KI132/17, Parashtrues i kërkesës: Ajshe Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 147/2017, të 29 qershorit 2017
KI132/17, Aktvendim për papranueshmëri i 2 marsit 2018, i publikuar më 19 prill 2018.
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, kontest pune, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113(7) të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121, dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Parashtruesja e kësaj kërkese inicioi procedurën kontestimore në gjykatat e rregullta kundër Kompanisë së Sigurimeve „Kosova e Re“, pas ndërprerjes së marrëdhënies së saj të punës në kompaninë e përmendur, duke kërkuar kthimin në vendin e punës dhe pagesën e të ardhurave personale për periudhën e largimit të saj nga vendi i punës. Procedura përfundoi në atë mënyrë që instancat më të larta gjyqësore konfirmuan Aktgjykimin e Gjykatës Komunale, me të cilin pala e paditur „Kosova e Re“ është detyruar që parashtruesen ta kthejë në vendin e punës me të gjitha të drejtat dhe obligimet të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
Parashtruesja e kërkesës inicioi procedurën tjetër në gjykatat e rregullta kundër Kompanisë „Kosova e Re“ duke kërkuar kompensimin e dëmit mbi bazën e të ardhurave personale të papaguara. Procedura përfundoi me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme me të cilin kërkesa e parashtrueses refuzohet si e pabazuar me arsyetimin se të ardhurat personale tashmë i ishin paguar parashtrueses së kërkesës.
Parashtruesja pretendon se Gjykata Supreme duke aprovuar kërkesën për revizion ia ka shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata në arsyetimin e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme nuk sheh ndonjë arbitraritet në zbatimin e të drejtës materiale, dhe nuk mund të gjejë as elemente që do të kishin treguar për parregullsinë, arbitraritetin ose diskriminimin në marrjen e vendimeve të kontestuara në dëm të parashtrueses.
Gjykata thekson se është obligim i parashtrueses së kërkesës t’i mbështesë pretendimet e saj kushtetuese dhe të paraqesë ndonjë provë prima facie që tregon për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, prandaj, nga sa u tha më lartë, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtrueses është qartazi e pabazuar dhe si e tillë e papranueshme.
Ajshe Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile