Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-17-0204, të 6 korrikut 2017

Nr. të lëndës KI 90/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI90/17, parashtrues “Elektromotori Sh. A., Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-17-0204, të 6 korrikut 2017

KI90 /17, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 marsit 2018, publikuar më 7 qershor 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile,e drejta e pronës, qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar nga Gjykata vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është vërtetuar aktvendimi i Kolegjit të Specializuar të po asaj gjykate, e me të cilin ishte refuzuar kërkesa për lëshimin e një urdhri paraprak gjyqësor (UPGJ – masë e përkohshme), me të cilin Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) do t’i ndalohej shitja e pronës së kontestuar deri në vendimin përfundimtar, e për të cilën parashtruesi me padi kërkon njohjen e të drejtës së pronës.

Parashtruesi kishte pretenduar shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, respektivisht të së drejtës për mbrojtje të pronës, duke pohuar se është pronar i pronës kontestuese dhe, si provë, së bashku me padinë, ka bashkëngjitur disa vendime administrative të Komunës së Gjakovës të viteve 1985, 1986 dhe 1989, me të cilat Komuna i kishte lejuar që në pronën kontestuese të ndërtojë një çerdhe për fëmijët e punëtorëve të saj. Atë pronë, parashtruesi pohon se e ka shfrytëzuar në mirëbesim më shumë se 20 (njëzet) vjet, andaj edhe ka fituar të drejtën e pronësisë mbi bazën e parashkrimit fitues.

Gjykata gjeti se kërkesa e parashtrueseve ishte e papranueshme në baza kushtetuese, duke arsyetuar se ajo nuk është gjykatë e shkallës së katërt dhe nuk merret me vlerësimin e fakteve apo të gabimeve ligjore eventuale, përderisa ato, si të tilla, nuk janë tregues i shkeljeve kushtetuese. Në rrethanat e rastit, kur parashtruesja nuk mbështeti mjaftueshëm pretendimet për shkelje kushtetuese, Gjykata deklaroi kërkesën të papranueshme, si qartazi të pabazuar.

Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesit dhe elaboroi gjerësisht parimet e përgjithshme të së drejtës së pronës sipas praktikës ligjore të GJEDNJ-së dhe, ndër të tjera, konstatoi se nuk mund të thuhet se lind ndonjë “pritje legjitime” atje ku ekziston një kontest në lidhje me interpretimin e drejtë dhe aplikimin e të drejtës së brendshme dhe atje ku parashtresat e parashtruesit janë hedhur poshtë më pas nga gjykatat kombëtare (Shih, Kopecký kundër Sllovakisë, paragrafi 50, i Aktgjykimit të GJEDNJ-së, të 28 shtatorit 2004).

Gjykata gjithashtu konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret kur parashtruesi e konteston aktvendimin për mosaplikimin e UPGJ-së – masës së përkohshme dhe kur çështja e titullarit të pronës kontestuese akoma nuk është zgjidhur me një vendim përfundimtar,  njëzëri gjen se nuk është shkelur neni 46 i Kushtetutës dhe neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Elektromotori Sh. A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile