KI64/18, Parashtrues: Hasan Maxhuni, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 234/2017, të 14 dhjetorit 2017
KI64/18, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar, më 5 nëntor 2018, publikuar më 06 dhjetor 2018.
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontest civil, kontest pune, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta e punës, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë e qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 234/2017, të 14 dhjetorit 2017, me pretendimin se i njëjti i shkel të drejtat e parashtruesit të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], me nenin 49 [E Drejta në Punë dhe Ushtrim të Profesionit] dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi argumentoi se shkelja e këtyre dispozitave konkrete kushtetuese erdhi si rezultat i hedhjes poshtë si të pasafatshme të kërkesëpadisë se tij nga gjykatat e rregullta, nëpërmjet të cilës kishte kërkuar kthim në vendin e tij të mëparshëm të punës, në ndërmarrjen publike Hekurudhat e Kosovës, duke konsideruar se kjo e fundit pa një vendim të vlefshëm dhe ligjor ia kishte shkëputur marrëdhënien e punës.
Gjykata, pasi vlerësoi në tërësi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, erdhi në përfundim se kërkesa duhej deklaruar qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, sepse argumentet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk i arsyetonin pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa në baza kushtetuese ishte qartazi e pabazuar dhe, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, ajo u shpall si e papranueshme.
Hasan Maxhuni
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile