Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 5 shtator 2019

05.09.2019

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 5 shtator 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 108/18; 2. KI 205/18 dhe 3. KI 67/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 108/18
Parashtrues: Blerta Morina

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 64/14] të Agjencisë së Regjistrimit Civil të datës 13 qershor 2018, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i njeriut], 24 [Barazia para ligjit] dhe 36 [E drejta e privatësisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e të drejtës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi ta shpallë kërkesën të papranueshme, si të parakohshme, me arsyetimin se padia për konflikt administrativ e ushtruar pranë Gjykatës Themelore është mjaftueshëm e sigurt në teori dhe praktikë, dhe si rezultat, në përputhshmëri me parimin e subsidiaritetit, Gjykata duhet t’ua mundësojë fillimisht gjykatave të rregullta shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit.

2. Aktvendim
Lënda: KI 205/18
Parashtrues: Elmi Dragusha

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml. nr. 61/2018], të datës 16 tetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39(2), (3)(b) dhe 59(2) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 67/19
Parashtrues: Hajrije Rina Zhitija Ajeti

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [C. nr. 571/18], të datës 12 nëntor 2018, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.