Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 44/2018, të 10 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 72/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI72/18, Parashtrues i kërkesës: Shpejtim Zymeraj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 44/2018, të 10 prillit 2018

KI72/18, Aktvendim për papranueshmëri i 22 nëntorit 2018, publikuar më 17 dhjetor 2018

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar.

Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një procedurë penale në të cilën parashtruesi i kërkesës është shpallur fajtor me aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore dhe për rrjedhojë, i është shqiptuar dënimi kryesor dhe ai plotësues.

Pas kësaj, parashtruesi paraqiti kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës Themelore.

Gjykata Supreme e refuzoi, si të pabazuar, kërkesën e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta i kanë interpretuar gabimisht faktet dhe e kanë interpretuar gabimisht ligjin, si dhe që gjykatat në rastet e ngjashme kanë vendosur ndryshe, gjë që ka rezultuar me shkeljen e nenit 6 të KEDNJ-së, si dhe të neneve 21, 22, 31 dhe 53 të Kushtetutës.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur me prova se me vendimet e kontestuara janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Në fakt, Gjykata ka kërkuar nga parashtruesi i kërkesës në dy raste që të dorëzojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk është në pajtim me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, por parashtruesi nuk i kishte bashkëngjitur dokumentet e kërkuara.

Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar në Gjykatë asnjë aktgjykim tjetër të Gjykatës Themelore, me të cilin do të dëshmonte se praktika e kësaj gjykate ka qenë e ndryshme në rastet e ngjashme dhe identike.

Në bazë të arsyeve të lartcekura, Gjykata konkludon se faktet e paraqitura nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë pretendimin e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Prandaj, Gjykata konsideron se në baza kushtetuese, kërkesa është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Shpejtim Zymeraj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale