Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall, të premten, më 16 mars 2018.
Në takim, ndërmjet tjerash, u diskutua për punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, për efikasitetin e rritur në trajtimin e lëndëve, për transparencën e shtuar në punë, si dhe për rëndësinë e konsolidimit të mëtutjeshëm të gjyqësisë kushtetuese në vend.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim vuri theksin në marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit reciprok me gjykatat homologe në rajon dhe më gjerë, si dhe në përpjekjet që po bëhen për unifikimin e praktikës gjyqësore në funksion të harmonizimit me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ajo shprehu falënderimin e saj për kontributin e vazhdueshëm që Finlanda i ka ofruar institucioneve në vend, e në veçanti Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast shprehu bindjen se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve do t’i ndihmojnë vendin tonë për të tejkaluar më lehtë sfidat që paraqiten në kuadër të proceseve integruese evropiane.
Ambasadorja Stjernvall rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë finlandeze për institucionet e Kosovës, duke e vlerësuar si parësor progresin e mëtejshëm në sundimin e të drejtës dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në vend.