KI150/16, Parashtrues, Mark Frrok Gjokaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, CLM. nr. 11/2016, të 13 shtatorit 2016
KI150/16, Aktgjykim i 19 dhjetorit 2018, publikuar më 31.12.2018
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, res judicata, kërkesë e pranueshme, mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Më 13 shtator 2016, Gjykata Supreme e Kosovës, nëpërmjet Aktvendimit [CLM. nr. 11/2016] kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, kundër Aktvendimit [AC. nr. 1579/015] të 4 prillit 2016 të Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin ishte konsideruar e përfunduar procedura përmbarimore për shkak të arritjes së parashkrimit absolut dhe ishin shfuqizuar të gjitha veprimet e ndërmarra në këtë çështje përmbarimore.
Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij, kishte pretenduar se Aktvendimi [AC. nr. 1579/2015] i 4 prillit 2016 i Gjykatës së Apelit ishte nxjerrë në shkelje të së drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit kishte tejkaluar autorizimet ligjore të përcaktuara me nenin 52 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, duke ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [PPP. nr. 50/2015] të 2 prillit 2015; duke e konsideruar procedurën përmbarimore të përfunduar dhe duke shfuqizuar të gjitha veprimet paraprake që ndërlidhen me Aktvendimin [C. nr. 270/96] e 25 dhjetorit 1996 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, që lejoi masën e përkohshme.
Gjykata konsideroi se rrjedha e rastit konkret ngërtheu rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë vendime të formës së prerë e kundërthënëse me njëra-tjetrën të së njëjtës gjykatë në të njëjtën çështje përmbarimore. Rrjedhimisht, në rrethanat e rastit konkret, shfuqizimi i të gjitha veprimeve paraprake të ndërmarra në çështjen përmbarimore, duke i përfshirë edhe aktvendimet paraprake res judicata, është në funksion të “korrigjimit të gabimeve gjyqësore dhe të gabimeve të drejtësisë”. Shmangia nga respektimi i tyre, në rrethanat e rastit konkret, justifikohet dhe është e nevojshme si rezultat i “rrethanave të një karakteri substancial dhe bindës”, siç është përcaktuar me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e pranueshme dhe, duke marrë parasysh karakteristikat e veçanta të rastit, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk gjen të jetë shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Mark Frrok Gjokaj
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Civile