Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 363/18, të 13 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 46/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI46/19 Parashtrues: Naser Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 363/2018, të 13 nëntorit 2018

KI46/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit, publikuar më 04 tetor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, revizioni i palejuar, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, me Aktvendimin e kontestuar, Rev. nr. 363/2018, duke refuzuar kërkesën e tij për revizion si të palejuar, i ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës.

Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.

Gjykata vërejti se Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës si “të palejuar” në aspekt procedural dhe pa shqyrtuar meritat e kërkesës, duke u bazuar në dispozitat e LPK-së e sipas të cilave kërkesa për revizion duhet të shpallet e palejueshme në rastet kur vlera e kontestit është nën 3,000 euro. Gjykata në këtë drejtim vërejti se arsyetimi i dhënë në Aktvendimin e Gjykatës Supreme ishte i qartë dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu gjeti që edhe procedurat para Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore nuk ishin të padrejta apo arbitrare.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

 

 

 

Parashtruesit:

Naser Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile