Aktvendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 195/2017, të 11 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI 151/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI151/17, Parashtrues: Elife Murseli, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 195/2017, të 11 tetorit 2017  

KI151/17, parashtrues: Elife Murseli

Aktvendim i 11 dhjetorit 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar, shkelje kushtetuese

Më 28 prill 2014, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, kishte ndodhur një aksident komunikacioni për të cilën sipas prokurorisë kompetente fajtore ishte parashtruesja e kërkesës.

Më 23 maj 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, duke vepruar sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria kompetente, pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit kryesor, me Aktgjykimin P. nr. 231/14, parashtruesen e shpalli fajtore për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, sipas nenit 378, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe e gjykoi me gjobë në shumën të përcaktuar si në dispozitivin e aktgjykimit.

Më 11 tetor 2016, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin PAI. nr. 859/2016, kishte vërtetuar në tërësi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Më 11 tetor 2017, Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktgjykimin Pml. nr. 195/2017, refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë

Gjykatat e rregullta, vendimet gjyqësore i kishin bazuar në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rastit si dhe me ekspertizën e dorëzuar nga ekspertët kompetentë për çështje të komunikacionit.

Parashtruesja, në Gjykatën Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së [E drejta për një proces të rregullt].

Gjykata, gjatë shqyrtimit të kërkesës, gjeti se parashtruesja ka pasur mundësi të shumta që të paraqesë rastin e saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme dhe, duke përdorur mjetet e ankimimit, ka marrë pjesë aktivisht në të gjitha fazat e procedurës gjyqësore, andaj procesi në tërësinë e tij nuk mund të cilësohet si arbitrar apo i padrejtë. Në rrethanat e rastit, Gjykata nuk gjen se vendimet e gjykatave të rregullta janë arbitrare apo janë tregues i shkeljes të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, aq më tepër kur të gjitha pretendimet e parashtruesit kishin të bënin me shkelje ligjore dhe jo kushtetuese, me ç’ rast parashtruesi në asnjë mënyrë nuk paraqiti prova se si dhe në cilat rrethana është shkelur e drejta e pretenduar kushtetuese.

Parashtruesit:

Elife Murseli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile