaj, punëtori me padi inicioi procedurën administrative kundër parashtruesit, e cila ka kaluar nëpër të gjitha fazat para gjykatave të rregullta. Në procedurën përmbarimore, punëtori i realizoi pretendimet nga kërkesëpadia.

Sipas revizionit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu të njëjtin në rivendosje në pjesën e cila ka të bëjë me pretendimet financiare nga kërkesëpadia.

Në procedurën e sërishme, punëtori e tërhoqi kërkesën e tij lidhur me pretendimet pronësore nga kërkesëpadia. Pas kësaj, parashtruesi inicioi procedurën e kundërpërmbarimit me qëllim të realizimit të kërkesës së tij pronësore. Procedura sipas kërkesës për kundërpërmbarim është lejuar nga gjykata e shkallës së parë dhe të njëjtën e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, sipas kërkesës për vlerësim të ligjshmërisë së Prokurorit të Shtetit anuloi si vendimin e shkallës së parë, ashtu edhe atë të shkallës së dytë sipas kërkesës për kundërpërmbarim, në lidhje me realizimin e kërkesës pronësore të parashtruesit.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregulla i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 102 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu në thelb ngre edhe pretendimin për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, por nuk thirret në asnjë dispozitë kushtetuese në veçanti, megjithatë, Gjykata konkludon se parashtruesi  gjithashtu thirret edhe në shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur me prova se me vendimet e kontestuara janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se vendimet e gjykatave të rregullta kanë shkaktuar në ndonjë mënyrë shkelje të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë.

Prandaj, Gjykata konsideron se, kërkesa në baza kushtetuese, është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

„FINCA” Kosovë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar